Kulturë

Shtatorja e Çettës bëhet me lokacion pas mospajtimeve katërvjeçare

Janë dashur katër vjet që të marrë epilog zyrtar vendimi për hapësirën ku do të vendoset shtatorja e pajtuesit të gjaqeve dhe mbledhësit të folklorit, Anton Çetta. Të martën, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka vendosur që shtatorja e Çettës të vihet në oborrin e Fakultetit të Filologjisë, mbi parkingun nëntokësor që është në ndërtim e sipër. Por praktikisht vendosja nuk do të bëhet të paktën edhe 16 muaj.

Me 31 vota pro, pa asnjë kundërshtim apo abstenim, asamblistët kanë vendosur që shtatorja e derdhur në bronz në tetor të vitit 2018 – e punuar nga skulptori Agon Qosa – ta ketë vendin në qendër të Prishtinës. E financuar nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, shtatorja ka kushtuar 60 mijë e 800 euro.

Paraprakisht me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti ka shpallur muajin nëntor si “Muaji i Anton Çettës”, duke miratuar edhe programin e aktiviteteve përkujtimore.

Të martën, gjatë seancës së Kuvendit Komunal të Prishtinës, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, në cilësinë e asamblistes ka thënë se ky vit shënon 100-vjetorin e lindjes dhe 25-vjetorin e vdekjes së profesorit Anton Çetta. Po ashtu, ka përmendur se më 2020 shënohet 30-vjetori i pajtimit të gjaqeve. “Me këtë shtatore i bëjmë nder figurës së profesorit Anton Çetta, familjes dhe vetes si bartës të institucioneve”, ka thënë Dumoshi, e cila ka qenë prej asamblistëve që ka kërkuar vazhdimisht caktimin e lokacionit për shtatoren. Para votimit, disa asamblistë kanë propozuar që të merren në shqyrtim edhe disa lokacione të tjera, përfshirë atë para Institutit Albanologjik të Prishtinës, duke iu kthyer një procesi që ka histori tersi. Asamblistët Leotrim Retkoceri dhe Egzon Azemi kanë ngritur pyetje sa i përket lokacionit për të cilin është marrë vendimi.

“Në atë vend tani janë duke u zhvilluar punimet për parking nëntokësor. Pas sa kohësh do të shohim vendosjen e shtatores”, ka thënë Retkoceri. E pos kësaj çështjeje, Egzon Azemi ka propozuar që të rishqyrtohet mundësia e vendosjes së shtatores pranë Institutit Albanologjik të Prishtinës.

“Për shkaqe banale nuk po lejohet vendosja e shtatores te Instituti Albanologjik i Prishtinës. Nuk e di a ka vend ma të bukur e ma domethënës për shtatoret e Fehmi Aganit dhe të Anton Çettës sesa te Fakulteti e te Biblioteka Kombëtare e Kosovës”, ka thënë asamblestja Vala Peshku.

Genc Bashota, drejtor i Drejtorisë për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, ka thënë se problemi i vonimit të vendimit për lokacion nuk ka qenë i Komunës. Sipas tij, Komiteti Organizativ e ka kërkuar këtë lokacion dhe menjëherë është punuar për këtë propozim.

“Është një lokacion shumë reprezentativ dhe përputhet me veprën e Anton Çettës. Si proces, projekti për parking ka filluar para tre vjetësh. Ka dy muaj që kompania ka nisur punën, sipas kontratës janë 18 muaj punë. Me rëndësi është se pjesa mbi parkingun do të jetë park publik”, ka thënë ai. Sipas tij, bëhet fjalë për pronë komunale që nuk ka konteste pronësore. Ka thënë se pas 16 muajsh punimet, sipas kontratës, do të përfundojnë dhe më pas mund të vendoset shtatorja.

Pjesa e parkingut nëntokësor përfshin hapësirën prej 1.4 hektarësh pranë Fakultetit të Filologjisë. Sipas kontratës të nënshkruar me konsorciumin italiano-kosovar “Jaha & Pessina”, brenda 18 muajsh parashihet parkingu dykatësh me 23 mijë metra katrorë, që do të ketë rreth 700 vende për vetura.

