Kulturë

Një ditë punime për një vit në ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës

Është bërë një vit që kur është ndërprerë puna në ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës. E vetmja ditë kur punëtorët kanë dalë për të punuar në ndërtimin e objektit të Muzeut të Historisë së Natyrës gjatë këtij viti është ajo e 16 korrikut. Atë ditë stafi i kompanisë punëkryese kishin dalë që më shumë të luanin rolin e statistëve të ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi. Kishin qëndruar aty pasi vendpunishtja në Sllatinë të Fushë-Kosovës ishte vizituar nga ministrja Vlora Dumoshi. Por qysh prej dhjetorit të vitit të kaluar, i vetmi njeri që kryen punë në vendpunishten që gjendet në hapësirën e njohur si “Te pishat” është rojtari

E vetmja ditë kur punëtorët kanë dalë për të punuar në ndërtimin e objektit të Muzeut të Historisë së Natyrës gjatë këtij viti është ajo e 16 korrikut. Atë ditë stafi i kompanisë punëkryese kishin dalë që më shumë të luanin rolin e statistëve të ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi. Kishin qëndruar aty pasi vendpunishtja në Sllatinë të Fushë-Kosovës ishte vizituar nga ministrja Vlora Dumoshi. Por qysh prej dhjetorit të vitit të kaluar, i vetmi njeri që kryen punë në vendpunishten që gjendet në hapësirën e njohur si “Te pishat” është rojtari. Bile, mesditën e së martës të javës së kaluar ai nuk ka qenë aty, me arsyetimin se ka shkuar në shtëpi për drekë dhe është zëvendësuar nga i biri 11-vjeçar.

Problemet me projekt janë pengesa e parë. Por edhe ndarja e buxhetit për investimin më të madh kapital të trashëgimisë kulturore nuk ka qenë asnjëherë në masën e planifikuar. Në maj të vitit të kaluar, kur ishte vënë guri themeltar, llogaritej që punimet të zgjasnin tre vjet. Ashtu e përcakton edhe kontrata e MKRS-së me punëkryesin. Por është bërë më shumë një vit prej kur puna është ndërprerë dhe me këtë ritëm të punës dhe ndarjes së buxhetit, objekti do të marrë të paktën nja tri dekada për të përfunduar së ndërtuari.

Sipas Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021, për këtë projekt janë ndarë 450 mijë euro. Sipas Ligjit për ndarjet buxhetore të këtij viti, kanë qenë të parapara 100 mijë euro nga buxheti i konsoliduar i shtetit dhe 162 mijë të tjera nga të hyrat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Krejt bashkë bëjnë 262 mijë euro.

E me rishikim të buxhetit për sivjet kanë ngelur veç 75 mijë euro. Projekti në total kushton 2.4 milionë euro.

Gjatë vizitës së saj në korrik, ministrja Dumoshi ka thënë se është e vetëdijshme që buxheti për këtë vit është shumë i vogël.

“Të gjitha punimet që arsyetohet që janë kryer ne do t’i bëjmë pagesat. Tash hartohet buxheti i vitit 2021 dhe unë prioritet do ta kem këtë muze. Buxheti do të jetë më i madh sesa ai që ka për këtë vit. Jemi duke kaluar në një fazë të jashtëzakonshme. Kryeministri Hoti ka thënë se asnjë projekt nuk do të pësojë. Nëse vazhdon, do të paguhen detyrimet”, kishte thënë ajo gjatë vizitës, në të cilën e kishin shoqëruar zëvendësministri i Kulturës, Halil Matoshi, e kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha.

Gjatë javës së kaluar, ministrja Vlora Dumoshi nuk u është përgjigjur pyetjeve që ia ka adresuar KOHA. Përgjigje për këtë projekt nuk ka pasur as drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, Vjollca Aliu.

Gazeta në prill, po ashtu edhe në korrik kishte raportuar se në disa pozicione të punimeve ka mospërputhje midis fazës së statikës dhe arkitekturës. Për shumicën e rasteve janë arritur pajtime për harmonizim të projektit midis projektuesve dhe punëkryerësit. Por, përjashtim në këtë aspekt bën një pllakë që në gjuhën e arkitekturës është konzollë, me katër metra gjatësi. Është pllakë betoni në anën veriore, që në formë ballkoni zgjatet katër metra, gjë që paraqet problem për statikën pasi nuk janë paraparë shtylla mbajtëse apo ndonjë formë tjetër që do të siguronte qëndrimin. Për pasojë, midis të tjerash, është kërkuar inicim i procedurës për angazhim të njohësve të statikës. Arkitektja Ardiana Qorraj, bashkëmbikëqyrëse e punimeve me zyrtaren tjetër të MKRS-së, Merita Augustini-Ndrecaj, ka deklaruar: “Kemi pasur një takim me kompaninë punëkryese dhe atë projektuese. Në takim u dakorduan për plotësime dhe i pranuan zgjidhjet si sqarime verbale, e lehtë të ekzekutueshme. Hartuesit e projektit janë zotuar që do ta bëjnë plotësimin në detaje”, ka thënë ajo. Përgjigje për KOHËN nuk ka pasur as kompania punëkryese.

