Kulturë

“Zgjoi” – një rrëfim inspirues që duhet t’i tregohet botës

Regjisorja Blerta Basholli, në bisedën e saj në studion e emisionit “Express” në KTV e ka cilësuar filmin e saj debutues të metrazhit të gjatë, “Zgjoi” si një projekt të nisur me shumë dashuri dhe entuziazëm. Filmi është në garë zyrtare në atë që konsiderohet festivali me më nam në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në “Sundance Film Festival”.

Basholli ka thënë se ka pesë vite që po merret intensivisht me këtë film të bazuar në ngjarje të vërtetë. “Zgjoi” sjell rrëfimin e Fahrie Hotit dhe shpërfaq sfidat e grave në mungesë të burrave si pasojë e luftës së fundit në Kosovë.

Basholli, ka treguar se për rrëfimin e Hotit kishte dëgjuar kur ishte studente, në një periudhë kur dëshironte të dëshmonte vetën profesionalisht.

“Kur e kam dëgjuar tregimin, kam qenë në studime, në një periudhë kur dëshiroja të isha e zonja në karrierën time. Dëgjova për Fahrije Hotin, një rrëfim për një grua në Krushë të Madhe e cila duke e pasur burrin në mesin e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë është dashur që të ndërmarrë hapa për dy fëmijët e saj në një vend ku mbijetesa e saj nuk shihet me syrin me të mirë”, ka thënë ajo.

Kur ishte takuar me Hotin, ka thënë se dëshironte ta dëgjonte rrëfimin e saj edhe pse ajo mund të refuzonte që t’i jepte të drejtën për të realizuar një film bazuar në përjetimet e saj. Basholli ka thënë se Fahrija është një karakter i fuqishëm, një rrëfim inspirimi që shtrihet që nga lufta e fundit në Kosovë e deri në ditët e sotme.

“Edhe sikur të realizohen shtatë filma për Fahrijen, nuk është e mjaftueshme mirëpo ne kemi zgjedhur një periudhë të caktuar e që mendoj se është një rrëfim i suksesit pasi që një grua pa ndonjë mundësi të madhe në kuptimin e edukimit por edhe të mundësive për të zhvilluar ndonjë biznes e ka gjetur rrugën, mundësitë dhe ka tejkaluar sfidat”, ka thënë Basholli.

Rolin e Fahri Hotit në film e luan aktorja Yllka Gashi e cila, siç ka thënë, regjisorja ka bërë një punë shumë intensive pasi që është një çdo skenë. Përveç Gashit në film luajnë edhe Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja dhe Shkëlqim Islami. Sipas Bashollit Kosova ka aktorë të mrekullueshëm dhe ata janë një aset i industrisë së filmit.

“Zgjoi” në “Sundance” është në garë në kategorinë “World Cinema Dramatic Competition” ku ka konkurrentë 10 filma të tjerë. Në mesin e tyre edhe filmin “The dog who wouldn’t be quiet” nën regji të Ana Katz e cila rikthehet në Festival pas pjesëmarrjes në vitin 2016, ku me filmin “My Friend from the Park” mori çmimin special të jurisë për skenar dhe filmin “Amy Tan: unintended memoir” me regji të James Redford.

“Bazuar në ngjarje të vërtetë, ‘Zgjoi’ është një perlë e qetë dhe inspiruese që nxjerr në pah forcën e personazheve duke dëshmuar që asgjë nuk mund ta ndalojë një grua në përmbushjen e një misioni”, është përshkrimi për filmin, i publikuar në ueb faqen e festivalit prestigjioz.

Drejtor i fotografisë është Alexander Bloom, montazhi i filmit është bërë nga Enis Saraçi dhe Félix Sandri, ndërsa producentë janë Valon Bajgora, Agon Uka dhe Yll Uka.

Yll Uka, i cili po ashtu ishte ftuar në emisionin “Express” ka thënë se “Zgjoi” është një tregim i një gruaje kosovare që duhet të arrijë te një audiencë botërore pasi që shumë lehtë komunikon me çdo grua.

“Ajo që Fahrija ka përjetuar dhe ku ka arritur, do të jetë inspirim për çdo grua. Ne kemi shumë rrëfime të tilla të cilat duhet që sa më shumë të dëgjohen dhe duhet të shihen sa më shumë në skenën botërore”, ka thënë ai. Sipas tij, kinematografia e Kosovës është zhvilluar shumë, sidomos këto pesë vjetët e fundit dhe nga regjisoret, filmat e të cilave kryesisht kanë pasur premiera në festivale të kategorisë A.

Uka po ashtu ka bërë të ditur se “Zgjoi” pritet që të ketë premierën në Kosovë, në tetor të vitit të ardhshëm.

Vitin e kaluar në “Sundance” pati premierën “Exil” i regjisorit Visar Morina. Filmi ishte edhe në garë, në kategorinë “World Cinema Dramatic Competition”. Edicioni i sivjetmë shënon debutimin e regjisores Basholli.

Qendra Kinematografike e Kosovës e mbështeti filmin “Zgjoi” në konkursin e vitit 2015 për zhvillim skenari, e një vit më vonë në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë. Solli bashkëprodhimin e parë zyrtar në mes Kosovës dhe Zvicrës. Mori mbështetje nga Fondi Shtetëror (Federal office Culture OFC), “Cinéforom” nga kantoni i Géneves, si dhe nga Televizioni Nacional Zviceran, i cili është njëkohësisht edhe bashkëprodhues. Filmi ishte xhiruar gjatë qershorit dhe korrikut të vitit të kaluar në Janjevë, Prizren dhe Prishtinë.