Alberto Sordi; 200 filma në gjysmë shekulli !!!

Alberto Sordi; 200 filma në gjysmë shekulli !!!

27 February 2017 09:45

Thuajse 200 filma për gjysmë shekulli…! Alberto Sordi i cili ndërroi jetë më 25 shkurt të vitit 2003, ka qenë ndoshta aktori, tek i cili, më shumë se tek kushdo tjetër, kanë gjetur veten italianët e thjeshtë.

U lind në Romë më 15 qershor 1920 dhe para fillimit të luftës zëri i tij bas, kumbonte në veshët e publikut italian që ndiqte filmat me Oliver Hardin, të dubluar nga ai. Talenti i tij komik filloi të shfaqej në emisionin radiofonik “Vi parla Alberto Sordi”, nga i cili dolën personazhe të tillë, si Mario Pio. Pas një “stazhi” të dendur në filma të dorës së dytë, takimi me kolosin italian të regjisë, Federiko Felini, në fillim të viteve ’50, i hapi dyert e kinemasë së vërtetë.

Nga filmi “Lo Sceicco bianco” (1952), tek “Vitelloni” (1953) ai filloi të krijonte një fizionomi, nga e cila nuk do të çlirohej veçse në raste të rralla. Dhe pikërisht ai do të shfaqej si italiani provincial, në dukje sentimental, por cinik në thelb, individualist dhe oportunist, shpesh herë hileqar, por edhe i aftë për vepra që kërkojnë kurajo të madhe.

“Për vdekjen mendoj, si të gjithë, por pa dhimbje. E di që një ditë do të ndahem nga kjo botë, megjithatë vazhdoj të jetoj me të njëjtin entuziazëm , si të isha i ri. Jeta është një dhuratë shumë e çmuar, për ta jetuar,” thoshte shpesh Sordi, i cili nuk u martua kurrë.

Të parët që mbërritën për t’i dhënë lamtumirën Sordit, ishin banorët e thjeshtë të Romës së tij të dashur. Sapo morën vesh lajmin qytetarë iu drejtuan shtëpisë së tij. Thuajse të gjithë mbanin në duar buqeta me lule, të cilat pushtuan kangjellat e vilës. Për bashkëkombasit e tij jashtë vendit të tij , Alberto Sordi ishte simboli i madh i Italisë dhe veçanërisht i asaj që emigronte, së cilës diti t’ia këndonte hallet, dhimbjet dhe sakrificat.

Dhjetëra mijëra italianë më 26 shkurt , u grumbulluan për t’i dhënë lamtumirën legjendës së filmave komikë italianë. Simpatizantë, të vjetër dhe të rinj, të famshëm dhe jo, pritën me orë të tëra në sheshin e projektuar nga Mikelanxhelo para Bashkisë së kryeqytetit italian, Romë, për të bërë homazhe para arkivolit të hapur, me trupin e Alberto Sordit.

Një ekran, ku luheshin filma të Sordit, ishte vendosur në shesh për pritjet e gjata të atyre që donin të bënin homazhe. Ceremonia mortore u zhvillua në katedralen e Romës, ku sipas medias italiane, morën pjesë afro 800 000 vetë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme