Kulturë

Kori fuqizon zërin e thirrjes kundër dhunës ndaj grave

Se mision i artit janë edhe thirrjet kundër dukurive negative, Kori i Filarmonisë së Kosovës e ka dëshmuar të dielën, tek i është bashkuar fushatës “Orange the World”, në koncertin për të cilin ka bashkëpunuar me “UN Women”. Një përzgjedhje mjeshtërore e veprave botërore e shqiptare ka ardhur në frymën e mesazhit kundër dhunës ndaj grave

Prishtinë, 6 dhjetor – Turneu i Korit të Filarmonisë së Kosovës nëpër disa qytete të Kosovës e më pas edhe në Shkup, ka marrë epilog të dielën në Prishtinë. Por koncerti i së dielës mbrëma është “ngjyrosur” edhe me mesazhe kundër dhunës ndaj grave. Kjo është marrë vesh qysh kur një pjesë e anëtarëve të Korit kanë dalë në skenë, varur në dorën e majtë maskat ngjyrë portokalli me mesazhin: “Orange the World”. Është imazhi i fushatës së sivjetshme të “UN Women” kundër dhunës ndaj grave. E programi i Korit në koncertin e mbajtur në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve ka nisur me “Ain’t no grave can hold my body down” (Asnjë varr nuk mund ta mbaj trupin tim) e aranzhuar nga Paul Caldwell dhe Sean Ivory. Vepra i është kushtuar kantautores nga Virginia, Claude Ely. Kjo këngë e cila i shkon fort për shtat konceptit të koncertit për të cilin Filarmonia e Kosovës ka bashkëpunuar me “UN Women”, bën pjesë në muzikën kishtare, në atë që njihet si “American Gospel”.

Me Andi Durakun në piano e Astrit Stafain në kitarë, kënga që është interpretuar nga gratë e Korit ka zbërthyer fuqinë e grave nëpërmjet muzikës. Të gjitha kanë bartur qaforet me gurë ngjyrë portokalli. E muzika është një prej formave më të veçanta për të dërguar mesazhe. Kjo tregohet edhe nëpërmjet tekstit, që bën të ditur se kur dëgjohet trumbeta njeriu mund të çohet prej varri.

Koncerti ka vazhduar me tri këngët popullore të kompozuara nga Thoma Simaku, “Moj e bukura more”, “Qenke veshur me të bardha” dhe “Trëndelinë”. Ky triptik i ka hapur rrugë “Unclouded day” me kompozim të Jasiah Kelley Alwood e aranzhim të Shawn Kirchner. E Kori i është kthyer muzikës shqipe me “Hajde dalim kah pazari” të Lorenc Antonit dhe “Xhike Loke” të Rafet Rudit. Për dallim prej grave të Korit, burrat i kanë pasur shamitë e xhaketave në ngjyrë të portokalltë.

Në repertor ka qenë edhe “Rivers of light” e Eriks Esenvaldsit, nën interpretimin e kontratenorit Safet Berisha e baritonit Shaban Behrami. Dyshja bashkë me anëtarët e tjerë të Korit kanë interpretuar para një publiku në numër më të vogël sesa zakonisht shkaku i masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Koncerti, po ashtu, ka pasur tjetër orar. Është mbajtur prej orës 16:00.

Performanca e Korit është mbyllur me disa vepra të kompozuara nga Jake Runestad si “Alleluia”, “Nyon, Nyon” dhe “The Secret of the Sea”. Kjo e fundit për kor, perkusione dhe kuintet harkor duke i dhënë ritëm e ngjyra shprese krejt performancës. Shpresë, pasi trendi i dhunës ndaj grave është në rritje e sipër, sidomos gjatë pandemisë. Kësisoj, edhe sivjet Filarmonia e Kosovës koncertin e fillimdhjetorit ia dedikoi thirrjes kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Mbrëmjen e 8 dhjetorit të vitit të kaluar, Orkestra e Filarmonisë së Kosovës i ishte bashkuar fushatës me interpretimin e “Requiem” të Mozartit nën dirigjimin e Rafet Rudit, i cili shënoi 70-vjetorin e lindjes. Solistë ishin tenori Liridon Sadriu dhe Diellza Sylejmani (alt), si dhe sopranoja franceze Amelia de Broissia dhe Lars Fosser nga Danimarka (bas). Iu dedikua grave që vdiqën dhe u përballën në heshtje me vuajtjen, pasi u torturuan dhe u dhunuan në luftën e fundit në Kosovë.

Për koncertin e së dielës Filarmonia ka paralajmëruar se do të transmetohet edhe online dhe në bashkëpunim me “UN Women” do sjellin një surprizë në kuadër të fushatës gjashtëmbëdhjetëditore kundër dhunës ndaj grave.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se pas koncerteve në Prizren, Pejë, Gjilan e Shkup, Kori ka përmbyllur turneun e nisur në tetor nëpërmjet një koncerti që bashkon muzikën e thirrjet për një jetë më të mirë.

“Sivjet me shumë kënaqësi prapë kemi pranuar bashkëpunimin me ‘UN Woman’. Çdo formë e përkrahjes së punës së tyre është shumë e rëndësishme, pasi dihet se çfarë do të thotë ajo temë aq e ndjeshme”, ka thënë ai. Sipas Jasharit, sensibilizimi i opinionit duhet bërë edhe me koncerte.

“Secili person dhe institucion duhet të reagojë dhe të jetë vigjilent ndaj një dukurie që ka ndodhur gjatë luftës por edhe tash, është shqetësuese pasi posaçërisht gjatë pandemisë organet e rendit kanë raportuar për një rritje të dhunës në familje e dhunës ndaj grave. Ne duhet t’i bashkohemi luftës kundër fenomeneve të këqija”, ka thënë ai.

Koncertet e sivjetme të Filarmonisë së Kosovës janë përgatitur në kushte të vështira shkaku i hapësirave të vogla e pandemisë. Është punuar në grupe.

Hajrullah Syla, i cili ka dirigjuar koncertin e Korit, ka thënë se mbrëmja e së dielës ishte më e veçantë.

“Programi ka ndryshuar me disa vepra të cilat jo që i dedikohen dhunës ndaj grave, por kanë gjëra të ngjashme. Kishte një emocion më të veçantë”, ka thënë ai.

Pak para koncertit të fundvitit ka thënë se ato sivjet ishin më problematike për shkak të situatës.

“Këngëtarët e Korit jemi mësuar t’i shohim më afër njëri-tjetrit. E tash jemi detyruar të mbajmë distancën, dhe kjo ka ndodhur në njëfarë forme pozitivisht pasi kemi provuar një këndim më ndryshe. Ka pasur problemet e veta, por ka edhe momente kur kemi eksperimentuar”, ka thënë ai.

Koncerti i fundvitit sivjet do të mbahet në Shkup. Pritet të jetë përtej përmasave që publiku kosovar është mësuar t’i shohë. Kjo, për shkak të hapësirës dhe fokusit që do të ketë.

{gallery}