Kulturë

Kush janë ekzekutuesit vullnetarë?

“Millosheviqi dhe Hitleri janë persona shumë të ndryshëm, por ata të dy janë vrasës në masë dhe fajtorë për një sërë krimesh të tjera. Edhe Hitleri edhe Millosheviqi filluan krimet e tyre në emër të ideologjisë e cila zhvlerëson jetët e të tjerëve dhe duke u nisur nga ideja se njerëzit kanë të drejtë që t’i vrasin të tjerët nëse ata u dalin përpara në rrugë”, thotë historiani amerikan Daniel Goldhagen

FA: Aktualisht po punoni rreth një libri mbi gjenocidin në shekullin 20, një studim krahasimtar. A ju shërben konflikti i Kosovës si rast studimi?

Goldhagen: Ajo çfarë po ndodh në Jugosllavi, sipas definicioneve konvencionale, nuk është gjenocid, ngaqë në këtë rast nuk bëhet fjalë për zhdukjen totale të një populli. Por, ka shenja të një kauzi-gjenocidi ndaj shqiptarëve të Kosovës. Serbët kanë bërë vrasje në mënyrë selektive dhe, sipas informacioneve të deritanishme, këto vrasje nuk janë të izoluara. Serbët po përpiqen që t’i eliminojnë shqiptarët në rajone të caktuara. Ne nuk kemi definicion të saktë për këtë. Nocioni “spastrim etnik” është një eufemizëm.

FA: Sipas kësaj, a shihni paralele midis Holokaustit dhe strategjisë serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës?

Goldhagen: Ndryshimi i dukshëm është se në rastin e Holokaustit ndodhi zhdukja totale e popullit hebre, ndërsa në Kosovë nuk po ndodh zhdukja totale e shqiptarëve. Sidoqoftë, mund të gjenden paralele me Holokaustin. Në të dyja rastet bëhet fjalë për zhdukje të një popullsie, në rastin e Holokaustit nëpërmjet vrasjeve sistematike dhe në rastin e Kosovës në radhë të parë nëpërmjet dëbimeve dhe vrasjeve selektive dhe veçanërisht nëpërmjet kërcënimeve me vrasje masive. Serbët shkojnë në fshatrat shqiptare dhe paralajmërojnë shqiptarët: ose zhdukuni, ose do t’ju vrasim të gjithëve. Një aspekt i rëndësishëm, nëse sjellim ndërmend Holokaustin, është çështja si reagojnë shtetet e jashtme dhe çfarë duhet dhe mund të bëjnë. Në rastin e hebrenjve u bë shumë pak. Në Kosovë jemi përsëri dëshmitarë sesi po dëbohet dhe vritet një popull. Madje, tani kemi informacione për përdhunime masive që zbatohen si mjet i terrorit.

FA: Sipas mendimit tuaj, ku qëndrojnë arsyet e thella të konfliktit?

Goldhagen: Sigurisht, arsyeja kryesore qëndron në dëshirën e udhëheqjes serbe që Serbia të mbetet e paprekur, që territoret serbe të zgjerohen, që pushteti dhe kontrolli serb të rriten. Dhe sigurisht kjo me mbështetjen e shumicës së popullatës serbe, edhe nëse saktësisht nuk jemi në dijeni se sa është përqindja e tyre. Ne dimë se në Serbi ekziston një agresivitet i madh dhe një nacionalizëm i fuqishëm. Kjo nuk po ndodh për herë të parë në konfliktin e Kosovës, por qysh gjatë luftës së Bosnjës dhe është motiv dominues i politikës serbe në këto dhjetë vjetët e fundit.

FA: Në media, presidenti serb Millosheviq shpesh po krahasohet me Hitlerin. Mendoni se ky krahasim është ende i qëndrueshëm?

Goldhagen: Millosheviqi dhe Hitleri janë persona shumë të ndryshëm, por ata të dy janë vrasës në masë dhe fajtorë për një sërë krimesh të tjera. Edhe Hitleri edhe Millosheviqi filluan krimet e tyre në emër të ideologjisë, e cila zhvlerëson jetët e të tjerëve dhe duke u nisur nga ideja se njerëzit kanë të drejtë që t’i vrasin të tjerët nëse ata u dalin përpara në rrugë. Natyrisht, në ideologjitë e tyre ekzistojnë dallime të jashtëzakonshme si dhe në atë çfarë ka bërë Hitleri dhe çfarë po bën tani Millosheviqi. Megjithatë, ata janë vrasës në masë dhe të dytë motivuan shumë njerkët për t’ i mbështetur planet e tyre ideologjike.

FA: Në librin tuaj “Ekzekutuesit e gatshëm të Hitlerit” thoni se Holokausti ishte i mundshëm ngaqë shumica e gjermanëve parapëlqenin gjenocidin ndaj hebrenjve. A mendoni se kjo vlen edhe për qëndrimin e serbëve kundrejt shqiptarëve të Kosovës?

Goldhagen: Shumica e serbëve janë në dijeni për atë se çfarë po bëjnë forcat ushtarake dhe qeveria e tyre në Kosovë. Megjithatë, në rajon jetojnë afro 200 mijë serbë, të cilit i nxisin trupat serbe dhe u ndihmojnë atyre që t’i sulmojnë fqinjët e tyre shqiptarë. Njoftimet për masakra ndaj shqiptarëve mund t’i marrin nëpërmjet televizioneve perëndimore, nëpërmjet internetit dhe mediave të tjera nga pjesa tjetër e Serbisë. Prandaj, popullata serbe nuk mund të simulojë të paditurin, pas asaj çfarë tashmë ka ndodhur në Bosnjë. Për këtë ne do ta shtronim pyetjen: Kush udhëheq politikë eliminuese dhe çfarë përkrahje kanë ata në vend?

Po ashtu, ngaqë si Hitleri që nuk do të mund t’i zhdukte hebrenjtë me një sërë ndihmësish apo vetëm, edhe Millosheviqi nuk është i vetëm.