Kulturë

Mirëkuptimi i Mehmet Ali Pashës për vendosjen e hebrenjve të Evropës në Palestinë, më 1838

Descriptive Text

Mehmet Ali Pasha i Kavalës (1769-1849) është një prej figurave qendrore të shekullit XIX, pasi që me ngritjen e tij në postin e valiut në Egjipt më 1805 dhe konfliktin e tij me sulltanin osman (1831-1832) u krijua një fuqi e re rajonale që nxiti fuqitë e mëdha evropiane (Rusinë, Austro-Hungarinë, Britaninë e Prusinë) të ndërhyjnë ushtarakisht për ta shpëtuar Perandorinë Osmane prej shkatërrimit.

Si pasojë e luftës në det e në tokë gjatë vjeshtës 1840, Mehmet Aliu u detyrua të pranonte ofertën e fuqive të mëdha evropiane me anë të Marrëveshjes së Londrës që ta lëshonte Leventin e të kënaqej me Egjiptin në krye të një dinastie shqiptare.

Reformat dhe fuqizimi i Egjiptit

Ndonëse sundimi i Mehmet Aliut në Levent vazhdoi vetëm nja dhjet vjet (1831-1840), këto vite shënuan një kthesë të madhe për shumë ngjarje në rajon e më gjerë në botë. Mehmet Aliu kishte filluar në Egjipt me reforma ekonomiko-shoqërore dhe ushtarake, me çka Egjipti u shndërrua në një fuqi rajonale saqë shumë lehtë e shkatërroi ushtrinë osmane në disa beteja gjatë viteve 1830-1831, gjë që e nxiti Rusinë cariste (deri atëherë armike e përbetuar e Perandorisë) për të zbarkuar forcat në Stamboll për të shpëtuar Perandorinë, sepse nuk i përgjigjej që në atë rajon të botës të sundonte një fuqi aq vitale në krye me Mehmet Aliun.

Çelësi i këtij zhvillimi të hovshëm ishte politika gjithëpërfshirëse e Mehmet Aliut, e bazuar në bashkëjetesë e tolerancë dhe në zhvillimin e ekonomisë e të ushtrisë me participimin e ekspertëve vendas e të huaj pa marrë parasysh fenë e tyre, me çka u ndërtua një sistem përparimtar dhe një administratë moderne.

Në këtë kontekst, nuk habit fakti se Mehmet Aliu në Egjipt u mbështet në një elitë të përbërë prej elementeve vendase (myslimanë, të krishterë, e hebrenj) dhe të ardhur në Egjipt (shqiptarë, turq, armenë, çerkezë, francezë e të tjerë), të cilët të gjithë trajtoheshin njësoj derisa punonin për një ndërmarrje të madhe në rajon.

Rebelimi kundër sulltanit

Kjo u pa më së miri pas rebelimit të Mehmet Aliut kundër sulltanit, përkatësisht pasi shteti i tij përfshiu Leventin më 1831. Tani në administratën e re në krahinat e Leventit, që përbëjnë tani Palestinën, Libanin, Sirinë e Jordaninë, u pa menjëherë esenca e sistemit të ri, që tashmë funksiononte në Egjipt në krye me Mehmet Aliun.

Kështu, për herë të parë në ato krahina administrata e re e Mehmet Aliut themeloi këshilla bashkiake në qytete kryesore (Jerusalem, Damask, Bejrut e të tjera), kur u përfaqësuan njerëz me përvojë nga të gjitha elementët e shoqërisë (myslimanë, të krishterë e hebrenj) me porosi të qarta për tolerancë ndërfetare.