Kulturë

Çfarë na mësojnë kryeveprat e pandemive

Ka katër vjet qëkur kam nisur të shkruaj një roman historik, ngjarja e të cilit zhvillohet në vitin 1901, gjatë kohës që njihet si pandemia e murtajës së tretë, kur kishte shpërthyer murtaja bubonike që ua mori jetën miliona njerëzve në Azi, por jo edhe shumë të tjerëve në Evropë.

Gjatë dy muajve të kaluar, miqtë e familja, botuesit e gazetarët, të cilët e dinë thelbin e romanit “Netët e murtajës”, më janë vërsulur me një mal pyetjesh për pandeminë, transmeton KOHA shkrimin e NYT.

Ata më së shumti janë kureshtarë për ngjashmëritë ndërmjet pandemisë së koronavirusit dhe shpërthimeve historike të murtajës e kolerës. Ngjashmëri ka me bollëk. Gjatë historisë njerëzore dhe letrare, çfarë i bën pandemitë të ngjashme nuk është e përbashkëta e mikrobeve dhe e viruseve, por fakti se reagimi ynë fillestar gjithnjë ka qenë i njëjtë.

Reagimi i parë ndaj përhapjes së një pandemie gjithnjë ka qenë mohues. Qeveritë kombëtare dhe vendore gjithnjë kanë reaguar me vonesë dhe kanë çorientuar faktet, si dhe kanë manipuluar të dhënat për ta mohuar ekzistencën e përhapjes së virusit.

Në faqet e para të “Ditari i vitit të murtajës”, vepra më iluminuese e letërsisë e shkruar ndonjëherë për kërdinë dhe sjelljen njerëzore, Daniel Defoe raporton se më 1664 autoritetet vendore në disa lagje të Londrës u përpoqën t’i ulnin shifrat e vërteta të vdekjeve të shkaktuara nga murtaja, duke i regjistruar me sëmundje të tjera, të sajuara, kinse shkak për numrin e lartë të vdekjeve.

Në veprën e vitit 1827, “Të Fejuarit”, mbase romani më realist i shkruar ndonjëherë për shpërthimin e një murtaje, shkrimtari italian Alessandro Manzoni përshkruan dhe mbështet zemërimin e madh të popullsisë vendase kundrejt reagimit zyrtar ndaj murtajës së vitit 1630 në Milano. Pavarësisht dëshmive, guvernatori i Milanos injoron kërcënimin që përbën sëmundja dhe as që lodhet t’i anulojë festimet për ditëlindjen e një princi vendas. Manzoni dëshmonte se murtaja ishte përhapur rrufeshëm, sepse të pamjaftueshme ishin kufizimet e vëna, mungonte zbatimi i tyre dhe qytetarët nuk ua vinin veshin.

Pjesa dërmuese e letërsisë së murtajës dhe sëmundjeve ngjitëse paraqet mungesën e kujdesit, pazotësinë dhe egoizmin e njerëzve në pushtet si nxitësi i vetëm i zemërimit të masave. Por, shkrimtarët më të mirë, si Defoe e Camus, ua lejojnë lexuesve t’ua hedhin një sy edhe gjërave përtej politikës si shkaqe të zemërimit, diçkaje të brendshme për natyrën njerëzore.

Vepra e Defoes na tregon se prapa dufit dhe zemërimit të paskajshëm fshihet edhe zemërimi kundër fatit, kundër vullnetit hyjnor që dëshmon dhe mbase edhe nuk i bën hesap krejt këto vdekje dhe vuajtje njerëzore, dhe një duf kundër institucioneve të religjionit të organizuar, që duket se nuk ka haber si të merret me këtë hata.