Kulturë

Nami i filigranit të Prizrenit

Descriptive Text

Kur në mozaikun e krenarisë së qytetit të Prizrenit vendosen kubëzat, ajo e filigranit është në mesin e atyre të rëndësisë së veçantë. Është pa diskutim pjesë e identitetit të këtij qyteti të lashtë e multikulturor.

Familja Gjini është një prej atyre qindra sosh që dikur janë marrë me këtë zeje. Nrecë Gjini, tash është 51-vjeçar, ndërsa ka katër dekada përvojë në këtë punë. Dyqani i tij është në zemër të Prizrenit, në Shatërvan. Prej aty, Gjini tregon për gjithë namin nga lidhja në mes të qytetit e argjendit

Periudha e lulëzimit

I ulur në njërën prej kafeneve përballë dyqanit të tij, nën shoqërimin e një espressoje të fortë, ai kthehet prapa në Prizrenin e një kohe tjetër. Në familjen e tij, zejen e nisi babai i Nrecës, Mark Gjini.

“Baba im e ka punu filigranin qysh në rininë e tij, si 15-vjeçar, e unë e kam trashëguar prej tij. Ai e ka mësu te një familje që kanë qenë kojshi nesh, familja e Lazër Krasniqit”, thotë Gjini.

Por shpejt kalon te nami i Prizrenit.

“Në Prizren filigrani është punuar me breza. Zeja e filigranit rrënjët i ka në Prizren, pa marrë parasysh a ka dyqane në Kroaci, në Mal të Zi, apo kudo në ish-Jugosllavi, sepse nga këtu janë shpërnda. Po t’i shikosh të gjithë në Kroaci, rrënjët i kanë në Prizren”, thotë me siguri absolute Gjini, teksa shpreh edhe një brengë.

“Kam parë që në Kroaci po mundohen ta përvetësojnë, ta bëjnë kinse të tyren. Janë ca vathë ilirë, si spirale, që vetëm unë i prodhoj, e aty u shkrun ‘Dubrovniçki’. Modelin e njëjtë e gjen në Zym, në Mirditë. Në Kroaci i prezantojnë si të tyre”, thotë Gjini.

E sipas tij, e vërteta gati është përmbysur.