Kulturë

“Neo School” mundësi për filmbërje dhe nxitje të mendimit kritik

Para dy vjetëve synim i “Kino Armatës” ishte që ta rindezte ekranin brenda sallës që prej viteve ’70 deri më 1998 kishte funksionuar si kinema. Dy vjet pas, misioni i saj çdo ditë e më shumë është zgjeruar.

Menaxhmenti i kinemasë, duke pasur çdo herë në mendje filmin, kulturën dhe komunitetin, është treguar goxha inovativ. Në shtator të vitit të kaluar, krahas programit të përditshëm, organizuan festivalin treditor “Monotone”, që në fokus pati muzikën eksperimentale. Këtë vit i kanë hyrë edhe një sfide të re. Kanë filluar punën për krijimin e themeleve për shkollën joformale njëmujore për prodhimin e filmave të shkurtër dokumentarë.

Alush Gashi, menaxher i “Kino Armata”, ka thënë se me “Neo School” ata fillojnë serinë e projekteve edukative. Nxitja e mendimit kritik është qëllimi kryesor për këtë projekt, një mundësi e hapur për këdo që dëshiron ta sfidojë veten në filmbërje.

Mes 14 shtator - 16 tetor, gjashtë (6) kandidatët e zgjedhur do të kenë mundësi të dëgjojnë ligjërata nga liderë në fushën e filmit dhe hulumtimit mbi aspektet e ndryshme të procesit të filmbërjes së dokumentarëve, prej produksionit, hulumtimit, zhvillimit të skenarit, regjisë, montazhit, audios etj. Të njëjtët, pas punës intensive teorike dhe zhvillimit të idesë për film, do të prodhojnë nga një film të shkurtër dokumentar 3-5-minutësh. Ata do të sfidohen personalisht dhe në grup me operimin e kamerave, montazhin e filmit, post-produksionin dhe aspekte të tjera të procesit të filmbërjes.