Kulturë

“Identiteti” në shesh për trashëgiminë, zhgënjimin dhe të ardhmen

Hapësira publike e Prishtinës pasditen e së shtunës është pasuruar me një vepër arti. “Identiteti” e skulptorit Luan Mulliqi ka zënë vend në sheshin “Zahir Pajaziti”. Por aty do të qëndrojë përkohësisht.

E realizuar në bronz, rreth katër metra e lartë, Mulliqi ka sjellë shprehje moderne të formës së skulpturës që ka të bëjë drejtpërdrejt me trashëgiminë kulturore – veshjen e gruas hasjane. Ky kompozicion skulptural, që lidh tri figura, u takon “Hasjaneve”, një cikël i Mulliqit që kishte filluar dekada më parë e që vazhdon të jetë frymëzues për artistin.

Data e përurimit të kësaj vepre, që vetëm përkohësisht do të qëndrojë në atë hapësirë, nuk është e rastësishme.

Përveç me trashëgiminë kulturore, “Identiteti” ka të bëjë edhe me vetë trashëgiminë e artistit – mbesën e tij, ViVi.

“Sonte i kremtuam dy ditëlindje, njëra e ViVit dyvjeçare, dhe një ditëlindje të një monumenti të frymëzuar nga trashëgimia kulturore, çfarë janë edhe hasjanet”, ka thënë Mulliqi teksa ka dhënë edhe një mesazh për mbesën e tij, por jo vetëm.

“Koncepti themelor është kur unë si gjysh ua lë disa amanete gjeneratave të ardhshme, në këtë rast ViVit, mbesës sime, dhe i tregoj për ato çfarë ne kemi bërë për Kosovën dhe natyrisht i jap edhe disa këshilla edukative se çfarë ajo duhet të bëjë në të ardhmen, ta vazhdojë aty ku ne kemi mbetur kur s’kemi mundur t’i kryejmë disa punë dhe të cilat kemi mundur t’i kryejmë ndoshta shumë më mirë, dhe natyrisht ia tërheq vërejtjen që ajo, apo gjenerata e ardhshme të mos i përsërisë ato gabime që ne i përsëritëm gjatë kësaj kohe”, ka thënë Mulliqi, anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Ka punuar rreth një vit për realizimin e kësaj vepre. Ka thënë se veshjet e hasjaneve janë identiteti më autokton i trashëgimisë kulturore të Kosovës, gjë që shpreson se një ditë do të pranohet edhe në UNESCO.

“Në të njëjtën kohë mendoj se është një kontribut në artin publik që e kemi, i cili aq shumë është duke na munguar në Kosovë”, ka thënë ai.

Në konceptin e tij ndërveprojnë e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja. Në të takohen zhgënjimi e krenaria, mllefi e dëshira për ta bërë këtë vend më të mirë. Një mesazh ky, të cilin Mulliqi e përçon përmes ndërthurjes së jetës së tij, të ViVit dhe të “Hasjaneve”.

“Kur të rritet ViVi do të pyesë për identitetin e vet dhe do të kuptojë se vjen nga Prishtina, Tetova, Struga e Gjakova. Do ta kuptojë emrin e vet artistik. Kur të rritet ViVi do ta kuptojë për njërin gjysh mjek e tjetrin skulptor, e për stërgjyshin poet të njohur. Kur të rritet ViVi do të mburret me mozaikun e pasur të trashëgimisë sonë kulturore, do të mburret me hasjanët, të cilat deri atëherë do të jenë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s”, thuhet në konceptin e vendosur tek “Identiteti”.

Mulliqi ka shtuar se kur të rritet ViVi do ta kuptojë “sa shumë e deshëm Kosovën para dhe gjatë luftës, kurse pas lufte e deshëm më shumë vetveten”.

“Do të befasohet sa shpejt u ngopëm dhe e vramë lirinë tonë”, thuhet në koncept.

Kritika e tij vazhdon edhe më tutje, si për ta këshilluar ViVin për gabimet që nuk duhet t’i bëjë ajo e brezi i saj.

