Kulturë

Shtyhet ekspozita “Recetë Kuzhine” e Arianit Beqirit, shkaku i masave ndaj pandemisë

Descriptive Text

Artisti Arianit Beqiri ka konfirmuar se ka shtyrë hapjen e ekspozitës personale “Recetë Kuzhine”, shkaku i masave të Qeverisë kundër COVID-19.

Ekspozita ishte planifikuar të hapej sot nga ora 16:00, megjithatë ajo është shtyrë për të hënën, 09.11.2020, nga ora 16:00, transmeton KOHA.

“Për shkak të masave të fundit nga Qeveria për arsye të parandalimit të shpërndarjes së pandemisë COVID-19, ekspozita shtyhet për të hënën në ora 16:00. Të gjithë ata që do të vijnë sot do të priten nga unë deri në ora 19:00. Mirëpo, ju lutem që të keni kujdes për vetën tuaj”, ka thënë Beqiri.

“Recetë Kuzhine” do të mbahet në Galerinë Qahili.

“Të qënurit amvise sot duket se është sinonimi i një të burgosuroje në kohëra postmoderne. Çdo të thotë të jesh amvise? Asgjë më shumë se një rutinë e ngjashme me dikë që është në burg. E kufizuar në muret e shtëpisë, me vizita nga familjarët (kur kthehen nga puna a shkolla), ushqimin me orar, nëse ke fat e ke oborr, kur është koha me diell edhe mund të dalësh pak aty. Në mbrëmje gardiani i fikë dritat. Nesër, orari i zgjimit është i ditur nga zilja që bie. Jo rrallëherë gjërat duket se në shtëpi lëvizin “vetë”. Nëse në mëngjes e hapim stufën e shohim bosh, në mbrëmje “vetëvetiu” ajo është me darkë. A kur një çorapë e kemi në dhomë e tjetrën në korridor, kur të kthehemi, duket se ato kanë lëvizur “vetë” për në makinën e larjes. Vetë nuk ka lëvizur asgjë tjetër në shtëpi përveç nënës. Ajo ka qenë vetëm. Është ende vetëm", thuhet në konceptin e kësaj ekspozite.