Kulturë

“Përse njeriu me ua spjegue muzikën të shurdhëvet?”

Dhjetë citate nga romani “Kthimi i Filip Llatinoviqit” të shkrimtarit të madh kroat Mirosllav Kërlezha. Botimi është i Rilindjes, viti 1965, përkthyer në shqip nga Sulejman Drini.

Pas 23 vitesh Filip Llatinoviqi kthehet në qytetin e lindjes. Ai është piktor dhe ballafaqohet me shumë mendime për artin e tij dhe me shumë trazime për karakterin e tij. Me shumë përvoja dhe shumë njohuri mbi botën moderne, ai kthehet në Kroaci pas Luftës së Parë Botërore, ku duket se koha është ndalur. Ndonëse Perandoria Austro-Hungareze është shembur, fryma e saj është ende këtu, Europa ende është në Ballkan, së paku në Kroaci. Llatinoviqi gjurmon botën rreth tij dhe kështu depërton gjithnjë e më thellë në origjinën e vet. Ai synon të njohë veten dhe të atin e tij. Njërën enigmë ia sqaron e ëma, tjetrën e dashura. E frikësuar se mund të humb të birin, e ëma ia zbulon sekretin e atësisë tek në atë çast kur e dashura e Llatinoviqit vritet. Tani Filip Llatinoviqi i ka të qarta të gjitha dhe është më i vetmuar se kurrë.

1.

“Përse njeriu me ua spjegue muzikën të shurdhëvet? Nuk ka kuptim me ua spjegue barbarëve ekzaltimet orfejane, e çka janë në të vërtetë ekzaltimet orfejane! Ajo gja sublime, e thellë, në çdo pikëpamje problematike, e panjoftun, e mësheftë, mbinatyrore, ma imediate në ne, ajo dritë e qelqtë e asaj lodre të fundit ende t’argjentë që na ka mbetë si gëzim e ngushëllim i fundit në kët baltë, marri e madhe!”

2.

“Qe tetëmbëdhetë milion vjetë që ecim me kambë të mbrapme, e ende jemi katërkambësh kryesisht të gjithë! E ç’do me thanë, të dijsh me lexue e me shkrue, kur tashma shkruejmë sigurisht ma gjatë se pesëdhetë mijë vjetë, e në çdo njëqind vjetë lind nga nji njeri, i cili din vërtet me shkrue kurse ate kurrkush nuk e lexon”.

3.

“Njerzit janë shtazë të nxehta, kokëforta, egoiste! Njerzit përgjithsisht jetojnë n’erën e avullimit të tyne të veçantë, e ndërsa kënaqen në qelbësinën e tyne, gjithçka asht e kalbun prej t’afërmit, u qelbet”.

4.

“Në të vërtetë të gjitha këto janë pllakza lodrash të fëmijve, religjionesh, marrina këshndellash, idilesh, që fusin kultin e rrenës së rrumbullakët, e mbrapa të gjithëve përgjon malli: blini margarin, çokollatë, portokaj, vanile, cohë, goma! Njerzit kanë çpikë sexhade, qilime, parkete, gypa me ujë të nxemë, dyer qelqi, peshq t’artë, kaktuse dhe vitrina të tana librash nepër banesat e veta, të cilat s’i lexon kush. Njerzit kanë grumbullue nën pullazet e tyne majolika kineze, akuarela, mësalla Damasku, çarapa mëndafshi, gëzofna e gurë të çmueshëm. Njerzit i ngjyjnë thojt si orientalët perversë, lahen në banja mermeri, udhtojnë në karroca të nxeme, pijnë likere t’idhta lukthi, por nuk kanë ide cok se ç’asht realiteti jetsor e si duhej me jetue?”

5.

“Na ushtojmë për përjetimet e shënueme të hueja me jehun e kujtimevet tona personale!”

6.

“Ishte tue zbradhë drita, kur Filipi mbërrijti në stacionin e kaptolit. Vërtet njizet e tre vjet nuk kishte qenë në kët anë, por dinte gjithnji çdo gja se si ishte: edhe pullazet e kalëbta të përjargta, edhe molla e kullës së fretënvet, edhe shtëpija njikatshe e murme e rrahun nga era në fund të varreshtit t’errët të drujvet, koka e Meduzës prej gjipsi mbi derë të randë lisi të lajlueme, edhe dorza e ftohtë e derës”.

7.

“Vetë hajnat vlojnë nëpër botë, si krymbat në mishin e krymbtë: dyshim i madh dhe mosbesim në të gjitha anët, por edhe asht mirë ashtu, sepse njeriu asht i lindun si hajn!”

8.

“Në jetën tonë çdo gja asht rregullue ashtu që çastet ma të çmueshme na duken vërtet fare të pakuptimta”.

9.

“Njeriu asht shtazë në vetminë e vet individuale, krejt e mjerë, në natyrë mund të thuhej, gadi e deplasueme! Tashma tue jetue për nji kohë bukur të gjatë në grigjë, njeriu për njeriun asht njeri, me fjalë tjera, ma i egër se çdo bishë tjetër!”

10.

“Unë besoj në pastërtinë e njohjes artistike, si edhe në pastërtinë e vetme, që na ka mbete në këtë bestialitet rreth nesh! A më kuptuet? Edhe unë nuk lejoj të më fyejnë, a më kuptuet?”