Kulturë

Artistja e mrekullisë së tetë të botës

“Kukulla është asgjë hiç. Nuk ka emocion. Ti del në skenë dhe e bën atë të flasë, të ecë, të vdesë, të takohet, të largohet e të fluturojë. E kjo është mrekulli dhe magji”

Një ari i vogël, marionetë, ishte kukulla e parë që aktorja Roza Berisha e kishte parë sefte. Ishte 6-vjeçe. Kishte mbetur e habitur se si kukulla arrinte të fliste e lëvizte. Nuk e kishte vënë në dyshim se ajo nuk është reale. Kishte besuar se magjia ishte e mundshme. 46 vjet pas, ajo i bën të tjerët të besojnë në këtë magji. Ka luajtur me kukulla në më shumë se 30 shfaqje. Shpeshherë kishte pasur më shumë se dy role për shkak të mungesës së aktorëve.

“Rosak baltaku”, “Elefanti i vogël kureshtar”, “Minuku lozonjar”, janë disa prej shfaqjeve ku mori pjesë. E ulur midis kukullave, në teatrin e kukullave “Dodona” në Prishtinë, Berisha rrëfen për rrugëtimin e saj në mrekullinë e tetë në botës, shkruan KOHA Ditore.

Shfaqja që nuk harrohet

Shumë njerëz besojnë se numri i 13-të sjell ters. Aktorja Roza Berisha mendon të kundërtën. Beson se ky numër i sjell fat. Një bindje të tillë e ka që nga viti 1986. Ishte e 13-ta me radhë në listë kur u shpallën rezultatet për aktorët që kishin fituar mundësinë që të bëheshin pjesë e Teatrit të Kukullave në Prishtinë. Berisha, e cila vjen nga fshati Kryshec i Pejës, atëherë nuk e kishte menduar se jeta e saj do të lidhej aq fuqishëm me kukullat. Një lajm në televizion për hapjen e konkursit, ku kërkoheshin aktorë të rinj për të luajtur me kukulla, do të pasonte me një varg ngjarjesh që si rezultat do të kishin këtë lidhje.

“O Rozë, çka qenka për ty kjo”, i kishte thënë vëllai i saj. E habitur e kishte pyetur se përse mendonte diçka të tillë. Përgjigjja e tij ishte e thjeshtë. Kishte gjetur lidhshmëri me poezinë “Maçoku dhe zogu” që motra e tij e kishte shkruar së fundi. Në atë kohë Berisha ishte duke studiuar gjuhën frënge ani pse e donte psikologjinë. E kishte lënë pas dore psikologjinë, pasi që në Universitetin e Prishtinës nuk kishte një drejtim të tillë e ajo nuk dëshironte të largohej nga familja.