“Kur të rritet ViVi do ta kuptojë se hoqëm të zinjtë e ullirit nëpër ‘shtëpitë shkolla’ gjatë okupimit serb, e pastaj në kohën e lirisë e ngufatëm arsimimin tonë, të ardhmen tonë. Kur të rritet ViVi do të udhëtojë pa pengesa, do të befasohet me durimin e një populli të izoluar duke pritur liberalizimin e vizave”.

ViVit, Mulliqi ia kujton e i mëson edhe për dhimbjen që ky popull po vazhdon ta ketë, me gjithë bujarinë që ka.

“Kur të rritet ViVi do ta kuptojë dhimbjen e kohës sonë për të pagjeturit, do ta lexojë ‘Gjeneralin…’ e Kadaresë me mesazhin e njohur se shqiptarët edhe eshtrat e okupuesve fashistë të vrarë në Shqipëri i ruajtën dhe ua kthyen familjeve të veta, ndërsa neve na i morën edhe kufomat e masakruara, i dërguan në Serbi për të fshehur krimin dhe as eshtrat e tyre nuk na i kthyen. Kur të rritet ViVi do të krenohet me nobelisten tonë, nënën e botës dhe shenjtoren e fundit, Terezën. Kur të rritet ViVi do të krenohet me identitetin e vet. Kur të rritet ViVi do të mësojë shumë…edhe për gabimet tona”.

E, si për ta ndarë nga e gjithë pjesa tjetër e konceptit, dëshira e tij shfaqet me ngjyrë të kuqe në rreshtin e fundit...“Kur të rritet ViVi, do të rritet edhe Shqipëria”.

Prezente në përurimin e kësaj vepre ishte edhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, e cila ka thënë se e çmon kontributin e Mulliqit në mbështetje të gruas shqiptare nëpërmjet artit të tij.

“Si ministre e Kulturës dhe Sportit ndihem më e fuqishme si grua, si bijë e këtij vendi, si nënë, që pas meje janë skulpturat e gruas hasjane që, jo vetëm që i shohim, por duke depërtuar në to, duke e treguar historinë e gruas dhe rëndësinë të cilën e ka pasur nëpër etapa të ndryshme. Ky është një falënderim i madh që dua t’ia bëj skulptorit tonë, akademik Luan Mulliqit i cili edhe rolin e femrës, fuqizimin e saj gjithmonë e ka parësore”, ka thënë Dumoshi.

Sipas Dumoshit, Prishtinës i ka munguar skulptura e gruas, që më së miri, sipas saj, përfaqësohet përmes hasjaneve të Mulliqit.

“Veprat e Mulliqit janë gjithnjë të shkëlqyeshme, sepse japin një mesazh, çdo vepër e tij të cilën e ka pasur. Kurse e veçanta e skulpturës së hasjaneve është sepse këtu flitet edhe për trashëgiminë tonë, pastaj pjesën e etnografisë, e cila është në mënyrë specifike dhe e veçantë, por mbi të gjitha është edhe figura e femrës shqiptare, e cila nëpër shekuj, histori, ka luajtur një rol të rëndësishëm”, ka thënë ajo.

Mulliqi gjithashtu, ka thënë se vepra është vendosur në këtë kohë për të përçuar edhe një mesazh tjetër.

“Vepra është në formë të urimit, meqenëse këtë vit e dini se kemi humbur një numër të madh të artistëve shumë të njohur në Kosovë dhe vepra është formë urimi me shpresën se vitin e ardhshëm do të kemi shëndet shumë më tepër dhe natyrisht do të vazhdojmë me tendencat tona për afirmimin sa më të madh edhe të trashëgimisë kulturore, por edhe të kulturës sonë në tërësi”, ka thënë Mulliqi.

Artisti ka bërë të ditur se leja për vendosjen e kësaj vepre është lëshuar nga Komuna e Prishtinës derisa bartëse e këtij projekti ka qenë Ministria e Kulturës, ku edhe thekson se tërë kjo është bërë me iniciativë të tij.