Vepra e Çettës – pasuri e identitetit kulturor e kombëtar
“Muaji i Anton Çettës” ka vijuar aktivitetet të enjten me promovimin e botimit të kompletit 13-vëllimesh, që përfshin vepra të botuara, postume, si dhe dorëshkrime të pabotuara më parë
Ndonëse ishin gati qysh prej pesë vjetësh në Degën e Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës, veprat e plota të profesor Anton Çettës janë botuar vetëm në nëntor të këtij viti. Në mijëra faqe sa kanë të 13-të vëllimet e kompletit janë përfshirë vepra e artikuj prej mesit të viteve ’50, dorëshkrime të tjera të pabotuara, intervista, si dhe materiale fotografike që kronikojnë profilin poliedrik të intelektualit që në vitet ’90 i priu aksionit për pajtimin e gjaqeve. Janë përuruar të enjten, ku ndër të tjera janë cilësuar edhe si dëshmi e identitetit kulturor e pasuri e madhe e trashëgimisë shpirtërore
Prishtinë, 26 nëntor – Mijëra tregime, anekdota, këngë popullore, fjalë të urta e krijime të tjera popullore do t’i shpëtonte nga zhdukja vetëm vullneti e pasioni për t’i mbledhur, ruajtur e studiuar ato. Prej mesit të viteve ’50 e në dekadat në vazhdim, emri i profesorit Anton Çetta do të asocionte me përpjekjen ngulmuese për të mbledhur trashëgiminë e pasur të folklorit shqiptar.
Të enjten, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, është bërë promovimi i kompletit me veprën e plotë të profesor Anton Çettës.
I botuar më 2 nëntor të këtij viti, pikërisht në ditëvdekjen e studiuesit të njohur, kompleti prej 13 vëllimesh përmbledh gjithsejtin e veprave të botuara ndër vite të Çettës, vepra postume, si dhe dorëshkrime të tjera të pabotuara më parë.
Sipari i ceremonisë në hollin e BKK-së, si pjesë e aktiviteteve të “Muajit të Anton Çettës”, është hapur me një interpretim të një kënge për Çettën të interpretuar nga këngëtari Liridon Sadriu.
Në fjalën e saj hyrëse, Arbnora Dushi, udhëheqëse e Degës së Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës (IAP), ka theksuar se prej viteve ’70, Çetta kishte nismuar projektin madhor për mbledhjen, sistemimin, klasifikimin dhe botimin e zhanreve të folklorit në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi.
E gjithë kjo punë në IAP ishte kurorëzuar me botimin e 28 blejve (vëllimeve) për folklorin shqiptar.
“Me botimin e këtyre materialeve u vunë bazat e folkloristikës shqiptare në Kosovë, gjë për të cilën i jemi mirënjohës përjetësisht profesorit Anton Çetta”, ka vlerësuar Dushi.
Drejtori i IAP-it, Hysen Matoshi, e ka cilësuar botimin e kompletit të veprave të profesor Çettës si një arritje të rëndësishme për publikimin e trashëgimisë albanologjike në një format dinjitoz.
“Kompleti prej 13 vëllimeve përmban dimensione të ndryshme të veprimtarisë shkencore, profesionale, artistike, intelektuale e humane, por edhe mendimin e të tjerëve për të”, ka thënë Matoshi.
Studiuesja Leontina Gega-Musa, e cila kishte punuar në hartimin e këtij kompleti – ka thënë se Anton Çetta ishte intelektuali që la gjurmë të pashlyeshme në studimet shqiptare.
Sipas saj, projekti i botimit të veprave të plota paraqet vlerësimin më të mirë për kontributin e gjerë të profesor Anton Çettës.
“Ky komplet përbëhet nga materialet e shumta të krijimtarisë gojore, të cilat ai i mblodhi, botoi e studioi si dëshmi e një pasurie të madhe të trashëgimisë sonë shpirtërore, të cilat u bënë edhe dëshmi e identitetit tonë kulturor e kombëtar”, ka thënë Gega-Musa.
Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka thënë se botimi i veprave të plota dëshmon për angazhimin serioz që profesori i ndjerë kishte pasur në albanologji.
“Të gjithë pajtohemi se për të shënuar aktivitetet dhe rikujtuar figurën e tij është e pamjaftueshme, por ne angazhohemi që të sjellim në vëmendjen tonë një pjesë të kontributit të çmuar të profesorit”, ka thënë ajo.
Ministrja Dumoshi ka folur edhe për hapjen e konkursit të çmimit të sapothemeluar vjetor “Anton Çetta”, i cili do të ndahet për fushën e trashëgimisë kulturore shpirtërore.
“Tashmë është bërë shpallja publike dhe do të mirëpresim propozimet deri më 24 dhjetor”, ka thënë Dumoshi teksa ka shtuar se më 3 janar, në ditëlindjen e Çettës, do të shpallet laureati i parë i këtij çmimi.