Yll Rugova, ish-ministër i Kulturës, ka thënë se punimet te ndërtesa e Muzeut të Historisë së Natyrës nuk sheh se ka ndonjë arsye objektive pse do të duhej të mos vazhdoheshin. Ka thënë se koha është e mirë, kontrata është e nënshkruar, e edhe buxheti është i ndarë. “Kjo mund të jetë veçse për çështje moskujdesi dhe mosinteresimi. Që është për të ardhur keq në fakt, sepse ky projekt nisi shumë mirë edhe me bashkëpunimin me Universitetin e Prishtinës, përkatësisht me Katedrën e Biologjisë. Ky muze i rëndësishëm për Kosovën, definitivisht, nuk meriton të nëpërkëmbet kështu”, ka thënë ai.

Gazeta vazhdimisht ka raportuar se MKRS-ja nuk i kishte bërë mirë hesapet kur i kishte hyrë këtij projekti.

Kur ishte vënë guri themeltar në maj të vitit të kaluar, gazeta e kishte pyetur ish-ministrin e Kulturës, Kujtim Gashi, se nga do të merren mjetet për një projekt mbi dymilionësh. Siç rëndom ka premtuar buxhet më të madh sesa ka pasur në dispozicion, ai e kishte përmendur rishikimin e buxhetit për vitin 2019 dhe planifikimet për vitin 2020. Për vitin e kaluar ishin në dispozicion veç 80 mijë euro. Arritja e shumës në 200 mijë eurove ishte bërë prej linjave të tjera buxhetore.

Muzeu i Historisë së Natyrës fillimisht qe paralajmëruar të ndërtohej në kryeqytet, por MKRS-ja – që asokohe udhëhiqej nga ish-ministri Kujtim Shala – dhe Komuna e Prishtinës nuk ishin marrë vesh. Më 12 dhjetor të vitit 2016, Komuna e Fushë-Kosovës kishte marrë vendim për ta aprovuar kërkesën për caktimin e lokacionit. Parcela qe ndarë në hapësirën që quhet “Te pishat”, në fshatin Sllatinë e Vogël.

Muzeu i Historisë së Natyrës ishte parë si zgjidhje për mbi një mijë eksponate, kafshë e insekte të balsamosura, të cilat prej 21 dhjetorit të vitit 2017 janë vendosur në një shtëpizë prej dërrasash në hyrje të kompleksit “Eminxhik”, që ka katër objekte, në dy prej të cilave zë vend Muzeu Etnologjik. Për më shumë se 15 vjet eksponatet kishin zënë vend në depon e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ku ishin zhvendosur në qershor të 2001-tës nga objekti i tyre në kompleksin e “Eminxhikut”, që prej atëherë është kryesori i Muzeut Etnologjik. Në vitin 2013 këto eksponate ishin nxjerrë nga bodrumi i Muzeut për herë të parë, 12 vjet pas luftës. Vetëm asokohe, siç kishte raportuar gazeta, 100 eksponate kishin përfunduar në bërllok, pasi ishin shkatërruar. Numri i tërësishëm ka qenë 1812 eksponate, meqë përfshihen edhe insektet. Një pjesë e tyre është bartur në Beograd, në kohën e luftës.

Ndërtimi i Muzeut të Historisë së Natyrës bëhet nga konsorciumi “NNR – Rukolli shpk” dhe “Call Home electronics shpk”. Ky konsorcium kishte dalë të jetë më i liri e parallogaritjet e MKRS-së ishin që projekti të kushtonte rreth 4 milionë euro. Për këtë, të shumtë janë ata që mendojnë se 2.4 milionë euro nuk do të mjaftojnë.

Muzeu i Historisë së Natyrës është projektuar nga kompania “Hidroing-DK SHPK”. Lidhja me natyrën kishte shërbyer për fillimin e konceptimit të projektit ideor për Muzeun e Historisë së Natyrës. Siç është përshkruar në koncept, lidhja me qiellin, me krijuesin, bëhet nëpërmjet galerisë dhe drita depërton në brendinë e hollit, ku edhe zhvillohet ekspozita e përhershme, që është edhe sektori më i rëndësishëm i Muzeut, në të cilin parashihet të ekspozohen eksponatet e natyrës.

Image
          Punëtorët e kompanisë punëkryese sivjet kanë dalë për të punuar në strukturat e Muzeut vetëm më 16 korrik, kur vendpunishtja është vizituar nga
          ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi