Kulturë

Gruaja e parë nobeliste e paqes

Kush ishte Bertha von Suttner?

Dje, më 10 dhjetor, është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve Nobel. Online. Për shkak të pandemisë. Një rast për të kujtuar diçka nga historia. E para grua që mori çmimin Nobel për Paqe quhej Bertha von Suttner. Austriake. Aktiviste për paqe. Shkrimtare. Romani i saj «Ulni armët!» u botua më 1889. Një vepër kundër luftës, që shpejt u bë bestseller dhe u përkthye në gati 40 gjuhë.

Më 1905 Bertha von Suttner mori një telegram nga Suedia, ku njoftohej se është nderuar me çmimin Nobel. Shkrimtarë si Rainer Maria Rilke, Stefan Zweig dhe Karl Kraus me qejf rrudhnin hundën lidhur me lajmin se një grua fitoi Nobelin për Paqe. Shkrimtari, historiani dhe juristi gjerman Felix Dahn, duke iu drejtuar Bertha von Suttner, shkroi: «Aty ku luftojnë burrat, gruaja duhet të heshtë».

Bertha von Suttner nuk heshti. Ajo u angazhua kundër luftës, kundër antisemitizmit, për Europën e bashkuar dhe për barazi gjinore.

Në moshën 30-vjeçare Bertha von Suttner nisi të punojë si kujdestare e vajzave të një baroni austriak në Vjenë. Dhe u dashurua në djalin e baronit. Ata mbajtën një lidhje të fshehtë. Kur u zbulua lidhja, familja e baronit u kujdes që Bertha von Suttner të largohet nga Vjena. Gruaja e baronit ia gjeti asaj një vend pune në Paris – si sekretare e Alfred Nobelit. Pasi Alfred Nobeli u kthye në Suedi, Bertha von Suttner u shpërngul në Vjenë, te i dashuri i saj (i biri i baronit), i cili ishte 7 vjet më i ri. Kundër vullnetit të familjes së baronit Bertha von Suttner u martua me Arthur von Suttner. Dhe çifti i ri shkoi në Kaukaz për të jetuar. Pas disa viteve u kthye në Austri dhe familja e baronit e pranoi lidhjen e birit të tyre me shkrimtaren Bertha von Suttner.