Kulturë

Zhvendosen jashtëligjshëm 12 eksponate, Ministria paralajmëron masa

Gjetjet nga lokaliteti arkeologjik i Ulpianës, që i kishte në dispozicion para luftës së fundit, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ia ka dorëzuar Institutit të Studimeve Sociale e Humanistike të Fakultetit Filozofik, pa i përfillur fare ligjin e rregulloret në fuqi. Ani pse precizohet qartë se në çfarë mënyre dhe kush e jep miratimin për zhvendosje artefaktesh, IKMM-ja insiston se s’ka shkelur ligj. Ndryshe e konstatojnë Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Ministria e Kulturës. Kjo e fundit ka paralajmëruar masa për këtë rast

Se në çfarë mënyre bëhet zhvendosja e artefakteve, legjislacioni e rregulloret në fuqi e përcaktojnë qartë. Por për Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ato nuk bëjnë punë.

Dymbëdhjetë eksponate ky institucion ia ka dorëzuar Institutit të Studimeve Sociale e Humanistike të Fakultetit Filozofik. Një gjë e tillë është bërë pa e përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore ashtu sikurse edhe rregulloret. Janë eksponate të lokalitetit arkeologjik të Ulpianës të cilat kanë qëndruar në IKMM qysh nga periudha e para luftës së fundit në Kosovë.

Përderisa sipas zyrtarëve të IKMM-së nuk bëhet fjalë për shkelje ligjore, ndryshe konstatojnë Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Ministria e Kulturës. Kjo e fundit ka paralajmëruar masa për një veprim të tillë.

Njoftimi për dorëzim është bërë nga profesori Arsim Sinani, drejtor i Institutit të Studimeve Sociale e Humanistike. Këtë e ka bërë të mërkurën në Facebook.

“Me kërkesë të drejtorit të Institutit të Studimeve Sociale e Humanistike të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Arsim Sinani, nga drejtori i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, IKMM, Ismet Hajrullahu dhe specialisti Avni Manaj me protokollet e duhura ndërinstitucionale u dorëzuan 12 eksponate nga gjetjet e Parkut arkeologjik të Ulpianës për nevojat e Fakultetit Filozofik”, ka shkruar Sinani në Facebook. Pasi KOHA e ka kontaktuar Sinanin paraditen e së enjtes, postimi në Facebook është fshirë. Ai fillimisht ka thënë se është në Tetovë, por ekipi i KOHËS e ka takuar atë në ambientet e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Nuk ka dashur të flasë me arsyetimin se për këtë çështje deklarohet drejtori i IKMM-së, Ismet Hajrullahu. Me të njëjtin arsyetim për KOHËN nuk ka folur as dekani i Fakultetit Filozofik, Dashamir Bërxulli. Që të dy kanë thënë se gjatë nëntorit me këto eksponate do të hapet një ekspozitë në ambientet e Fakultetit Filozofik.

Por Ligji për trashëgimi kulturore përcakton procedurat për lëvizje të artefakteve.

“Shkëmbimi i objekteve në koleksionet publike mund të bëhet vetëm brenda muzeve publike në Kosovë dhe me miratimin e ministrit”, përcaktohet në nenin 9 të këtij ligji. Në këtë formë, proceset e tilla përcaktohen edhe nga rregulloret e nxjerra nga Ministria e Kulturës.

E institucioni më i lartë kulturor në vend nuk ka qenë fare i njoftuar për këtë dorëzimin e artefakteve nga IKMM-ja. Këtë e ka konfirmuar drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS, Vjollca Aliu.

“Është e përcaktuar me ligj dhe akte të tjera se si bëhet lëvizja e artefakteve dhe eksponateve brenda dhe jashtë vendit. Gjithsesi që kërkon miratim paraprak. Andaj flasim për shkelje të dispozitave të caktuara të Ligjit për trashëgimi kulturore”, ka thënë ajo. Aliu ka paralajmëruar edhe masa për ata që nuk e kanë përfillur ligjin.

”Jemi në pritje të raportit. Sigurisht kjo nuk do të kalojë pa marrje të masave sipas ligjeve në fuqi. Por duhet të presim raportin e IKMM-së se përse ka ndodhur kjo pikërisht në këto momente”, ka thënë ajo.

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve është përgjegjës edhe për dhënien e pëlqimeve për ndërhyrje në trashëgiminë kulturore arkitekturore në të gjithë Kosovën. KOHA ka raportuar disa herë për shkeljet e këtij institucioni. Ato janë evidentuar edhe nga Ministria e Kulturës. Aliu ka thënë se duhet pasur më shumë përgjegjësi sa i përket veprimtarisë së IKMM-së.

“Në këtë kuadër ka edhe shkelje të tjera të cilat ndodhin. Konsideroj që delegimi i kompetencave është esencial dhe i njëjti duhet të përcillet me shumë përgjegjësi”, ka thënë ajo.

Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, ka thënë se në bazë të Ligjit për trashëgimi kulturore dhe rregulloreve në fuqi, IAK-ja është institucion përgjegjës për artefakte arkeologjike.

“Këtë duhet ta dijë secili. Do të bisedojmë me MKRS-në dhe Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore. Për procese të tilla duhet të bëhet një miratim nga një grup ekspertësh. Institucioni duhet të marrë po ashtu pëlqim nga Ministria e Kulturës, konkretisht në këtë rast nga ministrja”, ka thënë ai. Sipas tij, nuk janë respektuar procedurat.

“E them këtë pa dashur ta akuzoj askënd, pasi akuzat do të vijnë më vonë pasi ta shikojmë se si ka ardhur deri te kjo ndërmarrje”, ka thënë ai.

Por veprimet që ka ndërmarrë, drejtori i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Ismet Hajrullahu, ka thënë se janë në rregull.

Ai ka sqaruar se IKMM-ja në kuadër të gjetjeve arkeologjike që janë në atë institucion tash e 30 vjet ka një vit që është duke punuar për sistemim. Sipas tij, Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina” i janë dhënë disa artefakte për ekspozitën, që do të shërbejë për promovimin e këtyre gjetjeve, gjë që institucionet e kanë obligim.

“Nuk e di që kam shkelur ndonjë procedurë. Ne nuk i kemi nxjerrë jashtë vendit. Universiteti i Prishtinës është i Kosovës”, ka thënë Hajrullahu.

Sa u përket artefakteve që janë bartur nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Fakulteti Filozofik ka paralajmëruar se do t’i ekspozojë gjatë këtij muaji.

Por në këtë Fakultet ka edhe eksponate të tjera arkeologjike, të cilat me disa shkresa Instituti Arkeologjik i Kosovës i ka kërkuar që t’i dorëzohen pasi ligjërisht i takojnë këtij institucioni.

E për IKMM-në, shkeljet nuk janë të pazakonshme.

Në janar të këtij viti, gazeta kishte raportuar se IKMM-ja kishte manipuluar me dokumente për t’i hapur rrugë ndërtimit të një shumëkatësheje afër Kullës së Sylejman Vokshit në Gjakovë. Pas publikimit të dy raporteve të ndryshme me numër të njëjtë protokolli – që dilte të jenë manipuluar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve – Ministria e Kulturës nuk kishte ndërmarrë kurrfarë hapi. Në po këtë institucion, skandal u bë videoja ku disa punonjës, në qershorin e 2019-s duke e bartur nga kati i dytë në përdhese, e bëjnë copë e grimë pitosin antik. Më pas njoftuan se ia kanë bashkuar copat, por edhe kjo u bë pa leje.