Kulturë

Këngëtar dhe kompozitor mbarëkombëtar

Këngëtar dhe kompozitor mbarëkombëtar
Avni e Nina Mula, në operën “Berberi i Seviljes” më 1958 në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë

Këngëtari dhe kompozitori ynë i mirënjohur, Avni Mula, është një nga këngëtarët gjithsesi më të afirmuar jo vetëm i brezit të tij me paraqitjet, para së gjithash, prej tenori ndërkombëtarisht të njohur, por edhe prej kompozitori në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, ashtu si dhe në një mori vendesh ballkanike, evropiane, aziatike e më gjerë.

I lindur në qytetin artdashës e arsimdashës të Gjakovës më 1928 në një familje po kështu të etshme për arsimim, si shumë familje të këtij qyteti që ka dhënë në të kaluarën dhe në të tanishmen shumë njerëz të pushkës e të penës, edhe prindërit e Avniut në fillim të viteve ‘30 të shekullit të kaluar, me qëllim të arsimimit të fëmijëve në gjuhën amtare kalojnë në Shkodrën historike e famëmadhe personalitetesh historike të arsimit, kulturës, shkencës dhe të artit, pra edhe të këtij muzikor, ashtu sikundër hiç më pak edhe të pushkës. Në këtë mjedis u edukua dhe e kreu filloren dhe gjimnazin, për t’u kyçur, më pas, po këtu, për disa vite (1945-47) si mësues.