Kulturë

Në Mynih u hap ekspozita “After the Fact. Propaganda 2001-2017”

Descriptive Text

Muzeu “Lenbachhaus” në Mynih eksploron diversitetin dhe atë se sa shpesh forma të fshehta të propagandës shfrytëzohen për të formësuar e ndikuar në opinionin publik.

Në ekspozitë janë pasqyruar 35 eksponate– disa prej tyre të përbëra nga qindra pjesë – dhe vepra të realizuara nga 25 artistë bashkëkohorë, thekson DW në shkrimin që sot e transmeton “Koha Ditore”. Stephanie Weber, kuratore e ekspozitës “After the Fact. Propaganda 2001-2017” (Pas faktit. Propaganda 2001-2017), shpjegon sesi kanë ardhur deri në përfundimin e ekspozitës, që shekulli njëzet e një është fillim i periudhës së re të propagandës politike.

“Ka disa përgjigje të ndryshme në këtë pyetje komplekse. E bazoj këtë deklaratë në disa të dhëna të ndryshme. Hulumtuesit e propagandës të specializuar në periudhën e luftës e shohin shekullin njëzet e një si fillim të periudhës së re të propagandës, për shkak të sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 dhe mënyrës sesi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar ndaj tyre”, ka thënë Weber. Ajo ka shtuar se aspekt tjetër që ka ndikuar në këtë konkludim është që interneti u përhap në fund të viteve ’90, duke krijuar mundësi krejtësisht të reja për propagandë.

“Shumica e mjeteve të propagandës aktuale janë online. Disa prej tyre mund t’i shfrytëzojmë të gjithë ne, siç janë lajmet që shpërndajmë nëpërmjet mediave sociale, derisa mjete të tjera mund të administrohen nga vetëm pak njerëz”, ka thënë ajo. Ekspozita po ashtu mëton të përçojë mesazh se propaganda si praktikë strategjike e komunikimit është e gjithëpranishme në proceset aktuale shoqërore. Weber e ka zbërthyer këtë.

“Propaganda shpesh herë është shfrytëzuar për t’iu referuar diçkaje negative, mbase për shkak të lidhjes me propagandën naziste. Megjithatë, një përkufizim më i gjerë i këtij termi, që përfshin mënyrën sesi funksiononte propaganda në origjinal, do të përshtatej pothuajse me të gjitha proceset e komunikimit, në të cilat ne përpiqemi t’i bindim të tjerët ose të përforcojmë opinionet”, ka thënë Weber. Ajo ka theksuar se demokracitë perëndimore përdorin shprehje si “komunikim strategjik”, “menaxhim politik” ose “marketing”, për të zëvendësuar termin me konotacion negative “propaganda”.

“Ne nuk kemi rishpikur diçka me ekspozitë: është bazuar në të dhëna, teori e hulumtime që kanë ekzistuar më parë. Ekspozita nuk po provon të thotë ‘kjo është propagandë’. Gjëma më interesante lidhur me këtë term është që ka kaq shumë shtresime: mund të jetë e mirë ose e keqe. Propagandë e krahut të majtë ose të djathtë, propagandë raciste, propagandë feministe. Ka kaq shumë forma të ndryshme ideologjike në kundërshtim me njëra-tjetrën”, ka thënë ajo. Ekspozita reflekton interpretime të ndryshme të propagandës. Siç shpjegon Weber, artistët nuk kanë shfrytëzuar forma direkte lidhur me atë sesi merren me propagandën.

“Ka vetëm pak artistë të cilët i referohen saktësisht propagandës. Kjo ka qenë pjesë e qasjes sonë. Kemi dashur të provojmë ta zbulojmë propagandën aty ku nuk shihet qartë – jo nëpërmjet flamujve valëvitës dhe grindjeve, por nëpërmjet mënyrës sesi shoqëritë punojnë e janë të manipuluara shoqëritë tona të ekonomizuara”. Artistët pjesëmarrës e kanë shprehur punën e tyre nëpërmjet mediumeve të ndryshme. Në ekspozitë ka piktura, videoinstalacione, skulptura dhe vepra të pasqyruara në letër. Thuajse secili medium është përfaqësuar në ekspozitë. Kuratorja ka pasur qëllim të kombinojë artistët e mirënjohur me ata që njihen pak, sikurse edhe të vjetrit me të rinjtë. Ekspozita “After the Fact…” do të qëndrojë e hapur në muzeun e famshëm për koleksionin e veprave të një grupi të njohur artistësh, deri më 30 shtator të këtij viti.