Kulturë

Çmimet letrare në Shqipëri me 31 finalistë, pa asnjë shkrimtar nga Kosova

Dhjetë ditë para ceremonisë së ndarjes së “Çmimeve Kombëtare të Letërsisë” për vitin 2019, propozimet e paraqitura paralajmërojnë një garë sprovuese mes emrash të spikatur në letrat shqipe. Prej 700 prurjeve fillestare që kanë kaluar filtrin e përzgjedhjes, 31 shkrimtarë, poetë, studiues e përkthyes janë përfshirë në garën për gjashtë çmimet kryesore.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, të enjten ka publikuar emrat e kandidatëve që do të garojnë në kategoritë e romanit, poezisë, tregimit, esesë, letërsisë së përkthyer dhe letërsisë për fëmijë.

“Ndarja e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2019 është afër. Prej muajsh juria po punon mbi krijimtarinë letrare të një viti dhe tashmë kemi pesë finalistë për çdo kategori: Roman, poezi, tregim, ese, letërsi e përkthyer dhe letërsi për fëmijë”, ka shkruar ministrja Margariti në faqen e saj në “Facebook”.

Në të vërtetë, fiks para një jave një juri pesë-anëtarëshe e kryesuar nga poetja Natasha Lako – në përbërje të së cilës janë edhe Sadik Bejko, Lindita Arapi, Emir Nika dhe Thoma Janca – ia ka dorëzuar listën e kandidaturave Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Kështu, kjo juri për kategorinë e romanit ka kandiduar Luan Starovën me romanin “Emigrimi i ngjalave”, Mira Meksin me “Diktatori në kryq”, Ylljet Aliçkën me “Metamorfoza e një kryeqyteti”, Bashkim Shehun me “Triptiku i magjistarëve” dhe Preç Zogajn me “Anjeza nuk u zgjua”.

Kategoria për poezi do të ketë në garë Arian Lekën me “Hartë memece për të mbyturit”, Skënder Buçpapajn me “Imgur”, Aleksandër Çipën me “Deti nuk ka porta”, Denata Ndrecën me “Kohë e mohueme” dhe Alisa Velajn me “Shtjellë reje dhe shtjellë zjarri”. Kategoria e tregimit ka të nominuar Agron Tufën me “Kur këndonin gjelat e tretë”, Ana Koven me “Kambanat e së dielës”, Dhimitër Anagnostin me “Ulliri, pema e dhimbjes”, Romeo Çollakun me “Mikrobus dhe tregime të tjerë” si dhe Majlinda Rama-Nana me “Arzoe”.

Në pesëshen e të nominuarve në kategorinë për ese janë përfshirë Matteo Mandala me “Arbërishtja në rrjedhë të shekujve”, Petrit Palushi “Kukësi në 79 ditë, pranverë 1999”, Ardian Vehbiu “Gjuha e thyer, gjuha që thyen”, Tonin Çobani “Tri ese” si dhe Pirro Prifti me “Kombi shqiptar, univers historik dhe fetar”. Tutje tek emrat e përzgjedhur nga juria për kategorinë letërsi e përkthyer bëjnë pjesë: Llambro Ruci me “Iliada”, Mira Meksi me “100 vjet vetmi”, Romeo Çollaku e Alket Çani me “Jorgos Seferis”, Korab Hoxha “Tetori në vagon” dhe Bujar Hudhri me “Vegjetariania”.

E në kategorinë e fundit, atë të letërsisë për fëmijë, janë kandiduar: Shkëlzen Zalli me “Kartolina e zileve”, Viktor Canosinaj me “Elefantët. Shtamba”, Fatmir Gjestila “Edhe pëllumbat qajnë”, Alma Zenellari “Një libër për yjet” si dhe Ilaz Bobaj “Bota është sa nëna ime”.

Image
31 romansierë, poetë, studiues e përkthyes janë përzgjedhur në listën e ngushtë të kandidatëve për “Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2019”. Nga gjithsej gjashtë kategori, gara më e fortë është vlerësuar ajo e romanit që sfidon emra, si Luan Starova, Mira Meksi, Ylljet Aliçka, Bashkim Shehu e Preç Zogaj. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 20 dhjetor, ndërkohë që Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka thënë se angazhohet “për të ndërtuar një proces transparent dhe me integritet në një kohë jo të lehtë siç është pandemia”

Ndryshe nga vitet e kaluar kur ngjarja organizohej nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, edicioni i sivjetmë është i pari në historinë e vet që do të organizohet nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) si institucioni përgjegjës për librin në Republikën e Shqipërisë.

