Kulturë

“Zana” tek audienca botërore nëpërmjet platformave të njohura online

Rrëfimi i traumave të pasluftës që përthekohet në filmin “Zana”, nën regji të Antoneta Kastratit tani është i qasshëm në dy platforma online: “Amazon Prime Video” dhe “Vimeo”. Nga janari do të jetë i qasshëm edhe në “iTunes” dhe në platforma të tjera. Për regjisoren Kastrati kjo është një mundësi e mirë që drama tronditëse dhe emocionuese që përcjell një grua të re kosovare që përpiqet të bëhet nënë, përderisa ballafaqohet me tmerret nga e kaluara e saj e errët e kohës së luftës, të arrijë te një audiencë më e gjerë. Filmi që bëri bujë nëpër festivale por që për shkak të pandemisë i pati mundësitë e kufizuara sa u përket kinemave, pati premierën botërore më 7 shtator të vitit të kaluar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto. Ishte propozimi i Kosovës për “Oscars 2019” në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj (jo anglisht).

“Vimeo” është një platformë online më bazë në New York, themeluar para 16 vjetësh. Dy vjet më vonë është themeluar platforma “Amazon Prime Video”, që njihet edhe si platforma kryesuese për abonimin e videove nga kompania “Amazon”. Platforma “iTunes” është themeluar në vitin 2001 nga kompania “Apple”, dhe po ashtu është një nga platformat lidere në industrinë e filmit, por edhe të muzikës.

Në “Zana” personazhet përplasen me forca mistike, ankthe, besëtytni dhe magji. Filmi shpërfaq historinë e Lumes (Adriana Matoshi) dhe burrit të saj Ilirit (Astrit Kabashi). Lumja dhe Iliri ishin të lumtur dhe e donin njëri-tjetrin, por kjo ishte në të kaluarën dhe ajo periudhë ka mbetur veç kujtim. Lufta dhe vdekja e vajzës së tyre i ka tronditur. Lumja e ndjekur nga ankthet e natës dhe nga dështimet e shtatzënësisë dërgohet te magjistarë të ndryshëm ritualesh të pazakonshme me qëllim që ta shërojnë nga magjia e zezë, mirëpo kur ajo mbetet shtatzënë, kujtime të errëta nga koha e luftës do të kthehen duke i ndjekur atë dhe fëmijën e palindur.

Regjisorja Antoneta Kastrati ka thënë se shfaqja nëpër platforma të ndryshme online është një mundësi për të arritur edhe te një publik më i gjerë.

“Jam shumë e lumtur që më në fund publiku do të ketë qasje të gjerë tek ‘Zana’. Kemi pasur deri më tani një udhëtim të gjatë dhe të suksesshëm në festivale të filmit dhe qe një kohë të gjatë shumë njerëz më kanë shkruar se ku mund ta shohin filmin, veçanërisht diaspora shqiptare. Gëzohem tej mase që tani do ta kenë mundësinë që ta shohin”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se “Amazon” dhe “Itunes” janë platformat kryesore botërore ku filmat shikohen dhe se i vjen mirë që edhe “Zana” është aty veçanërisht, për faktin që pandemia ia limitoi ekipit mundësinë për ta shpërndarë nëpër kinema.

Filmi është shfaqur në Festivalin e Filmit në Portland në SHBA, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Palm Springs në Kaliforni, ku mori çmimin “Buzz” si filmi më i mirë ndërkombëtar i metrazhit të gjatë, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Trieste në Itali, në Festivalin e Filmit në Goteborg të Suedisë, “Crossing Europe Int'l Film Festival” në Austri, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në San Francisco, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Glasgow, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Vilnius në Lituani, Festivalin Ndërkombëtar të filmit në Sydney ku mori çmimin e jurisë, në “Fantaspoa - International Fantastic Film Festival” në Brazil ku mori çmimin për aktoren më të mirë (Adriana Matoshi), e në Festivalin e Filmit në Tiranë u zgjodh filmi më i mirë dhe në edicionin e 33-të të festivalit të filmit “Exground”, ku mori çmimin “goEast” të publikut.

“Zana” me producent Casey Cooper Jonson është bashkëprodhim midis Kosovës, Shqipërisë dhe SHBA-së, dhe është financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.