Kulturë

Nëna Tereze – jetë dhe porosi për popullin tonë

Në jetën dhe veprën e Gonxhe Bojaxhiut (1910-1928), të Motrës Tereze të Krishtit Fëmijë (1929-1950) dhe të Nënës Tereze – Misionare e Dashurisë (1950-1997), rëndësi të veçantë kanë pasur së pari prindërit e saj, Kolë Bojaxhiu dhe Drane Bernaj- Bojaxhiu, pastaj “shtëpia e dytë” famullia e Zemrës së Krishtit në Shkup, dhe padyshim historia e përgjakshme dhe martire shqiptare, krishterimi ynë dymijëvjeçar, tradita dhe kultura jonë që ka në zemër mikpritjen, bujarinë, solidaritetin, bamirësinë.

Ja vetëm disa dëshmi për Kolë Bojaxhiun: “Im atë ishte tregtar i njohur, biznesmen dhe kontraktues i mirë. Ai ishte pronar, së bashku me një mik të tij, i një firme ndërtimi në Shkup. Pastaj u bë edhe pronar shtëpish të ndryshme, madje edhe vilash, në njërën prej të cilave jetonim edhe ne…Ishte njeri shumë i shoqërueshëm, andaj dera e shtëpisë ishte gjithnjë e hapur për të gjithë… Babai ishte njeri i rreptë, priste shumë prej nesh… Gjithmonë ma përsëriste: ”Mos harro kë e ke babë!”, shkruan KOHA. 

E kujtoj me gëzim bujarinë e babait tim. Ai u jepte para’ dhe gjëra ushqimore të gjithëve, pa u lavdëruar ndonjëherë, apo pa e ditur gati askush këtë… Gjithnjë më thoshte :”Duhet të jesh dorëdhënës me të gjithë, sepse Zoti ka qenë edhe është zemërgjerë me ne, Ai na ka dhënë kaq shumë, çdo gjë; Prandaj, duhet t’u bëjmë mirë të gjithëve…”(Lazër Bojaxhiu).

“Baba Kolë më thoshte :” Bija ime, mos ha as mos prano të hash asgjë pa e ndarë me të tjerët!”; apo :”Egoizmi është sëmundje shpirtërore, që të bën rob dhe nuk të lejon të jetosh apo t’u shërbesh të tjerëve…” (Nëna Tereze).

“Më 28 nëntor 1912, krerët e fiseve të Berishës, Logorecit, Palucajt dhe Naracajt, bashkë me të tjerët, u tubuan për të kremtuar pavarësinë e Shqipërisë. Aty ishte edhe Bajram Curri, Hasan Prishtina, Sabri Qytezi dhe shumë të tjerë… Babai im i ndihmonte patriotët materialisht, bisedonte me ta dhe u jepte këshilla dhe mendime. Ne kishim shumë fotografi të këtyre burrave…” (Lazër Bojaxhiu).

“Ishim familje aq e lumtur, përplot hare, dashuri e fëmijëri të qetë. Edhe pse e ndjekja një shkollë laike, para së gjithash familja ime, dhe më vonë famullia e “Zemrës së Krishtit”, më dhanë një edukim të mirë dhe të shëndoshë…” (Nëna Tereze).