Kulturë

Taulant Mehmeti merr çmim në SHBA, akordohet për albumin e dytë

Descriptive Text

“Pathways To Jazz”, prej se u themelua gjashtë vjet më parë, e kishte të qartë qëllimin e vet: mbështetjen e jazz-muzikantëve në mënyrë që ky zhanër të lulëzojë edhe në vitet në vazhdim e muzika të mbetet e qasshme për të gjithë. Sivjet, kjo organizatë misionin e vet do ta realizojë duke ndihmuar në përhapjen e tingujve të këtij zhanri edhe nëpërmjet kompozimeve të jazz-kitaristit shqiptar.

Taulant Mehmeti është në mesin e dhjetë muzikantëve, të cilët janë fitues të çmimit të sivjetshëm të “Pathways To Jazz”.

Sipas përshkrimit në faqen zyrtare të organizatës, çmimi shërben si ndihmë për muzikantë të talentuar në realizimin e materialeve muzikore profesionale dhe cilësore, për promovimin e punës, por edhe për distribuim komercial.

Për Mehmetin, ky çmim është një mundësi që ai të vërë në jetë kompozime që i ka realizuar tash e sa vite. Jazz-kitaristi, i cili tash e disa vite bën karrierë në New York, ka thënë se shpërblimin do ta fusë në punë për albumin e tij të dytë.

Këtë vit më shumë se 400 performues kishin synuar që të ishin në mesin e fituesve të çmimit “Pathways To Jazz”. Për të qenë në mesin e përfituesve u është dashur që të dëshmojnë se kanë incizime të fuqishme artistike dhe se çmimi do t’iu ndihmojë që ata të zhvillohen më shumë në aspektin artistik dhe të pasurojnë e të ndikojnë në zhvillimin e mëtejshëm të skenës së jazzit.

Mehmeti përmes kompozimeve të tij autoriale dhe punës disavjeçare e që shpesh herë ishte në qendër të kritikave për inovacionin dhe lojën e shkëlqyer, ia doli që t’i bindte se e meriton një çmim të tillë.