Kulturë

Shaip Beqiri, laureat i çmimit “Esad Mekuli”

 

Anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës u bënë bashkë pas një kohe të gjatë për ta zhvilluar edicionin më të ri të takimeve letrare që mbajnë emrin e shkrimtarit Esad Mekuli. Në një ceremoni ku të gjithë bënin kujdes duke respektuar masat anti- COVID-19, të pranishmit e këtij takimi që u mbajt të enjten në bibliotekën “Pjetër Bogdani”, kanë ndjekur ndarjen e shpërblimeve. Poeti e publicisti Shaip Beqiri është shkrimtari laureat i çmimit kryesor “Esad Mekuli”. Ai nuk ishte i pranishëm për ta pranuar këtë çmim, pasi ka vite që jeton në diasporë. Po ashtu janë ndarë edhe çmimet, “Bardi I” të cilin e ka marrë poeti Mikel Gojani me librin “Vetmia”, “Bardi II” për librin “Qytetit tim, Lezhës” të Bruna Përvathit dhe “Bardi III” për “Plagë e hapur”, të poetit Turan Spahiu. Vlerësimet i ka bërë juria në përbërje të Xheladin Mjekut, Faik Xhanit dhe Ermira Jusufit, ashtu sikurse edhe për punimin “Për ty poet” të Nijazi Kastratit, botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Edicioni i njëmbëdhjetë i kësaj ngjarjeje letrare i është dedikuar poetit dhe publicistit gjilanas Zejnullah Halili, i njohur më shumë si krijues në fushën e letërsisë për fëmijë.

“Kurdo që do të bëhej ndonjë histori e letërsisë shqiptare, pa dyshim që një vend të veçantë do ta zërë shkrimtari Zejnullah Halili”, ka thënë në fjalën e tij kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Shyqri Galica. Sipas tij, shpirti kërkues i këtij shkrimtari artikulon imazhe të veçanta të një subjekti liridashës, siç bën ai me një personazh tjetër të përvuajtur por pa e humbur asnjëherë optimizmin për ditë më të mira. “Në vitin 1990 ai do ta botonte romanin me titullin simbolik ‘Udha kah agu’, që ka një patos me tone të fuqishme për ndryshimet shoqërore-politike që po priteshin gjatë viteve ’90, duke parë zhvillimet e shumta të përpjekjeve të popullit për të dalë nga zgjedha jugosllave”, ka thënë Galica.

Gjashtë letrarë i janë bashkuar Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Afërdita Kica, Lutfi Dervishi, Musa Ahmeti, Sadik Bicaj, Syhejl Havolli dhe Shpresa Zuranxhi janë emrat e anëtarëve të rinj që u bënë publik në këtë takim.

“Këtë herë takimin letrar po e mbajmë me numër të reduktuar të pjesëmarrësve. Për t’u bërë anëtarë të Lidhjes sonë kanë konkurruar më shumë se dhjetë shkrimtarë, mirëpo Kryesia i ka përzgjedhur vetëm gjashtë prej tyre. Në këto rrethana të pandemisë po e kemi tejet të vështirë të mbajmë aktivitete, por planin vjetor po e përmbushim duke dhënë çmimet përkatëse sipas veprimtarive. Kemi mbështetje të vogël financiare dhe me 4000 euro që i kemi në buxhetin vjetor është e pamundur t’ia dalim për t’i financuar projektet tona. Shumë herë po futemi edhe në borxhe vetëm që t’i mbajmë aktivitetet”, ka thënë Galica.

Krahas interpretimit të disa poezive dhe fragmenteve nga vëllimet e disa prej anëtarëve të institucionit që kultivon vlerat letrare dhe artistike, është promovuar libri i Ramë Oracës, “Kandar i ndryshuar”, dhe ai “Shpirtëzime krijuesish në kohë të acarta” i Mikel Gojanit.

“Në këtë libër kam bërë disa përpjekje modeste ku kam paraqitur disa pikëpamje të mia në kohën kur na u mohonte bashkëpunimi me vëllezërit tanë në Shqipëri. Gjatë viteve ‘90 kam bërë vizita në Shqipërinë shtetërore dhe atje kam pasur fatin të takohem me emra elitarë të letërsisë shqipe. Përshtypjet e mia nga bisedimet me kolosët letrarë atje i kam derdhur në shkronjat e librit tim më të ri”, ka thënë shkrimtari nga Klina, Gojani.

Takimi letrar “Esad Mekuli” tash e njëmbëdhjetë vjet është organizim tradicional i cili mbahet nga LSHK-ja dhe ua mundëson shkrimtarëve shqiptarë t’i prezantojnë veprat e tyre letrare.