Kulturë

“Everybody...” shpërblehet në “BFM” si projekt që kap frymën ballkanike

Descriptive Text

“Everybody calls Redjo”, nën regji të Ibër Dearit, ani pse vetëm në letër akoma, del të jetë një projekt premtues që kap frymën ballkanike. Ky është vlerësimi që ia ka dhënë juria e “Pitch Balkan”, ngjarja kryesore e “Balkan Film Market”. Projekti i ri i Dearit është në mesin e tre projekteve të shpërblyera në këtë kategori.

“Duke lënë pas dhe duke shikuar përtej”, është motoja e këtij viti e “Balkan Film Market”. Edicioni i katërt, që nisi në Tiranë të enjten dhe përfundon sot, për shkak të situatës së krijuar me virusin COVID-19 mbahet në format hibrid, me aktivitete online por edhe në formë fizike. Online ishte edhe “Pitch Balkan”, që prezantoi nëntë projekte nga rajoni. Në mesin e tyre ishte projekti “2000: A post war Odyssey”, nën regji të Zgjim Terziqit nga Kosova dhe “Everybody calls Redjo” nën regji të Ibër Dearit nga Maqedonia e Veriut. Ky i fundit ka marrë çmimin “Pitch Balkan Discovery Award”. Në këtë kategori, çmimin kryesor “Best Pitch” e ka marrë filmi “Planet 7693” nën regji të Gojko Berkuljan nga Mali i Zi. E çmimi “BFM 2020 Equality Award” i është ndarë filmit “3 kilograms of happiness”, nën regji të Sofia Zornitca nga Bullgaria.

“Balkan Film Market” është një ngjarje e rëndësishme që bën bashkë profesionistë të Evropës dhe Ballkanit nga të gjitha segmentet e industrisë audiovizuale.

Sipas njoftimit të “Balkan Film Market”, në vendet e rajonit ka potencial të pashfrytëzuar, histori të pasura dhe talente, e qëllimi i kësaj platforme është nxitja e bashkëpunimeve dhe shkëmbimi i projekteve premtuese. Për përzgjedhjen e sivjetshme është thënë se vjen si derë e hapur e një rruge të gjatë për t’i ndihmuar filmbërësit drejt përfundimit të projekteve të tyre.

Filmi i shqiptarit Ibër Deari shpalos gjashtë rrëfime të ndryshme nëpërmjet perspektivës së Redjos. Ai është punëtori i fundit në fshatin Slupkovo, që ende punon për 10 euro në ditë. Fshati është duke shënuar rritje të madhe të emigrimit dhe Redjo bashkë me djalin e tij Nick dhe gruan Hira bëjnë çdo lloj pune që fshatarët kanë nevojë. Një ditë Redjo takohet me njeriun më të rrezikshëm të fshatit, Miftarin, dhe këtë herë problemet e tij ndikojnë edhe te jeta e Redjos. Deari do të debutojë si regjisor i filmave të gjatë me këtë projekt.

“Çmimi është për një projekt premtues që kap frymën ballkanike përmes një personazhi i cili ëndërron për një botë më të mirë, por hyn në një situatë ku nuk shihet fundi”, është shkruar në arsyetimin e jurisë.

Sipas regjisorit Ibër Deari, pjesëmarrja në “Balkan Film Market” është lajm shumë i mirë, pasi që u ndihmon më shumë në prezantimin e filmit para producentëve të tjerë dhe krijimin e lidhjeve me distributorë, bashkëproducentë e filmbërës të tjerë.

“Projekti filmik me metrazh të gjate, ‘Everybody calls Eedjo”, është shpërblyer me çmimin ‘Pitch Balkan Discovery Award’. Faleminderit shumë jurisë për vlerësimin e projektit tim. Është hera e dytë që marr pjesë në ‘Balkan Film Market” dhe jam shumë i lumtur për eksperiencën që kam fituar në ‘BFM’, duke filluar nga zhvillimi skenarit ‘Pitch Balkan’ dhe lidhja me shumë producentë dhe artistë të tjerë”, ka thënë regjisori.

Në anën tjetër, filmi debutues i metrazhit të gjatë të Zgjim Terziqit, “2000: A post war Odyssey”, shpalos historinë e Lisit, të një djali 10-vjeçar, të cilit i ka vdekur babai. I shtyrë nga shoqëria që ta përmbushë rolin e tij në shoqëri, ai i bashkohet një cirku të vogël francez. Gjatë rrugëtimit të tij ai mëson shumë për veten dhe francezët, naivitetin dhe injorancën e tyre për traumat e luftës.

“Balkan Film Market” këtë vit organizohet me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Shqipëri.