Kulturë

Kulla e Sylejman Vokshit drejt restaurimit pas pritjes prej dy dekadash

Puna për konservimin dhe restaurimin e Kullës së Sylejman Vokshit pritet të nisë këtë javë. Ajo që sipas tenderit është quajtur “Faza I – Kulla e Sylejman Vokshit, Gjakovë”, shtetit do t’i kushtojë 32 mijë e 930 euro. Me këtë ndërhyrje synohet që të ndërpritet degradimi i mëtejmë i monumentit të shekullit XVIII në qytetin jugperëndimor. Kësisoj do të nisë puna për t’i dhënë epilog pritjes prej dy dekadave për restaurim.

Sipas dosjes së tenderit që Ministria e Kulturës e kishte hapur qysh në tetor, punëkryes do të jetë “Albi Company” nga Rahoveci. Aty sqarohet se kishin konkurruar 13 kompani për ta kryer këtë punë. Rregullimi i pjesëve të dëmtuara të mureve, ndërrimi i dyerve e dritareve, lyerja e mureve të brendshme e suvasë dhe ndërrimi i kulmit, janë disa prej punëve kryesore që do të bëhen brenda 120 ditëve, sa përcaktohet me kontratë.

Por shkaku i kushteve meteorologjike, ndërrimi i kulmit mbetet në pikëpyetje.

Aktualisht pamja e jashtme e Kullës tregon se monumenti është në rrezik. Pos kësaj, rrezikon edhe njërin prej pronarëve që banon në ndërtesë e edhe ata që jetojnë në objektin që është i ngjitur për monumenti. Por imazhi i mjerueshëm i Kullës së shekullit XVIII mund t’u bjerë në sy vetëm atyre që i ofrohen enkas për ta shikuar. KOHA ka raportuar disa herë se monumenti është rrethuar krejtësisht me ndërtesa dhe nuk shihet nga Çarshia e Madhe apo nga ndonjë pjesë tjetër e qytetit. Objekti banesor që kishte nisur të ndërtohej në shkurt të këtij viti numëron shtatë kate, pos bazës. Gjendet rreth 10 metra larg “Mejtepit Ruzhdije”, po ashtu monument i mbrojtur, e nja 30 prej Kullës. E ka izoluar krejtësisht monumentin në raport me Çarshinë.

Naser Kalaveshi, që është rrobaqepës me profesion, është një nga bashkëpronarët i cili jeton në Kullë. Mund ta shfrytëzojë vetëm katin e parë, pasi i dyti paraqet rrezik. Kati i sipërm që dikur i kishte shërbyer Sylejman Vokshit – që njihet si gjenerali i Lidhjes së Prizrenit – për të pritur mysafirët, është në gjendje të rëndë. Pos që s’bëhet fjalë për të jetuar aty, tavani ka rënë në disa hapësira.

Drejtori i kompanisë që do të kryejë punimet, Qazim Bytyqi, ka thënë se së shpejti do të nisë puna. “Jemi në përgatitje për t’ia nisur punës. Puna do të kryhet, pa merak”, ka thënë ai.

E drejtori i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjakovë, Osman Gojani, ka thënë se gjatë kësaj jave do të vendosen skelet.

“Sot e kemi dërguar në Ministri planin e menaxhimit të projektit. Mund të na pengojë shiu apo bora. Por nëse kemi pengesa nga moti mund t’i kryejmë punët që janë brenda; suvaja, dyer e dritare. Pra, nëse ka mot me shi, punojmë brenda”, ka thënë ai.

Ministria e Kulturës për sivjet kishte paraparë 50 mijë euro për këtë projekt kapital. Në rishikim të buxhetit shuma ishte zbritur për 50 për qind. E sipas Projektligjit për buxhetin e vitit që vjen, prapë janë paraparë 50 mijë euro.

Valbona Kalaveshi, e cila është bashkëpronare Kullës dhe banon në objektin ngjitur me monumentin në anën veriore, ka thënë se sipas informatave që kanë, gjatë kësaj periudhe do të punohet në mure dhe në dyer e dritare.

“Kurse kulmi është nevoja më e madhe”, ka thënë Kalaveshi, e cila Kullën e kishte nxjerrë në shitje me arsyetimin se nuk mund ta mirëmbajnë. Ajo ka thënë se do të duhej që shteti t’ua bënte një zgjidhje për banim derisa të restaurohet Kulla.

“Ne nuk mund të qëndrojmë nëpër shtëpi të huaja derisa të përfundojnë punët aty”, ka thënë ajo.

