Kulturë

“Mik-miku” me aventura rikthen në “Dodonë” gjallërinë e fëmijëve

Stafi i “Dodonës” ka marrë përgjegjësi shtesë. Në hyrje të teatrit, njëri nga punonjësit, të shtunën por edhe të dielën, ka dalë me një mision të veçantë. Me maskë plastike të vendosur si mburojë për t’i mbrojtur fëmijët e veten nga virusi COVID-19, ai ua ka matur temperaturën krejt atyre që ia kishin mësyrë sallës. Të gjithëve u dhuronte nga një buzëqeshje për ta bërë sa më mikpritëse këtë përvojë. Ka pasur arsye për këtë.

Fëmijët i janë kthyer Teatrit të Qytetit të Prishtinës pas shtatë muajsh pauzë dhe sebep për këtë ka qenë shfaqja “Mik-mik”, me tekst e regji të Kaltërim Balajt. Kësaj radhe kanë marrë menjëherë biletat dhe nuk u është dashur që të presin në rendin e gjatë para sportelit. Nuk kanë pritur as në hollin e teatrit, pasi që një punonjës tjetër i ka drejtuar menjëherë drejt vendit ku duhet ulur. I njëjti punëtor është kujdesur që publiku të mbajë gjatë gjithë kohës maskën. E gjithë kjo përvojë po del të jetë diçka e re si për stafin ashtu edhe për publikun, që ishte i përgjysmuar për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Vlora Morina-Gashi ka shkuar të dielën në “Dodonë” bashkë me vajzën e saj Lunën (7) dhe me djalin Hugon (5). Pasi që u rehatuan në ulëset e tyre, Morina-Gashi u ka thënë fëmijëve që të kenë kujdes dhe të mos i prekin gjërat përreth. Hugo, që në fytyrë mbante një maskë të bardhë me figura të ndryshme të printuara në pëlhurë, shikonte me vëmendje njerëzit përreth tyre. “Mami, e bebet a nuk mbajnë maska a?”, e pyet të ëmën me kureshtje, se përse ata që ishin me të vegjël se ai nuk mbanin maska. Për shkak të pandemisë, bartja e maskës në të gjitha hapësirat e teatrit është obligative për të gjithë të rriturit dhe fëmijët prej moshës 5-vjeçare. Por, kur perdet ngrihen dhe magjia e “Dodonës” fillon të shfaqet, pak kanë rëndësi maskat në fytyrë dhe distanca.