Kulturë

Rreziku nga “teoritë cinike”

Ditët e errëta franceze: feministet radikale, islamistët dhe Republika që rrezikon të shembet. Dhe një libër për “teoritë cinike” që po rrezikojnë mendimin liberal sidomos në SHBA. Detaje nga debatet në faqet e kulturës të gazetave gjermane.

Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan në numrin e sotëm se Franca po përballet me dy fenomene agresive: radikalizmin e “feministeve luftarake” dhe radikalizmin islamist.

Alice Coffin, deputete e gjelbër në Paris dhe gazetare, kërkon që “burrat të eliminohen”. Ajo u bën thirrje krejt grave të bëhen lezbejka. Pauline Harmange, shkrimtare e re, ka shkruar bestsellerin “I urrej burrat”. Ajo e ka shpikur fjalën “Misandrie” (urrejtje e sëmurë e grave kundër burrave). Sipas “Frankfurter Allgemeine Zeitung” gati çdo ditë në faqet e debateve botohen artikuj ku nënvizohet domosdoshmëria për të urryer burrat.

Paralelisht me këtë, vera franceze filloi me debate lidhur me myslimanët. Një familje boshnjake u dëbua pasi ia qethi flokët vajzës, e cila kishte filluar një lidhje me një serb. Në fillim të shtatorit presidenti francez Emmanuel Macron tha se duhet luftuar separatizmat në shoqëri (ai mendoi islamin radikal). Eksperti i çështjeve të terrorizmit Gilles Kepel e akuzoi Macronin se synonte “ballkanizimin” e republikës. Ndërkohë një mësuesi të historisë i është hequr koka nga një islamist. Sulme të tjera (si ai ne Nicë) kanë shqetësuar shoqërinë. Qindra turq, të armatosur me çekanë e shufra, i janë vërsulur armenëve në Lyon.

Kamel Daoud, autor algjerian që shkruan në gjuhën frënge, e ka përshkruar Francën si arenë të një “revolucioni antikulturor”: “Pse është aq atraktive që t’i shpallet luftë Francës? Sepse nuk bëhet fjalë për Danimarkën, Spanjën apo Shqipërinë. Në sytë e kundërshtarëve të saj ky vend ka një status të lartë simbolik”. Daoud paralajmëron një “luftë kulturash”, që mund të nisë në Francë.

Ndaj provokimeve të feministeve reagoi Aram Mardi­ros­si­an, profesor i drejtësisë në Sorbonne. Ai tha se kundërshton “martesën për të gjithë”, siç është lejuar në Francë. Mardi­ros­si­an e krahasoi formulimin “martesa për të gjithë” me “Newspeak-un” e George Orwellit te romani “1984”. Mardi­ros­si­an tha edhe këtë: “Një burrë që është burrë dëshiron të martojë një grua dhe ta bëjë nënë të një fëmije, baba i të cilit është ai. Së shpejti do të shfaqet dikush dhe do të thotë: Unë e dua pelën time, është diskriminuese që nuk më lejohet ta martoj”. Drejtësia po heton, ndërsa policia e mendimit tashmë e ka dënuar Mardi­ros­si­an, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Po në numrin e së hënës gazeta tjetër gjermane “Süddeutsche Zeitung” prezanton librin “Cynical Theories” (teoritë cinike) të publicistes Helen Pluckrose dhe të matematikanit James Lindsay, të cilët ankohen se teoritë e reja mbi pakicat, feminizmi radikal dhe gender-ideologjia me fundamentalizmin e tyre po rrezikojnë mendimin e lirë. Bëhet fjalë, sipas “Süddeutsche Zeitung”, për teoritë mbi gjininë dhe “gender”, mbi pakicat seksuale, racizmin, invalidët dhe truptrashët.

Në hapësirën anglishtfolëse të gjitha këto tema përmblidhen me nocionin “Critical Theory” (teoria kritike) ose “Social Justice”, një program i drejtësisë sociale. Bazë e kësaj teorie është “skepticizmi radikal”, i cili ka depërtuar në botë si diskurs përmes trajtës së poststrukturalizmit, pra veprave të Michel Foucault, Jacques Derrida dhe protagonistëve të tjerë. Thelbi i ligjëratës së tyre është ky: nuk ka të vërteta, por vetëm shprehje (demonstrim) të pushtetit. 20 vjet pas paraqitjes së parë në qarqe të vogla akademike, kjo doktrinë ra në duart e aktivistëve amerikanë, të cilët hap pas hapi dhe, duke vendosur në fokus pakica të reja, e shndërruan në program gjithëpërfshirës për radikalizimin e të drejtave të njeriut. Që nga atëherë të shprehurit lirshëm i nënshtrohet “rregullave dhe ndalesave” sa i përket sjelljes ndaj pakicave etnike, seksuale apo të tjera. Më e rëndësishme është se kush thotë diçka dhe jo çka thotë. Më të rëndësishme janë gjinia, origjina, nacionaliteti apo feja se sa ajo çfarë thotë një person.

Helen Pluckrose dhe James Lindsay nuk janë të panjohur, madje mund të konsiderohen edhe provokatorë për demaskimin e policisë së mendimit. Në tetor të vitit 2018 ata, bashkë me filozofin Peter Boghossian, inskenuan një mashtrim. Me pseudonime ata dërguan 20 punime në disa revista akademike të afërta me lëvizjen “Social Justice”. Punimet ishin të formuluara me zhargonin e kësaj lëvizjeje dhe trajtonin shpikje të dyshimta: në një artikull u tha se në bazë të hulumtimeve empirike me 10 mijë qenë, është konstatuar se në mesin e këtyre kafshëve ekziston një “kulturë përdhunimi”. Kjo kulturë, sipas punimit të rrejshëm, mund të ndryshohet përmes dresurës – dhe kjo mund të jetë model edhe për sjellje ndaj burrave. Në një punim tjetër u krijua një korrelacion mes penisit (hiper-maskulinizmit) dhe ndryshimeve klimatike. Gati gjysma e këtyre punimeve pseudoshkencore u pranuan për botim apo u botuan. Rrjedhojë e këtij aksioni satirik tani është libri “Cynical Theories” (teoritë cinike). Autorët ankohen kundër kulturës së mosbesimit dhe kolportazhit, kulturë kjo që po shtrihet gjithnjë e më shumë në universitete, shkruan “Süddeutsche Zeitung”.