Por, sipas Osman Gojanit, banori i vetëm i Kullës mund të qëndrojë në dhomat në të cilat nuk punohet. Kurse familja që jeton në aneksin anash Kullës nuk ka nevojë ta ndërrojë vendbanimin. Bashkëpronarët kanë kërkuar që të rregullohet edhe një pllakat dhe një bust i bronztë i Vokshit, që sipas tyre është vjedhur pas luftës. Po ashtu, Kalaveshi ka kërkuar edhe rregullimin e murit rrethues të oborrit me arsyetimin se është i shkatërruar.

E Gojani ka thënë se do të shohin se çfarë do të mbetet për fazën e dytë të punimeve.

“Do të shohim se çfarë do të mbesë të punohet pas fazës së parë. Në objekte të vjetra gjatë konservimit dalin edhe punë të paparashikuara”, ka thënë ai.

Por pavarësisht restaurimit, Kulla e ka të vështirë të bie në sy siç binte dikur. Në katin e sipërm, aty prej ku Vokshi mund të ketë parë Kullën e Avdullah Pashë Drenit e varrin e Mehmet Ali Pashë Maxharrit, ka ndryshuar gjendja. Nuk mund të shihet Çarshia. Shumëkatëshet e kanë bërë të veten. Midis monumenteve, në shtatorin e vitit 1878, pas një beteje ishte vrarë Mehmet Ali Pasha, që si vartës i Portës së Lartë punonte që Plava e Gucia t’i takonin Malit të Zi.

Image

Më 2014 pronarët e kishin nxjerrë monumentin në shitje. Më 2015, kur Komuna udhëhiqej nga Mimoza Kusari, kishte shpronësuar parcelën e Kullës bashkë me disa të tjera përreth.

Komuna e Gjakovës, e udhëhequr nga kryetari Ardian Gjini, nëpërmjet një vendimi të ri në mars të vitit të kaluar ia kishte dalë që ta zhbënte atë paraprak. Kishte hequr dorë nga parcelat përreth. Ministria e Kulturës asokohe kishte vlerësuar se Komuna e ka vënë Kullën para një “rreziku juridik”, pasi me Planin rregullues urban të vitit 2005 përcaktohej që përreth Kullës të ngriheshin shumëkatëshe. Lënda tash është në gjykatë.

“Shpronësimet, të cilat për mendimin e shumicës së asamblistëve dhe timin kanë qenë të panevojshme, pra të parcelave të tjera e jo të Kullës, janë hequr nga shpronësimi. Kjo lëndë ka shkuar në gjykatë. Lëndën e ka dërguar në gjykatë Komuna, pasi Ministria e ka kthyer si të paligjshëm vendimin e Komunës. Nuk ka autoritet tjetër në Kosovë që i detyron komunat se çka të shpronësohet dhe çka jo”, kishte thënë kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, në fund të majit të këtij viti.

Por ndërtimin e shumëkatëshes së re që sivjet ka shkuar në shtatë kate për katër muaj – e që gjendet midis Kullës dhe lumit Krena, i cili monumentin e ndan nga Çarshia – e kishte ndihmuar edhe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Institucioni i cili udhëhiqet nga Ismet Hajrullahu brenda ditës kishte ndërruar dy anëtarë të komisionit që përcaktonte zonën e mbrojtur përreth Kullës dhe po atë ditë kishte nxjerrë dy rekomandime me përmbajtje të ndryshme e numër të njëjtë protokolli. Ky manipulim, për të cilin “Koha Ditore” kishte raportuar në shkurt të këtij viti, kishte shërbyer që Komuna e Gjakovës ta jepte lejen për ndërtesën e dytë midis Kullës dhe lumit.

Problem më vete mbetet edhe funksioni i Kullës pas restaurimit. Nuk dihet për destinimin që do ta ketë. Kulla rrethohet nga monumente të tjera, si “Mejtepi Ruzhdije”, që e ka krejt afër, dhe Shkolla e Parë Shqipe në Gjakovë.

Sipas faqes “Trashëgimia.org”, Kulla ishte marrë nën mbrojtje të përhershme qysh nga ish-pushteti më 1980. Sipas përshkrimit që i bëhet asaj, Kulla gjendet në vendin e quajtur “Mejtepi Ruzhdije”, në hyrje të Çarshisë së Vjetër në Gjakovë. Objekti është ndërtuar në fillim të shekullit XVIII dhe ka rëndësi të madhe historike, sepse aty u lind heroi kombëtar Sylejman Vokshi, i cili ishte njëri ndër themeluesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

“Objekti ka vlera arkitektonike, është ndërtuar me tulla të pjekura, gurë natyralë, dru, llaç gëlqereje, kurse mbulesa është me qeramidhe tradicionale. Objekti është në dy etazhe, i drejtuar në perëndim-jug, me dritare katërkëndëshe. Bodrumi gjendet mbi tokë dhe ka shërbyer për ruajtjen e ushqimit. Objekti ka pësuar disa transformime të vogla, sidomos në enterier dhe në dyer e dritare”, shkruhet në këtë faqe.