Brenda tij është paraparë edhe një galeri e hapur, pastaj amfiteatër, kthina të vogla për shërbime komunale, si dhe 500 metra katrorë hapësirë për veprimtari komerciale. Mbi këtë parking do të vendoset edhe plateja bashkë me hapësirën e gjelbëruar.

Nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, në fillim të këtij muaji pati thënë se vendosja e shtatores së Çettës nuk është e lidhur domosdoshmërisht me përfundimin e punimeve.

“Sapo të kryhen punët e vrazhda të autoparkingut, shtatorja do të mund të vendoset në një nga cepat e pllakës”, pati thënë ai.

Të martën, pas vendimit të Komunës së Prishtinës, ka reaguar edhe vajza e Anton Çettës. Në tekstin e publikuar në “Facebook” me titull “Guri i rëndë peshon në vend të vet", ajo ka shkruar se me vendimin e Kuvendit Komunal u plotësua dëshira e popullit që ruan kujtimin dhe respektin për figurën e tij.

“U përmbush edhe një nismë e drejtuar nga ministrja- zonja, Vlora Dumoshi, krahas shumë aktiviteteve të parapara për këtë muaj. Suksese të gjithëve që kanë qenë të angazhuar në këtë vendim. Krenohemi me ty Tatë!”, ka shkruar Çetta.

Në ditën e tretë të këtij muaji, kur u shënua 25-vjetori i vdekjes së Çettës, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, kishte dalë me një tjetër propozim.

“Si kryetare e Kuvendit do t’i propozoj Kryesisë së institucionit më të lartë përfaqësues e legjislativ që shtatorja e Anton Çettës të vendoset në oborrin e Kuvendit, pra në shtëpinë e përfaqësuesve të popullit, si figurë frymëzimi e pajtimi”, kishte shkruar Osmani në “Facebook”.

Ndërkaq problemet për lokacionin janë një histori më vete.

Në shkurt të 2017-s vendosjen e gurit themeltar për bazamentin e shtatores e kishin penguar mosmarrëveshjet midis Institutit Albanologjik të Prishtinës me Komunën e Prishtinës e Ministrinë e Arsimit. Ministria e Arsimit kishte marrë leje nga Komuna e Prishtinës që shtatorja të ngrihej në oborrin e IAP-it.

Mosarritja e një pajtimi kishte bërë që t’i skadonte afati njëvjeçar pëlqimit për vendosjen e shtatores. Në korrik të vitit të kaluar gazeta kishte raportuar se Instituti Albanologjik i Prishtinës zyrtarisht kishte refuzuar kërkesën që shtatorja e Çettës të vendosej në oborrin e këtij institucioni. Për udhëheqësit e IAP-it oborri nuk ishte vend adekuat për shtatoren e Çettës.

Por këtë muaj epilog i ishte dhënë edhe një tjetër projekti. Më në fund u botua kompleti i veprave të Çettës. I financuar nga Ministria e Arsimit në vlerë prej 42 mijë eurosh, vepra e plotë e Çettës prej 13 vëllimesh ka dalë nga shtypi në fillim të këtij muaji. Ishte gati për botim qysh në vitin 2015 e përgatitur nga Dega e Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës. “Krijime poetike për fëmijë në prehër të gjyshes - Vjeti gazmuer”, “Nga folklori ynë I – Përralla e gojëdhëna”, “Nga folklori ynë II – Kallëzime dhe përrallëza”, “Nga folklori ynë III – Pleqni dhe tregime etnografike”, janë disa prej veprave të kompletit. E në fund të muajit të kaluar janë miratuar aktivitetet e “Muajit të Anton Çettës”. Kështu, përurimi i Kullës së Fazli Buqollit në Raushiq, themelimi i çmimit “Anton Çetta”, si dhe ekspozita, filma dokumentarë e simpoziume shkencore në dy kryeqendrat shqiptare, Prishtinë e Tiranë, janë disa prej aktiviteteve kryesore që do të mbahen gjatë këtij muaji. Aktivitetet mund të pezullohen shkaku i masave që pritet të merren në raport me parandalimin e përhapjes së koronavirusit.