Kulturë

Ngjyrat e protestës në veprat e artistes tajlandeze

Descriptive Text

Bankok, 9 dhjetor (Reuters) – Zëvendësimi i portreteve artistike të revolucionarëve francezë me mace e zogj të vizatuar mund të mos jetë kundërthënës në shumë vende, por është një subjekt potencialisht prekës për monarkinë e Tajlandës.

Për artisten 40-vjeçare, Yuree Kensaku, mjedisi politik është një faktor modelues për veprën e saj teksa protestuesit kërkojnë reforma në monarki krahas ndryshimeve të tjera.

“Njerëzit kanë filluar të zgjohen politikisht”, ka thënë Yuree, veprat e fundit të së cilës janë paraqitur në “Bangkok Art Biennale”.

Arti i saj tokëzon prapavijën tajlandeze me përvojën e saj si artiste rezidente në La Rochelle, Francë, ku ajo ishte frymëzuar nga veprat historike që portretizonin kohët e revolucionit.

Bisedat për revolucionin janë të ndjeshme në Tajlandë, ku monarkistët akuzojnë protestuesit se po kërkojnë të rrëzojnë monarkinë me thirrjet e tyre për reforma për të kufizuar pushtetin e tyre – një akuzë të cilën drejtuesit e protestave e hedhin poshtë. Protestuesit kërkojnë ta largojnë kryeministrin Prayuth Chan-ocha, një lider i dikurshëm i juntës, dhe kërkojnë një Kushtetutë të re.

Yuree, e cila është gjysmë-tajlandeze dhe gjysmë-japoneze, por ka lindur dhe është rritur në Bangkok, ka thënë se kontekstet perëndimore dhe ato tajlandeze janë të ndryshme dhe se ajo nuk ka për synim të japë mesazhe për mbretërinë përmes veprave të saj.

“Ne duhet të mësojmë nga e kaluara për të kuptuar të tashmen, por nuk po them se duhet të shkojmë domosdoshmërisht në këtë mënyrë”, ka thënë ajo. “Nuk mendoj se vendi ynë do të arrijë në pikën e shfuqizimit, por reformat janë të mundura”.

Figura qendrore e një prej veprave artistike që mban kokën e një pule i bën jehonë pikturës së Eugene Delacroizit “Liberty Leading the People”, me një grua përfaqësuese të lirisë që mban flamurin trengjyrësh, në përkujtim të Revolucionit të korrikut të 1830-s.

Titulli “Blue, Blanc, Rouge” vë përballë flamujt francezë dhe tajlandezë, që përdorin të njëjtat ngjyra të kaltra, të bardha e të kuqe për të përfaqësuar gjëra të ndryshme: lirinë, barazinë dhe vëllazërinë për Francën. Në Tajlandë, ngjyrat e njëjta qëndrojnë për monarkinë, fenë dhe kombin.

Vepra tjetër e shfaqur nga Yuree në bienale është skulptura e quajtur “Broken Victoria”, e modeluar sipas Viktorisë me krahë të Samothrakës që ndodhet në Louvre.

Vepra, me kokën e një mace me flokë të blertë dhe krahë të thyer, është rikrijuar si një tjetër flamurmbajtës revolucionar. Fjongo e bardhë e lidhur përreth gjymtyrëve të saj i referohet simbolit të protestave tajlandeze, thotë Yuree.

“Me qëllim të arritjes së fitores duhet të luftoni për të dhe kjo nuk do të jetë e lehtë”, ka thënë ajo. “Mund të mavijosesh dhe goditesh”.

Yuree ka thënë se simbolizmi i çrregullt në punën e saj, me kuptimin shpesh të ngërthyer brenda veprës, e ka bërë të mundur të shfaqet para publikut pa rrezikun e ngatërresave me autoritetet në vendin ku fyerja ndaj monarkisë mund të çojë në një burgim 15-vjeçar.

“Natyra e veprës sime është thuajse vetëcensuruese, për shkak se po e fsheh të vërtetën prapa saj. Është më pak e rrezikshme sesa artistët e tjerë këtu”, ka thënë ajo.

Përktheu: Salih Mehmeti