Kulturë

Muzikanti, shumë instrumente, dëgjuesi dhe dialogu me tinguj

Visar Kuçi në “Një muzikant, një dëgjues”, të hënën, në “Lumbardh” të Prizrenit (Foto: Adi Beqiri)

Festivali ndërkombëtar i muzikës DAM po tregohet eksperimentues me ngjarje përmes të cilave po paralajmëron atë që e ka quajtur “Edicion tektonik”. Duke luajtur me formatin, ka sjellë koncerte unike me atë që e ka titulluar “Një koncert, një dëgjues”. Pas muzikantes Agona Shporta, një përjetim të tillë të veçantë muzikor ka dhënë edhe multiinstrumentisti Visar Kuçi

Fiks në orën 16:00, instrumentisti Visar Kuçi është ulur në karrigen e vendosur në mes të skenës në kinemanë “Lumbardhi” në Prizren. Ka pritur publikun. Për një instrumentist të zotin – që përveç mjeshtërisë së interpretimit në shumë instrumente reflekton edhe një pasion të pashembullt – dallimin midis provave dhe koncertit e bën pikërisht publiku. Me të përpiqet çdoherë të krijojë një lidhje. Pak ka rëndësi zhanri në të cilin e luan: muzikë klasike, jazz apo çfarëdo në mes tyre.

Gjersa Kuçi priste, Premisa Arapi (24-vjeçare) ka hapur me kujdes derën e kinemasë. Më pak se dy metra larg instrumentistit të njohur qëndronte një karrige boshe. Pikërisht aty do të ulej ajo, njëlloj si nëntë personat e tjerë që do të vinin pas saj.

Këtë herë Kuçi, që njihet si një nga violinistët më të dalluar të gjeneratës së re në Kosovë, në publik do të kishte vetëm një person. Tek Arapi zë vend në karrige, të dy e kanë kuptuar se ishin më afër sesa që e kishin menduar. Mirëpo asnjëri nuk zhgënjehet nga pritshmëritë. Kanë thënë se kjo përvojë muzikore ishte e veçantë.

“Kënaqësi sfiduese”, ka qenë komenti i shpejtë i Kuçit, të hënën mbrëma. Ka shtuar se ka dhënë dhjetë minikoncerte, aq sa ishin bërë pjesë e aktivitetit “Një muzikant, një dëgjues” organizuar nga festivali ndërkombëtar i muzikës DAM, si një prelud i edicionit të 15-të që do të hapet sonte. “Një muzikant…”, të dielën nisi me Agona Shportën, në piano e vokal.

Kuçi kishte renditur përballë tij shtatë instrumente: violinën, kitarën elektrike, atë akustike, basin elektrik, xhember, shakers dhe harmonikën. Instrumentet janë lidhur me atë që muzikantët e quajnë “loop”, pajisja që ndër të tjera mundëson regjistrimin e atypëratyshëm dhe krejt performanca shndërrohet në interpretim orkestre. Improvizimi ka qenë kryefjalë e secilës performancë dhe për këtë secili koncert qe një lloj premiere.

“Më pëlqeu shumë pasi që menjëherë mund të vëreja reagimet e vogla kur iu pëlqenin, kur habiteshin ose u vinte diçka e papritur. Zakonisht unë, kur jam në skenë, e shoh dhe e përcjell publikun, mirëpo këtu ishte shumë afër dhe menjëherë e merrje reagimin”, ka thënë Kuçi. Sipas tij, e gjithë ideja e kësaj është që të komunikohet drejtpërdrejt me publikun, me dëgjuesin dhe aty për aty të krijonte diçka të re për të. Multiinstrumentisti të hënën për herë të parë ka luajtur në kaq shumë instrumente brenda një performance.

“Ishte diçka speciale pasi që as unë nuk e kam ditur se çfarë jam duke bërë. Mundesh pak a shumë me u përgatit se cilat instrumente dëshiroj me i përdorë, çfarë teknike, mirëpo kjo ishte shumë speciale. Sidomos pasi që ishte vetëm një njeri dhe ai reaksioni i drejtpërdrejtë ishte shumë më intensiv sesa herëve të tjera”, ka thënë ai. Pak a shumë, sipas tij, ai është munduar që të vështrojë publikun dhe të zgjedhë diçka për të luajtur për ta. Vetëm për njërin prej tyre e ka ditur se çfarë mund t’i pëlqente, pasi që ishte babai i tij, gjuhëtari e muzikanti Sedat Kuçi, ligjërues në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.

“Ka qenë diçka shumë e veçantë dhe jam munduar që për të të bëj diçka që e di se atij i pëlqen, po që ndoshta ai nuk e di që unë e di”, ka thënë ai. Sipas Kuçit, mënyra se si ai kishte reaguar e ka bërë që të kuptojë se i ka pëlqyer interpretimi.

