Kulturë

Peticion për hapjen e teatrove si zgjidhje për shpëtim nga kolapsi

Mosmbajtja e premtimit për hapjen e teatrove më 1 qershor ka revoltuar komunitetin teatror në vend. Hapja e tyre është vlerësuar se do të shpëtonte skenën teatrore nga kolapsi i plotë.

Me një kërkesë të tillë qendra kulturore “Multimedia” të martën ka nismuar mbledhjen e nënshkrimeve në peticionin që kërkon hapjen e teatrove në vend.

Duke iu adresuar ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe asaj të Kulturës, Vlora Dumoshi, në tekstin e peticionit thuhet se një pjesë e sektorëve dhe fushëveprimtarive në vend janë lejuar të funksionojnë pa udhëzime zyrtare apo plan të hapjes.

“Edhe pse qe paralajmëruar, teatrot nuk u hapën më 1 qershor, dhe për këtë gjë nuk pati asnjë arsyetim dhe asnjë konsultim me komunitetin teatror”, thuhet në peticionin e afishuar në faqen “change.org”.

Me këtë rast “Multimedia” ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Kulturës që të ndërmarrin hapa që do t’u lejonin teatrove të mirëprisnin publikun.

“Hapja e teatrove, me masa të caktuara të sigurisë, do ta shpëtonte skenën teatrore nga kolapsi total në të cilin gjendet aktualisht dhe do të kontribuonte në masë të madhe në jetën sociale në Kosovë, të rënduar nga pandemia”.

Në peticion – i cili deri të martën në mbrëmje u nënshkrua nga 373 persona – është thënë po ashtu se teatrot në Kosovë kanë kapacitete për t’i përfillur të gjitha masat e sigurisë që konsiderohen të domosdoshme për sigurinë e publikut dhe të artistëve.

Sipas nismuesve të peticionit, hapja e teatrove në vend duhet të përvijojë trendin e masave të zbatuara në shumicën e vendeve të Evropës, përfshirë edhe vende fqinje si Maqedonia e Veriut.

“Ju bëjmë me dije se nëse ky peticion i yni injorohet, komuniteti teatror në Kosovë, që ka një numër prej mbi 5 000 artistësh, punëtorëve të skenës e stafit administrativ, do të detyrohet të shohë edhe forma të tjera të protestave”, thuhet në fund të peticionit.

Një kërkesë e tillë është përsëritur gjatë ditës edhe nga Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës. Nëpërmjet një komunikate për media, Ministrisë së Kulturës, asaj të Shëndetësisë dhe institucioneve të tjera relevante i është kërkuar që ATPQK të jetë pjesë e organizmave për shqyrtimin e masave dhe udhëzimeve për punën e teatrove gjatë pandemisë.

“Kërkojmë edhe publikisht nga Ministria e Kulturës, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet e tjera relevante që ATPQK të jetë pjesë e organizmave për shqyrtimin e masave dhe udhëzimeve për punën e teatrove gjatë pandemisë dhe njëherësh njoftojmë publikun që iniciativat e tjera në lidhje me këtë çështje nuk janë bërë në koordinim me ATQK-në”, thuhet në kumtesë.

Një takim dyorësh është mbajtur pasditen e së martës në Ministrinë e Kulturës pas kërkesave të përsëritura të komunitetit teatror. Një grup pune i krijuar nga Ministria ka shqyrtuar edhe kërkesat e njëjta të federatave sportive në vend.

“Çdo kërkesë është parashtruar në këtë takim”, ka thënë për KOHËN ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi.