Kulturë

Raportet e konsujve austro-hungarezë: më shumë dritë në tunelin e historisë

Pas një pune disavjeçare, historianët Oliver Jens Schmitt dhe Eva Anne Frantz kanë botuar në Vjenë raportet e konsujve austro-hungarezë nga Vilajeti i Kosovës dhe nga Kosova e sunduar nga serbët. Raportet përfshijnë periudhën e ndryshimeve dramatike mes viteve 1870-1914, pra nga faza e vonshme e Perandorisë Osmane deri në pushtimin e Kosovës nga Serbia dhe vendosjen e sundimit ushtarak. Këto raporte ofrojnë një pamje të re të historisë së Kosovës, sidomos të përditshmërisë së popullsisë, krizave lokale dhe rajonale, aleancave dhe ngatërresave mes krerëve shqiptarë dhe dhunës si pjesë pothuaj e pandashme e jetës sociale. Përkthimi i këtyre raporteve në gjuhën shqipe do të duhej të ishte prioritet i institucioneve të dijes në Prishtinë. Raportet janë një bazë e rëndësishme për një histori të Kosovës që duhet të shkruhet në të ardhmen, larg miteve dhe sa më afër realitetit

Raportet e konsujve austro-hungarezë nga Kosova nuk kanë qenë të panjohura. Herë pas here historianët shqiptarë kanë cituar ndonjë prej tyre. Por deri më tani këto dokumente të rëndësishme nuk janë botuar në origjinal. Shpeshherë cilësia e përkthimeve sporadike nuk është përtej çdo dyshimi, pastaj edhe përzgjedhja është bërë në kontekstin e ngushtë nacional-historiografik.

Tani, për herë të parë, studiuesit e fushave të ndryshme, sidomos historianët, por edhe të interesuarit e tjerë – prej gazetarëve deri te lexuesit kureshtarë – kanë mundësi t’i shfrytëzojnë si burime 4 vëllime voluminoze me raporte të konsujve austro-hungarezë (parakusht është, natyrisht, njohja e gjuhës gjermane). Është një punë e vyeshme, monumentale, që e kanë bërë prej vitesh historianët Oliver Jens Schmitt dhe Eva Anne Frantz, shkruan KOHA.

Në vëllimin e pestë editorët kanë publikuar një regjistër të përgjithshëm të raporteve me të dhëna për përmbajtjen, një pasqyrë të drejtuesve të konsullatave austro-hungareze në Prizren, Mitrovicë dhe Shkup, shoqëruar me biografitë e konsujve, pastaj një listë me sqarime të nocioneve osmane dhe një listë toponimesh dhe personash. Vëllimi i pestë është si të thuash një lloj makine kërkuese për të naviguar më lehtë nëpër raportet e konsujve.

Në katër vëllimet e botuara nga Shtëpia Botuese e Akademisë Austriake të Shkencave përfshihen raportet e konsujve nga Vilajeti i Prizrenit (1868-1874), Vilajeti i Kosovës (1877-1912) dhe nga muajt e parë të sundimit të Kosovës nga administrata ushtarake serbe. Në qershor 1914, konsulli austriak shkruan raportin e fundit nga Prizreni, më 28 qershor të atij viti ekstremistët serbë vrasin trashëgimtarin e fronit austro-hungarez në Sarajevë dhe një muaj më vonë, me “krizën e korrikut” (Julikrise), fillon Lufta e Parë Botërore: Austro-Hungaria i shpall luftë Serbisë.

Në parathënien e detajuar të botimit të raporteve, profesori Oliver Jens Schmitt nënvizon se ky edicion me mbi 2000 faqe përfshin epokën e të ashtuquajturit imperializëm i lartë, që ndërlidhej me fazën e vonshme të Çështjes Orientale.

Në raporte bëhet fjalë për përpjekjet e pasuksesshme osmane për stabilizimin e rajonit në periferinë veriperëndimore të Perandorisë, për konkurrencën mes serbëve dhe bullgarëve në rajon, reagimin e popullsisë shqiptare me shumicë myslimane për të formuar një identifikim etnonacional, për praninë masive të fuqive evropiane në regjion me konsullata, shkolla dhe përpjekje të tjera për ndikim joformal, shkruan Schmitt.

Gjithashtu raportet përmbajnë hollësi mbi Krizën e Madhe Orientale (1875-1878), përfshirë luftën serbo-malazeze kundër osmanëve më 1876, zbatimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit, Lidhjen e Prizrenit (1878-1881) dhe atë të Pejës (1897), luftën greko-osmane (1897), paraqitjen e komiteteve sekrete maqedono-bullgare që nxitën kryengritjen e Ilindenit më 1903, puçin e xhonturqve më 1908, kryengritjet shqiptare kundër xhonturqve mes viteve 1910-1912, shkatërrimin e Perandorisë Osmane dhe Luftën e Parë Ballkanike më 1912, që pasoi me vendosjen e sundimit serb në Kosovë në prag të Luftës së Parë Botërore.

Raportet e konsujve janë burime kyç për të kuptuar zhvillimet në Vilajetin e Kosovës dhe më gjerë. Shumica e konsujve ishin njohës të shkëlqyer të zhvillimeve në rajon, madje shpesh ata kishin më shumë njohuri se administrata kaotike dhe e paaftë osmane. Konsujt po ashtu flisnin disa gjuhë, disa prej tyre edhe shqip.