Të pranishmëve me një adresim të shkurtër i është drejtuar edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Ndërsa ka vlerësuar angazhimin e ministres Dumoshi për realizimin e botimit të kompletit, ai ka thënë se profesor Çetta është një prej personaliteteve më të mëdha të historisë së re të Kosovës.
“Ai është një personalitet me emrin e të cilit identifikohen epokat”, ka thënë Hoti.
Në emër të familjes Çetta, të pranishmit i ka përshëndetur e bija e tij, Donika Çetta-Junçaj, e cila ka falënderuar angazhimin e Qeverisë së Kosovës për botimin e veprës së plotë.
“Ngjarja sot ka një rol të rëndësishëm, sepse përmes këtyre vëllimeve kthehemi prapa në histori”, ka thënë Çetta-Junçaj.
E financuar nga Ministria e Arsimit në vlerë prej 42 mijë eurosh, vepra ishte gati për botim qysh në vitin 2015 nga Dega e Folklorit pranë Institutit Albanologjik të Prishtinës.
“Kishim dy vjet kohë deri më 2015, kur edhe bëheshin 20 vjet prej kur ishte ndarë profesori nga jeta dhe me këtë rast mendonim se do të mund të botohej dhe promovohej i tërë korpusi i veprës së tij. Në fakt, ashtu edhe punuam. Por këto vëllime, edhe pse të kompletuara, u deshën të presin gjatë dritën e botimit...”, pati thënë në maj Arbnora Dushi, udhëheqëse e Degës së Folklorit në IAP, në kohën kur u hap tenderi për konkretizimin e kompletit që përbëhet nga: “Krijime poetike për fëmijë në prehër të gjyshes - Vjeti gazmuer”, “Nga folklori ynë I – Përralla e gojëdhëna”, “Nga folklori ynë II – Kallëzime dhe përrallëza”, “Nga folklori ynë III – Pleqni dhe tregime etnografike”, “Nga folklori ynë IV”, dy vëllime me “Kërkime folklorike”, “Balada dhe legjenda”, “Këngë kreshnike I”, “Materiale të ndryshme ‘Varia’”, “Të tjerët për veprën e Anton Çettës”, “Anton Çetta dhe aksioni i pajtimit të gjaqeve” dhe “Intervista dhe letërkëmbime”.
Një histori zvarritjesh përbën edhe përpjekja për hapësirën e vendosjes së shtatores së pajtuesit të gjaqeve. E derdhur në bronz qysh në tetor të 2018-s nga skulptori ferizajas, Agon Qosa, pas katër vjet paqartësish, shtatorja e Çettës do të zërë vend përfundimisht në oborrin e Fakultetit të Filologjisë, mbi parkingun nëntokësor që është në ndërtim e sipër. Me 31 vota pro dhe pa asnjë kundërshtim e abstenim, më 10 nëntor, asamblistët e Prishtinës kishin vendosur që shtatorja – e financuar nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale me një shumë prej 60 mijë e 800 eurosh – të vendoset mbi parkun e ri që do të krijohet mbi parkingun nëntokësor që do të finalizohet tek pas 16 muajsh.
I lindur në Gjakovë më 3 janar të vitit 1920, Anton Çetta shkollimin fillor e nisi në Prizren, për ta vazhduar më tej në Tiranë pas shpërnguljes së familjes së tij.
Në këtë qytet e nisi shkollimin e mesëm, të cilin do ta vazhdonte tutje në Liceun e Korçës. Si shumë të rinj shqiptarë, Çetta do të kryente Liceun Klasik në Milano të Italisë.
Më 1941, kur forcat italo-shqiptare kishin hyrë në Kosovë e Maqedoni, gjakovari 21-vjeçar do të ngarkohej me detyrën e përgjegjësit të Postës në Prizren, e cila funksiononte në kuadër të asaj në Tiranë.
Pas një kohe të kaluar si mësimdhënës në Gjimnazin e Prizrenit, Çetta do t’i vazhdonte studimet universitare në romanistikë në Universitetin e Beogradit, ku punoi një kohë si asistent në Degën e Albanologjisë.
Së bashku me Vojislav Dançetoviqin dhe Kadri Halimin përgatiti tri vëllime këngësh popullore të mbledhura në Kosovë. Më pas u kthye në Prishtinë, ku u emërua mësimdhënës i lëndëve, letërsia e vjetër shqiptare, histori e letërsisë dhe gjuhë latine.
Në vitin 1968 kaloi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku udhëhoqi Degën e Folklorit. Shkroi edhe poezi për fëmijë, hartoi tekste shkollore dhe përktheu vepra të ndryshme letrare. Që nga vitet ’50 deri në fillim të viteve ’90 përgatiti për botim një sërë veprash me njësi folklorike nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Për shumë vjet në Kosovë, mbledhja, arkivimi dhe botimi i folklorit u lidhën me emrin e tij.