Kulturë

“Cirku fluturues” triumfon në festivalin që shpërfaq rrëmujën e ish-Bllokut Lindor

Rrëfimi nga Kosova e Shqipëria për fundin e viteve ’90 është shpërblyer si filmi më i mirë debutues në edicionin e 30-të të festivalit prestigjioz që këtë edicion po e mban në formatin online. “Cirku fluturues” i regjisorit Fatos Berisha është bërë pjesë e edicionit që ofron mbi 150 filma nga 8 deri më 31 dhjetor

Prishtinë, 13 dhjetor – Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Cottbus të Gjermanisë është një ndër festivalet që tregon më së miri rrëmujën e ish-Bllokut lindor gjatë këtyre 30 vjetëve. Kronologjia sivjet përmbushet edhe me rrëfimin nga Kosova për fundin e viteve ’90. “Cirku fluturues” i regjisorit Fatos Berisha është bërë pjesë e edicionit të sivjetmë që po mbahet online e që ofron mbi 150 filma nga 8 deri më 31 dhjetor. Komedia e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë, që zhvillohet në Shqipërinë post-komuniste, të shtunën në ndarjen e çmimeve është shpërblyer si filmi më i mirë debutues.

Festivali i Filmit në Cottbus u mbajt për herë të parë më 2 nëntor të vitit 1990, si një përforcues i urës që lidh Perëndimin me Lindjen, në mes të Francës dhe Gjermanisë si dhe Polonisë. Tre vjet më vonë, ideja u zgjerua dhe filma nga i gjithë ish-blloku lindor shfaqeshin përkrah filmave gjermanë, përfshirë shtetet pasardhëse të Bashkimit Sovjetik dhe ish-Jugosllavisë. Për arsye që dihen, për shkak të pandemisë, planet sivjet ndryshuan. Festivali u zhvendos në formatin online dhe më shumë se 150 filma nga 15 seksione janë të qasshëm online për një pagesë simbolike deri në fund të këtij viti.

“Cirku fluturues” për të cilin Berisha ka shkruar edhe skenarin tregon se si katër aktorë nga Kosova vendosin të kalojnë ilegalisht kufijtë e Malit te Zi dhe të Shqipërisë.

“'Dodona', teatri i vogël i Prishtinës, mbyllet si institucioni i fundit publik. Katër personazhet kryesore, aktorët e rinj, Kushtrimi, Donati, Fatmiri dhe Leka, shikojnë posterin e shfaqjes së tyre duke u hequr. Është komedia surrealiste e quajtur ‘Cirku fluturues’, e frymëzuar nga seritë legjendare britanike ‘Monty Python’s Flying Circus’, por ‘diçka krejtësisht ndryshe’ do të ndodhë. Ata marrin një ftesë për të performuar në festivalin e teatrit në Shqipëri, por nuk kanë pasaporta”, është përshkrimi i filmit, producente e të cilit është Vjosa Berisha.

Regjisori Fatos Berisha ka thënë se i gjithë ekipi i filmit i është gëzuar shumë çmimit në Festivali e Filmit në Cottbus të Gjermanisë, pasi që është një festival shumë i mirë dhe si i tillë ka konkurrencë të madhe filmash dhe autorësh shumë të mirë.

“Ky çmim vjen në një kohë të vështirë për gjithë ne, si një dhuratë e bukur befasuese e fundvitit. Shpresoj se filmi do ta vazhdojë rrugëtimin e mirë që pati filmi, përkundër pandemisë që e dëmtoi shfaqjen e filmin në kinematë vendore dhe disa festivale ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Projektin “Cirku fluturues”, QKK-ja e kishte përkrahur me 5 mijë euro për zhvillim skenari qysh në vitin 2014. Më 2016 ishe përkrahur me 150 mijë euro si projekt për film të gjatë.

Arben Zharku, drejtor i QKK-së, ka thënë se “Cirku fluturues” është një testament i vendit.

“‘Cirku fluturues’ i regjisorit Berisha i cili sjell një rrëfim tragjikomik ka arritur të depërtojë në festivale kryesore në botë dhe të sjellë shumë çmime. Ky rrëfim i bazuar në ngjarje të vërtetë është një testament për të kaluarën tonë”, ka thënë ai. Sipas tij, krahas shtjellimit mjeshtëror të regjisorit ndodhet edhe kasta e mrekullueshme e aktorëve të cilët për mrekulli na dërgojnë në një kohë mjaft komike, por edhe tragjike për vendin tonë.

Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani kanë rolet kryesore përderisa kasta e aktorëve përbëhet edhe nga Velibor Topiq, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumovic, Krist Lleshi e të tjerë.

Aktori Armend Smajli i cili portretizon Kushtrimin, njërin nga katër shokët ka thënë se çmimi ishte i papritur e në të njëjtën kohë shumë i vlefshëm si çmim.

“Festivali i filmit në Cottbus është shumë prestigjioz dhe çdo çmim në këtë festival ka rëndësi goxha të madhe në industrinë e filmit. Meqenëse para një muaji u anulua pjesëmarrja jonë fizike në festival sikur edhe harruam që mbrëmë do të ndahen çmimet online. Ishte shumë lajm i mirë për filmin dhe secilin prej nesh”, ka thënë ai.

Të shtunën në ndarjen e shpërblimeve, ku triumfoi edhe “Cirku fluturues” festa e madhe u bë për regjisorin rus 32-vjecar, Ivan I. Tverdovskiy, i cili për herë të tretë u shpërblye në këtë festival. Ai kishte fituar çmimin “Lumina” për filmin me të mirë për herë të parë për "Corrections Class" në vitin 2014. Ai triumfoi përsëri në Cottbus në vititn 2016 me filmin "Zoology". E të shtunën më 12 dhjetor, ai fitoi çmimin kryesor (statujën “Lubina” si dhe 25 mijë euro) për filmin "Conference" (Një bashkë-produksion i Rusisë, Estonisë, Italisë dhe Britanisë). Dita e shtunë ishte me fat edhe për regjisorin Piotr Domalewski. Regjisori i “Silent Night” fitoi çmimin special të jurisë për regjisorin me të mirë (“Lubin” si dhe 7 mijë 500 mijë euro) për filmin “As far as possible” (I Never Cry).