Kulturë

“Bllogu” – përpjekja për të zbutur kufijtë midis artit, teorisë e praktikës

Ndërsa gjendja e sivjetme në ballafaqim me pandeminë e COVID-19 ka ridimensionuar shumëçka, fondacioni “Lumbardhi” synon të rishikojë vizionin e tij me një zhvendosje në sferën digjitale. “Bllogu” – si platformë që afishon kërkimet e artikujt e vet në tri gjuhë – do të fillojë me artikuj javorë nga projektet kërkimore “Konfigurimi” dhe “Formimi i kombit”, si dhe tinguj nga “Ditari i dëgjimit”, që begatoi kino “Bahçen” gjatë verës së sivjetme pandemike

Prishtinë, 15 dhjetor – Zbutja e kufijve midis artit, teorisë dhe praktikës është ambicia e fondacionit “Lumbardhi” për të krijuar një marrëdhënie të re me ekosistemin qytetar. E ideuar si platformë eksperimentale, të martën ky fondacion ka nismuar “Bllogun”, me të cilin synon të ftojë artistë, hulumtues e lexues për të dhënë përqasjet e tyre mbi tema aktuale.

Sipas një kumtese për media, kjo platformë online synon zgjerimin e kërkimeve aktuale, duke prodhuar diskutime dhe duke formësuar veten nëpërmjet kontributit të hulumtuesve, bashkëpunëtorëve dhe lexuesve.

“Përqendrimi i fondacionit ‘Lumbardhi’ gjatë dy vjetëve të fundit ka qenë në riorientimin programor që ka për bazë punën kërkimore dhe arkivimin e njohurive të gjetura. Përkundër planeve për realizimin dhe shpalosjen e kërkimeve në forma eksperimentale në hapësirën e kino ‘Lumbardhit’, me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të publikut, kushtëzimet e shkaktuara nga pandemia e kanë riformatizuar mënyrën e ndarjes së këtyre kërkimeve në sferë digjitale”, thuhet në kumtesë.

Teksa platforma është bërë gati, ekipi i “Lumbardhit” ka menduar që “Bllogu” të lansohet në tri vija kryesore.

Kështu, “Ditari i dëgjimit” do të shpalosë kultura të ndryshme muzikore, si dhe lista muzikore të kuruara enkas për publikun e kufizuar të “Lumbardhit” gjatë kësaj vere.

“Projekti lindi nga dëshira për ta aktualizuar dëgjimin aktiv dhe për të zhvilluar programe brenda kufizimeve te pandemisë, duke sjellë muzikë të përzgjedhur dhe duke prezantuar enkas nga profesionistë prej kulturave të ndryshme muzikore rreth botës”, thuhet në shpalosjen e temave kryesore në bllogun e porsahapur.

“Konfigurimi” është linja e tjetër që, sipas organizatorëve, do të jetë një kërkim i hapur mbi “historinë dhe rëndësinë shoqërore dhe kulturore të zhvillimit të kinemasë në kontekstin e Kosovës dhe të regjionit duke nisur nga periudha e modernizimit e deri më sot”.

“Formimi i kombit” është hapësira tjetër që do të hulumtojë mënyrat se si komuniteti turqishtfolës në ish-Jugosllavi perceptoi dhe formësoi identitetin e vet.

“Përmes intervistave, burimeve të shtypura dhe materialeve arkivore, projekti shfaq dinamikën konkrete dhe strukturat e përfshira në krijimin e kësaj historie”, thuhet në njoftim.

Kjo platformë – e cila do të ketë afishimet e saj në shqip, anglisht dhe turqisht – ka për kryeredaktore Fjolla Hoxhën, kurse redaktor medial Edi Gashin.

“Një hapje e re për Lumbardhin” e ka cilësuar drejtori i këtij fondacioni, Ares Shporta, platformën e saponisur.

Në tekstin përurues, ai u është rikthyer viteve të kaluara kur angazhimi qytetar ndaloi përpjekjen për të privatizuar dhe rrënuar kino “Lumbardhin”.

“Fondacioni ‘Lumbardhi’ është trashëgimi dhe produkt direkt i kësaj iniciative. I themeluar për t’i ndjekur kërkesat dhe qëllimet fillestare të saj, ai i ka vendosur në dialog hisedarët dhe komunitetet për ta rindërtuar një institucion që i përgjigjet kontekstit të vet dhe kohërave tona”, ka shkruar Shporta.

E gjendja e sivjetme e shkaktuar nga COVID-19, sipas tij, e ka bërë këtë fondacion edhe më të vetëdijshëm për rëndësinë e artistëve, punëtorëve kulturorë dhe institucioneve në ballafaqim me paqartësitë e këtyre kohërave.

Faza e parë, që, sipas tij, filloi me hapjen e bllogut, synon t’i zbusë kufijtë mes artit, teorisë dhe praktikës, duke kërkuar mjete të reja për “t’i kuptuar këto kohëra”.

“Kjo hapje është një mënyrë e re e të bashkuarit, hapje ndaj thellimit të marrëdhënieve me individë dhe institucione, ndarjes së njohurive, përvojave dhe burimeve, si dhe krijim i hapësirave të reja për zhvillim të këtyre bisedave”, ka shkruar Shporta.

“Bllogu”, i cili publikohet nga fondacioni “Lumbardhi”, është përkrahur nga Fondi Ndërkombëtar i Ndihmës i Zyrës Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Instituti Goethe, si dhe nga partnerë të tjerë.

Ndryshe, fondacioni “Lumbardhi” është vazhdimësi e iniciativës për mbrojtjen e kinemasë “Lumbardhi”, që ishte përkrahur nga 58 organizata të shoqërisë civile. Ato kishin kundërshtuar shkatërrimin e ndërtesës dhe ndryshimin e funksionit të aktivitetit të kinemasë “Lumbardhi” në Prizren.

Pas kësaj nisme, procesi i likuidimit të kinemasë “Lumbardhi” nuk është më në agjendën e procesit të privatizimit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, dhe kjo kinema tashmë është nën Mbrojtjen e Përkohshme si objekt i Trashëgimisë Kulturore në Kosovë.