Kulturë

Krijimtaria e Alije Vokshit – në fokus të publikut ndërkombëtar

Krijimtaria e Alije Vokshit – në fokus të publikut ndërkombëtar
Detaj nga piktura “Dy fytyrat” e Alije Vokshit, botuar në revistën “Frieze” bashkë me një prezantim që ia ka bërë artisti Petrit Halilaj

Petrit Halilaj kohëve të fundit ka qenë duke hulumtuar punën e piktores së njohur Alije Vokshi. Ishte në bisedime me familjarët e saj që të realizonin ekspozitën e parë të Vokshit jashtë vendit. Në kohën kur analizonte dhe vështronte punët e shqiptares së parë nga Kosova e diplomuar në pikturë, i erdhi ftesa nga revista e njohur britanike “Frieze” për të nominuar një vepër ose një artist që është i rëndësishëm për të. Nuk ngurroi. Personazhin e kishte të zgjedhur me të pranuar ftesën. Revistës ia dërgoi një shkrim për jetën dhe krijimtarinë e piktores Alije Vokshi, që konsiderohet pioniere e arteve të bukura në Kosovë. Bashkëngjitur e nisi edhe pikturën e saj “Dy fytyrat” (vaj në pëlhurë, 2005–07). U botuan në numrin e tetorit të kësaj reviste themeluar më 1991 në Londër, e që del tetë herë në vit.

Artisti Halilaj bashkë me gjashtë artistë të tjerë shpalosën veprat ose artistët e tyre të preferuar. Ato u bënë pjesë e serisë së tretë të seksionit të veçantë të revistës “Artists’ Artists”. Revista përmes shkrimeve brenda saj shikon artin e realizuar në të shkuarën me një këndvështrim të së sotmes. Botimi i sivjetmë është lansuar online, ndërsa herëve të kaluara revista ishte shtypur.