Kulturë

“Botimet KOHA” në Panairin e librit sjell 120 tituj, prej tyre 16 të rinj

Janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura që të martën, në orën 18:00, të fillojë Panairi i 19-të i Librit në Prishtinë. Një numër i madh shtëpish botuese pritet të jenë pjesëmarrëse, derisa për lexuesit pritet të prezantohen mbi 1000 tituj të rinj. Panairin e sivjetmë “Botimet Koha” do ta shënojë me gjithsejtë 120 tituj, 16 prej të cilëve do të jenë të rinj.

“Gorillat që s’i pamë” e publicistit Veton Surroi, që përgjatë tre vjetëve rresht doli autori më i lexuar i këtij panairi, “Muhamedi, një profet për kohën tonë” nga Karen Armstrong, “Mbretëresha e Malësisë Edith Durham dhe Ballkani” nga Marcus Tanner, “Fillimi i një fundi” nga Majlinda Bregasi, “Monument 4” me autor Artan Krasniqin, “Logot e Kosovës” e Luan Tashit, “Kufiri në dëm të shqiptarëve” nga Zejnullah Gruda dhe “Historia e parrëfyer e mustaqeve të zotit president” e Virgil Muçit janë vetëm disa prej 16 titujve të rinj, me të cilët “Botimet Koha” prezantohen në Panairin e 19 të Librit në Prishtinë.

“Botimet Koha”, që për disa vite rresht është shpallur stenda më e vizituar, edhe sivjet ofron çmime jashtëzakonisht të volitshme për librat që do t’i shpalosë, duke ofruar zbritje deri në 70 %.

Koordinatori i Panairit, Besian Zeneli, ndër të tjera, është shprehur se “Botimet Koha”, me librat e ofruar, u ka dhënë edhe më shumë nam panaireve të kaluara.

Sipas Zenelit, në gjithsejtë 60 stenda, do të plasohen mbi 1000 tituj të rinj të profileve të ndryshme, ndërkaq 4000 tituj do të jenë botime të viteve të fundit.

Në këtë edicion të 19-të pritet të ketë një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore, ndërsa krahas kësaj, do të ketë përurime dhe debate rreth librave të rinj, që do të prezantohen në këtë panair.

Panairi i sivjetmë, i cili do të zgjasë deri të dielën, organizohet tradicionalisht nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me pjesëmarrjen e njëqind shtëpive botuese nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia.

Vitin e kaluar, numri i vizitorëve kishte kaluar shifrën 40 mijë. Ndërsa, për këtë vit, pritshmëria, sipas organizatorëve, është edhe më e madhe.