Kulturë

Shteti zyrtarisht “mbron” gati 50 monumente inekzistente e të tjetërsuara

Descriptive Text

Ishte një nga kullat e shumta dukagjinase me dukje impozante. E ndërtuar dyqind vjet më parë, Kulla e Ibish Alisë, në fshatin Brovinë të Gjakovës, “kujtim” të vetëm sot ka veç informacionet themelore që jepen për të si monumenti me numrin 003495 në Databazën e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës.

Ajo është vetëm një nga shtatë monumentet e trashëgimisë kulturore që, sipas vlerësimit të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjakovë, është rekomanduar të mos figurojë si monument i mbrojtur. Kulla nuk ekziston më. Si kjo kullë, ekzistojnë edhe 16 monumente që janë renditur në kategorinë e aseteve që tashmë nuk ekzistojnë.

Këto të dhëna janë përfshirë në shqyrtimin e propozimeve për ndryshim-plotësim të Regjistrit të Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme të cilin, të dielën, drejtuesit e institucioneve vartëse ia kanë adresuar ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi, shkruan KOHA Ditore.

Kështu, sipas pesë vendimeve të nënshkruara të dielën nga kjo e fundit, regjistri i trashëgimisë kulturore në kategorinë “trashëgimi arkitekturore” ka 930 asete; regjistri i kategorisë “trashëgimi arkeologjike” ka 433 asete; ai për “trashëgimi të luajtshme” 214, për “trashëgimi shpirtërore” 14, po aq sa ka edhe ai për “peizazhe kulturore”.

Gjithsej 26 propozime janë bërë prej grupit punues me 14 anëtarë për përfshirje në kategorinë e trashëgimisë arkitekturale, por vetëm 16 syresh kanë marrë dritën e gjelbër të rekomandimit. Janë përcjellë me arsyetime veç e veç.

Përveç këtyre propozimeve, QRTK-të kanë zëruar edhe kërkesën për nisjen e procesit të largimit të disa aseteve nga regjistri i Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme.

Deri më 10 nëntor të muajit të ardhshëm është afati brenda të cilit grupi punues duhet të dorëzojë raportin e hollësishëm me të dhëna kronologjike për gjendjen e këtyre aseteve...