Kulturë

Valiu arnaut që shpëtoi Halepin, presidenti njëditor i Turqisë

Vilajeti i Janinës kishte rendësi në viset shqiptare, përkatësisht në Arnautllëk gjatë Perandorisë Osmane, gjë që e dëshmon lista e gjatë e personaliteteve që u paraqitën qoftë në nivel shqiptar ose osman, pra deri në Arabi e Etiopi. Mjafton këtu të përmendim punimin e Syreja bej Vlorës, “Historia e personaliteteve shqiptare të Vilajetit të Janinës 1859-1909” – i cili u përgatit si aneks për “Kujtimet” (të botuara në Tiranë më 2013) dhe mbeti si dorëshkrim – që të shihet se ç’figura shqiptare dolën nga Çamëria në nivel shqiptar dhe shumë më gjerë.

Njeri prej tyre është Arnaut Mustafa Abdulhalik bej, i cili prej vitit 1934 njihej me mbiemrin e ri (Renda) sipas Ligjit të ri për mbiemra në Turqinë qemaliste.

Historia e kësaj figure është shumë e pasur dhe lidhet me disa vende (Shqipëria, Greqia, Turqia, Siria) e popujt e ndryshëm (shqiptarë, grekë, turq, arabë, kurdë e armenë), sa që autori la edhe “Kujtimet”, që u botuan turqisht dhe vlejnë të botohen në shqip. Ai u bë objekt studimesh e librash në gjuhë të ndryshme. Mirëpo, sa për këtë rast do të ndalemi vetëm në dy momente historike: qëndrimi i tij si vali i Halepit me Mustafa Qemalin deri në orët e fundit të sundimit osman në këtë qytet para se të largohen për Stamboll, dhe si shikohet ai nga historianët vendas, si dhe qëndrimi i tij për një ditë si president i Turqisë në nëntor 1938.

Të dhënat tregojnë se Mustafa Abulhalik, i cili do të njihej më vonë si Arnaut Mustafa Abdulhalik ose Abdulhalik bej, lindi në Janinë më 29 nëntor 1881, ku e kreu shkollën e mesme dhe i vazhdoi studimet në Stamboll në fakultetin më të kërkuar për administratë publike, sepse ata që e kryenin shkonin menjëherë në poste administrative. Kështu, Abdulhaliki i ri punoi një vit në arsim në Rodos e pastaj filloi karrierën e tij në vilajete të ndryshme gjatë 1904-1914, duke shërbyer edhe Tepelenë, Delvinë, Berat, Kavallë e të tjera deri sa u bë vali i Bitlisit më 1914. Më 15 tetor, emërohet vali i Halepit, që përfshinte gati gjysmën e Sirisë së sotme, ku mbeti në këtë post deri në prill 1917, kur u transferua si ndihmës për punë të brendshme. Më maj 1917 u kthye përsëri në Halep, ku mbeti atje me komandantin ushtarak, Mustafa Kemal, deri në ditën e fundit të sundimit osman, përkatësisht në orët e para të 13 tetorit 1918. Ky qëndrim, përkatësisht kjo qëndresë e valiut (Mustafa Abdulhalik) dhe komandantit (Mustafa Qemal) para forcave angleze, krijoi një raport të veçantë midis dy figurave që do të reflektohet në ngritjen e Mustafa Abulhaikut në poste të larta në Turqinë qemaliste.

Autori është anëtar i jashtëm i Akademisë Arabe të Shkencave në Damask, e themeluar më 1919