“Çmimet Kombëtare të Letërsisë janë ngjarja më e rëndësishme e një viti në botën e letrave, përmes së cilës gjykohet krijimtaria e botuar përgjatë një viti kalendarik”, ka thënë drejtoresha e kësaj qendre, Alda Bardhyli.

Në një prononcim për KOHËN, ajo ka treguar se struktura e këtij çmimi nuk funksionon me thirrje, pasi që në garë janë të gjitha veprat e botuara sipas gjinive përkatëse të specifikuara në çmim.

Në edicionet e viteve të kaluara, në bazë të një vendimi të ish-ministres Mirela Kumbaro, çmimet letrare ishin dhënë për veprën më të mirë letrare dhe përkthimin më të ri. Por, pasrendësja e saj, ministrja Elva Margariti, riktheu çmimet në kategori të reja si: roman, tregim, poezi, eseistikë, letërsi për fëmijë dhe të rinj si dhe përkthim.

“Rikthimi i këtyre kategorive është për të mbështetur rritjen e cilësisë dhe motivimin e shkrimit shqip në këto gjini ku kemi pasur një traditë të shkëlqyer”, ka vlerësuar Bardhyli.

Në përzgjedhjen e edicionit të kaluar, për vitin 2018, Sabri Hamiti kishte qenë kandidati i vetëm nga Kosova.

Çmimi Kombëtar i Letërsisë jepet për botime të realizuara në përputhje me Ligjin nr. 9616, i datës 27 shtator 2006 “Për librin në Republikën e Shqipërisë” Kështu në bazë të tij, juria merr në konsideratë librat që janë pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare. Ndërkohë prej kësaj të fundit, QKLL merr të gjithë listën e botimeve kalendarike për t’i vendosur në dispozicion të jurisë së këtij konkursi.

“Rregullorja nuk e përcakton që autori duhet të jetë vetëm nga brenda territorit të Shqipërisë, por libri duhet të jetë i botuar nga një ent botues që ushtron aktivitetin brenda territorit të Shqipërisë”, ka thënë Bardhyli.

Krijimi i një çmimi kombëtar, që do të përfshinte gjithë hapësirën shqiptare është një nga sfidat e QKLL-së që, sipas Bardhylit, “duke bërë bashkë kapacitetet tona do të gjykonte prurjet më të mira të gjuhës sonë”.

“Kur flasim për kulturën e librin shqip ai nuk mund të shihet i ndarë, por si një i tërë”, ka thënë ajo teksa ka njoftuar se një nga planet është që pas dy vjetësh Poeti Laureat të përzgjidhet tok me Kosovën.

Por e njëjta gjë është edhe në Kosovë: më 4 dhjetor MKRS-ja shpalli konkursin për Çmimet Kombëtare Letrare për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, dhe për Çmimet e tjera për Letërsi për vitin 2020. Rregulloret e këtyre çmimeve – njësoj si edhe ai për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” – kufizojnë që kandidatët të jenë vetëm shtetas të Republikës së Kosovës.

Ndryshe në edicionin paraprak për “Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2018”, i cili qe mbajtur sivjet për shkak se termeti i vitit të kaluar diktoi shtyrjen e ceremonisë, libri “Gurët e vetmisë” i Enkel Demit (alias Tom Kuka) ishte shpallur fitues në kategorinë e romanit. Sipas vendimit të jurisë së kryesuar nga Alda Bardhyli – dhe në përbërje të së cilës ishin Brikena Çabej, Dhurata Shehri, Visar Zhiti dhe Riza Braholli – Ismail Kadare me romanin “Kur sunduesit grinden” kishte marrë çmimin fitues në kategorinë për ese, Mimoza Hafizi me “Pika trëndafil” ishte shpallur fituese në kategorinë e letërsisë për fëmijë, Havzi Nela me “Vepra poetike e plotë” për vëllimin poetik më të mirë, Luan Topçiu për përkthimin më të mirë me veprën e Linda Maria Barosit “Shtëpia me brisqe rroje”, kurse Roland Gjoza me “Për vajzat nga Parisi”, kishte marrë çmimin për tregimin më të mirë.