Kulturë

Përvoja e Elbenita Kajtazit – shkollë për zbërthimin e roleve operistike

Sopranoja nga Kosova, Elbenita Kajtazi – e cila karrierën po e zhvillon në Gjermani – ka bashkëndarë për të interesuarit përvojën e saj në zbërthimin e roleve. Teksa është zhytur në operën “Manon” të Jules Massenetit, ajo ka bërë edhe një video-leksion ku shpërfaq informacione e përvoja nga studimi për rolet që do t’i interpretojë

Për të gjithë artdashësit ajo është shprehja kuptimplote e sharmit dhe vitalitetit të muzikës parisiene në periudhën e shumënjohur “Belle Époque”. E performuar për të parën herë më 19 janar 1884, “Manon” e kompozitorit frëng, Jules Massenet, është opera e pavdekshme që nga atëherë nuk shqitet nga repertorët e skenave botërore.

Ka ditë që sopranoja shqiptare, Elbenita Kajtazi, është zhytur në studimin e operës së Massenetit meqë do t’i interpretojë rolet e Manonit dhe atë të Poussettes.

Por kësaj radhe studimin e dy roleve, ajo po e bën në një mënyrë krejt ndryshe: përvojën e saj ka vendosur ta bashkëndajë përmes video-leksioneve të qasshme për të gjithë.

Të shtunën, Kajtazi ka afishuar të parën video në “YouTube” ku studentëve të rinj nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia iu mësohet “alkimia” për të përkapur e interpretuar rolet sfiduese të operës së mirënjohur.

“Nuk është aspak e lehtë kur je duke i studiuar dy role brenda operës, sepse është goxha konfuze”, ka treguar Kajtazi në videon afro pesëdhjetë minuta. Ndërsa mbante në dorë një ekzemplar të operës së Massenetit, ajo kishte vënë brenda faqeve të saj ngjyra të ndryshme për t’i dalluar më lehtë pjesët Poussettes dhe të Manonit. Të parin do ta interpretojë në janar në "Staatsoper" të Hamburgut, e po aty, në sezonin e ardhshëm, edhe atë të Manonit.

Për sopranon nga Mitrovica, që tash jeton në Gjermani, përvoja me videon e parë është fare normale. Në një prononcim për KOHËN, ajo ka treguar për idenë e serisë së videove me të cilën synon t’i ofrojë informacione studentëve të interesuar.

“Në Kosovë mungon një gjë e tillë dhe ka fare pak informacione për operën në përgjithësi si formë arti”, ka thënë Kajtazi. “Ka mungesë edhe të përkthimeve të operave në gjuhën shqipe sidomos për ata që studiojnë solo-këndimin”.

“Opera në gjuhën shqipe” është emri i kanalit në “YouTube”, që do të mbushet edhe me video të tjera instruktive për të interesuarit. Pas të parës video për operën “Manon”, Kajtazi mendon të ofrojë shpjegime edhe për operat për fëmijë.

“Ky është vetëm fillimi dhe, besoj, që do ta perfeksionoj edhe më shumë mënyrën e videove për të përfshirë fotografi, nota e materiale”, ka thënë ajo.

Sipas saj, ngacmimi për të filluar një seri videosh kishte lindur për faktin se në internet ka materiale të shumta pa funksione edukative. Ndërsa ka paralajmëruar që në të ardhmen e afërt në projekt të përfshihen edhe artisë të tjerë shqiptarë, sopranoja e njohur beson se videot do të jenë në shërbim të atyre që janë të interesuar për interpretim të operave.

“Meqenëse te ne janë shumë të pranishme materialet aspak të preferueshme për edukimin e fëmijëve, unë po e vendosi një pikë uji në oqeanin e madh dhe ndoshta ky kontribut do të ketë sukses”, ka vlerësuar Kajtazi.

Ndryshe, paraqitja e paradokohshme e Kajtazit në “Opéra National de Bordeaux” – ku ajo kishte interpretuar rolin e Violetës në shfaqjen operistike “La Traviata” – ishte përcjellë me vlerësime të larta nga kritika franceze.

Sipas zinës virtuale franceze “Forum Opéra”, sopranoja nga Kosova ishte zbulimi i vërtetë për publikun artdashës francez.

Në komentin e saj për operën “La Traviata”, kritiku Jean-Claude Meymer kishte vlerësuar se regjistrat vokalë të Kajtazit bashkoheshin në një këngë përplot pastërti, bukuri dhe rini.

Roli i Kajtazit, sipas tij, ishte ai i një gruaje të hajthme, por që është afshërisht e dashuruar.

“Kjo dobësi fizike gjendet në secilin intonacion të saj. Timbri magjepsës, lartësitë goditëse, ajri i madh dhe notat e fundme përbëjnë një moment të rrallë”, thuhej në artikull. “Aktrimi dhe zëri i kësaj këngëtare të madhe ngjallin emocione të mëdha. Ne zbuluam një Violetë të madhe”.

Sipas faqes zyrtare të operës së qytetit Bordeaux, që përmbledh shkurtimisht profilin artistik të Kajtazit, ajo vlerësohet si një nga sopranot që po pushton skenat e mëdha operistike në Evropë.

“Sopranoja Elbenita Kajtazi, nga Mitrovica e Kosovës, tashmë ka performuar në sallat më të mëdha operistike në Evropë”, shkruan faqja e operës së Bourdeauxit teksa përkujtohet se në mars të vitit 2018 ajo kishte fituar Çmimin e Audiencës dhe Çmimin e Tretë në Glyndebourne Opera Cup.

“Në vetëm katër vjet, Elbenita Kajtazi është rritur nga anëtarja më e re e Deutsche Oper Berlin Young Artist dhe e Aalto-Musiktheater në Essen, në Operën Shtetërore të Hamburgut, me angazhime në rolet kryesore”.

Kajtazi është vlerësuar me interpretimet e saj dhe është fituese e disa çmimeve, si “Artistja e vitit” në vitin 2008 në “Classical Brit Awards” e këngëtarja më e mirë në vitin 2017 në “International Opera Awards”.

Në fillim të këtij viti, sopranoja nga Kosova ka pasur një paraqitje të suksesshme gjatë premierës së “Falstaffit” të Verdit në “Staatsoper Hamburg”. Të tilla kishin qenë edhe kritikat për të në rolin e Nannettës. Interpretimi i saj ishte cilësuar si diçka në mes sopranos spanjolle, Montserrat Caballé, dhe asaj austriako-ruse, Anna Yuryevna Netrebko.