Sipas Sedat Kuçit, i biri i tij muzikën nuk e ka vetëm profesion, por edhe vokacionin shpirtëror. Ka thënë se ai çdo instrument që e luan e bën këtë me përkushtimin më të madh shpirtëror dhe kjo ia lehtëson edhe improvizimet.

“Visarin sot e kam dëgjuar si pjesëmarrës i Festivalit dhe ai ishte si një muzikant, pra jo si djali im. Visari më ofroi sonte një natë të mrekullueshme me performancën që krijoi me shumë instrumente”, ka thënë ai. Ka shtuar se biri i tij e jep çdoherë maksimumin pa marrë parasysh nëse është duke e dëgjuar një person apo ka edhe të tjerë në publik.

Premisa Arapi, e cila ishte dëgjuesja e parë e këtij koncerti, ka thënë se në krahasim me koncertet e tjera që i ka përjetuar ky ishte shumë më ndryshe.

“Fillimisht nuk dita se si ta pranoja atë që po ndodhte dhe më vonë e vura re që nuk kam krijuar një lidhje me performuesin siç kam krijuar sot. Mahnitëse. Shumë më ka pëlqyer”, ka thënë ajo. Ka treguar se për Kuçin kishte dëgjuar edhe më herët dhe e dinte se luante në disa instrumente. Në mendjen e saj kishte menduar se ai do të luante në violinë apo kitarë. Nuk e kishte pritur se performanca e tij do të ishte shumë më e llojllojshme. E gjatë kohës sa Kuçi luante ajo kishte krijuar një lidhje edhe me instrumentet që ai i përzgjidhte.

“Mendova se nëse ideja ka lindur prej kohës kur kemi qenë vetëm në shtëpi duke e parë se çfarë po ndodhte me botën, atëherë secili instrument e ka një kuptim të vetin. Unë për vete isha duke menduar që njëri instrument ishin shokët që nuk kam arritur që t’i shihja ose shoqet, tjetra familja që e kam pasur larg”, ka thënë ajo. Ka treguar se në kokën e saj i kishte dhënë një kuptim që shpërfaqte atë që ka përjetuar gjatë pandemisë.

“Më shumë emocione e përjetova këtë performancë. Edhe kështu po funksionon, nuk ka nevojë të ndalohen të gjitha gjërat”, ka shtuar ajo. Arapi, njëlloj si pjesëmarrësit e tjerë, me të dalë nga salla ka nënshkruar një deklaratë, nëpërmjet së cilës lejon që xhirimi brenda në sallë të përdoret për dokumentar. Një dokumentar që, sipas planeve të organizatorëve të DAM-it, do të jepet pas një muaji.

Drejtori artistik i Festivalit, Dardan Selimaj, ka thënë se për këtë edicion versionin online nuk e kanë parë si diçka adekuate dhe kanë qenë në kërkim të formave më të përshtatshme.

“Nuk është diçka shumë larg nga ajo që kemi bërë më herët. Ka pasur edicione kur ne kemi eksperimentuar me hapësirën, e kësaj radhe është eksperimentim me formën e prezantimit konform rregullave në pandemi”, ka thënë ai.

Selimaj ka treguar se nëpër botë koncerte të tilla ku një muzikant ka luajtur përballë një dëgjuesi kanë ndodhur goxha shumë kohë më parë. Ka treguar se ka kompozitor në botë që ka realizuar vepra për një dëgjues, por që atëherë kompozimet e tilla kishin ardhur si rezultat për të sfiduar skenën konvencionale, ku publiku dhe artisti gjithmonë e kanë pasur njëfarë distance në mes tyre.

“Kompozitorët kanë dashur që ta ngushtonin këtë distancë”, ka thënë ai për këtë format, që festivali ndërkombëtar i muzikës DAM ka përdorur për t’iu përshtatur situatës së pandemisë. Sipas tij, edicioni i sivjetmë i titulluar “Edicion tektonik” është një lloj i përshtatjes me rrethanat dhe nëse lejohet programi mund të jetë lehtësisht i qasshëm edhe nga shumë njerëz. Pandemia i ka shtyrë organizatorët që t’i kthehen me të madhe eksperimentimit. Për herë të parë festivali do të hapet me një dokumentar. Diçka e tillë nuk ishte menduar nga organizatorët, ani pse dokumentari “Julijana” zbërthen se si mexosopranoja e famshme serbe do të vinte në Prishtinë më 1983 për të ligjëruar në Fakultetin e Arteve.

“Nuk mendoj që në rrethana normale do të ndodhte diçka e tillë”, ka thënë Selimaj. Ka treguar se 23 marsi i vitit 2021 do të jetë data e fillimit të edicionit të ardhshëm dhe njëkohësisht fundi i edicionit të sivjetmë. Ka shtuar se edicioni është duke u konceptuar në atë formë që të jetë i realizueshëm edhe nëse ka apo nuk ka më virus.