Kulturë

Kulla e Sylejman Vokshit – shembull i cenimit të monumenteve nga shumëkatëshet

Descriptive Text

Përderisa Ministria e Kulturës heshtte në kohën kur shumëkatëshja në fillimvit ngrihej me shpejtësi afër Kullës së Sylejman Vokshit, Mejtepit Ruzhdije e varrit të Ali Pashë Maxharrit, tash e pranon se në atë zonë në Gjakovë është cenuar trashëgimia kulturore. Rasti konkret është diskutuar të enjten edhe në Kuvendin e Kosovës. Ka qenë vetë institucioni i MKRS-së ai që i hapi rrugë ndërtimit në atë zonë, dhe atë me manipulim dokumentesh

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka pranuar se hapësira përreth Kullës së Sylejman Vokshit, ku gjenden edhe monumente të tjera, është degraduar nga objektet afariste e banesore. Në Kuvendin e Kosovës, të enjten, derisa ka folur për këtë zonë, Dumoshi ka treguar edhe për investimet e Ministrisë së Kulturës në Kullën e Sylejman Vokshit.

Kjo çështje është ngritur në seancën e së enjtes nga deputeti Agon Batusha. Ai ka thënë se nëpërmjet ndërtesave shumëkatëshe është cenuar trashëgimia kulturore e Gjakovës. Konkretisht e Kullës së Sylejman Vokshit dhe e monumenteve përreth.

“Në zonën e mbrojtur brenda 50 metrave janë ngritur banesa private. Aty ishte edhe zonë e luftës, më 1878 është vrarë Mehmet Ali Pashë Maxhari. Përse nuk është shpallur peizazh kulturor. Banesat rrezikojnë trashëgiminë kulturore përreth”, ka thënë ai, derisa ka ngritur pyetje parlamentare për ministren Dumoshi. Sipas Batushës, shkatërrime si këto nuk po ndodhin vetëm në Gjakovë, por edhe në qytete të tjera.

“Plani urbanistik i vitit 2005 është në kundërshtim me Ligjin. Ka qenë në media që IKMM-ja ka lëshuar pëlqim për ndërtimet aty”, ka thënë ai, derisa ka përmendur raportimet e KOHËS.

E ministrja Vlora Dumoshi ka thënë se Kulla e Sylejman Vokshit ka rëndësi shumë të madhe.

“Ka qenë pjesë e projeksionit buxhetor për këtë vit dhe do të jetë edhe vitin tjetër. Punimet përgatitore kanë filluar. Vlera financiare sipas paramasës është 95 mijë euro”, ka thënë ajo. Ka pranuar se degradimi është i pranishëm.

“Jemi shumë koshientë sa u përket degradimeve dhe banesave kolektive në këtë zonë të trashëgimisë kulturore të nivelit qendror. Gjendja në pjesën e monumenteve historike nuk është e mirë. Pajtohem plotësisht me ju. Kujtesa historike e këtij vendi duhet të ruhet dhe restaurohet”, ka thënë ajo. Sipas Dumoshit, as MKRS-ja nuk është e kënaqur me atë që po ndodh në Gjakovë.

“Duhet t’i ruajmë monumentet, pasi nuk mund t’i kthejmë. Ligji duhet të zbatohet, pasi vetë e kemi miratuar”, ka thënë ajo.

Image
Pamja nga dritarja perëndimore e Kullës së Sylejman Vokshit

Gazeta ka raportuar për ndërtimin e shumëkatëshes që ia ka zënë krejt pamjen Kullës nga ana e Çarshisë. Por ndërtimin e objektit që ka shkuar në shtatë kate për katër muaj – e që gjendet midis Kullës dhe lumit Krena, i cili monumentin e ndan nga Çarshia – i kishte ndihmuar edhe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Institucioni i cili udhëhiqet nga Ismet Hajrullahu brenda ditës kishte ndërruar dy anëtarë të komisionit që përcaktonte zonën e mbrojtur përreth Kullës dhe po atë ditë kishte nxjerrë dy rekomandime me përmbajtje të ndryshme e numër të njëjtë protokolli. Ky manipulim, për të cilin “Koha Ditore” kishte raportuar në shkurt të këtij viti, kishte shërbyer që Komuna e Gjakovës ta jepte lejen për ndërtesën e dytë midis Kullës dhe lumit. Ndërtesa e re gjendet nja 10 metra larg Mejtepit Ruzhdije e nja 30 metra larg Kullës së Sylejman Vokshit në Gjakovë. Në anën veriore të shumëkatëshes është varri i Ali Pashë Maxharrit. Të gjitha janë asete të trashëgimisë kulturore.

“Ndërtimi i parë ka ndodhur para se unë të jem kryetar. Ndërtimi i dytë është bërë pasi Ministria na ka detyruar ta japim atë leje. Me përcaktimin e zonës së mbrojtur nuk ka mundësi të dhënies së lejeve të tjera”, kishte thënë kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini. Kishte treguar se sivjet do të nisë restaurimi i Kullës. Ministria e Kulturës kishte heshtur përballë shumëkatëshes së re, ndërtimi i së cilës ishte mundësuar nga institucioni i saj vartës, IKMM-ja.

E sa i përket restaurimit të Kullës, ajo që sipas tenderit është quajtur “Faza I – Kulla e Sylejman Vokshit, Gjakovë”, shtetit do t’i kushtojë 32 mijë e 930 euro. Me këtë ndërhyrje synohet që të ndërpritet degradimi i mëtejmë i monumentit të shekullit XVIII në qytetin jugperëndimor. Kësisoj, do të nisë puna për t’i dhënë epilog pritjes prej dy dekadave për restaurim.

Sipas dosjes së tenderit që Ministria e Kulturës e kishte hapur qysh në tetor, punëkryes do të jetë “Albi Company” nga Rahoveci. Aty sqarohet se kishin konkurruar 13 kompani për ta kryer këtë punë. Rregullimi i pjesëve të dëmtuara të mureve, ndërrimi i dyerve e dritareve, lyerja e mureve të brendshme e suvasë dhe ndërrimi i kulmit, janë disa prej punëve kryesore që do të bëhen brenda 120 ditëve, sa përcaktohet me kontratë.

Por shkaku i kushteve meteorologjike, ndërrimi i kulmit mbetet në pikëpyetje.

Aktualisht pamja e jashtme e Kullës tregon se monumenti është në rrezik. Pos kësaj, rrezikon edhe njërin prej pronarëve që banon në ndërtesë e edhe ata që jetojnë në objektin që është i ngjitur për monumenti. Ministria e Kulturës për sivjet kishte paraparë 50 mijë euro për këtë projekt kapital. Në rishikim të buxhetit shuma ishte zbritur për 50 për qind. E sipas Projektligjit për buxhetin e vitit që vjen, prapë janë paraparë 50 mijë euro.