Kulturë

Fitorja e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

Descriptive Text

Pavarësia e Kosovës ishte një proces që mori shtytje të rëndësishme në fundshekullin njëzet, në kontekstin e shpërbërjes së shtetit jugosllav (dismembration), përkatësisht me përfundimin e Luftës së Ftohtë, kur filloi shfaqja e kërkesave për vetëvendosje në Evropën Lindore dhe Juglindore. Ashtu si dhjetëra shtete të reja që u njohën në kontekstin jokolonial, edhe pavarësia e Kosovës ishte rrjedhim i drejtpërdrejtë i shpërbërjes së Jugosllavisë shumëkombëshe, nga e cila u krijuan 6 shtete të reja. Nëse Kosova, përkatësisht Deklarata e 2 korrikut 1990 dhe referendumi për pavarësi më 26-30 shtator 1990 u përballën me mosnjohje të përgjithshme ndërkombëtare, në rend të parë për shkak të faktorëve gjeopolitikë dhe qasjes selektive të Komisionit të Badinterit, gjatë viteve në vijim politika perëndimore evoluoi hap pas hapi, në rend të parë për shkak të brutalitetit dhe agresionit serb në Kosovë, luftës së shqiptarëve kundër regjimit të Milosheviqit dhe sidomos pas intervenimit ajror të NATO-s në mars 1999. Kapitullimi serb në Kumanovë dhe administrimi i gjatë ndërkombëtar civil dhe ushtarak krijuan shtegun e rrugëtimit të pashmangshëm të Kosovës drejt pavarësisë.

“Opsioni i vetëm i mundshëm për Kosovën është pavarësia...”

“Kam ardhur në përfundim se opsioni i vetëm i mundshëm për Kosovën është pavarësia...”, rekomandoi i dërguari i posaçëm i OKB-së, ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari në propozimin e tij për statusin final të Kosovës. Shtetet kryesore perëndimore dhe një numër vendesh të tjera, pas një procesi negociues 2006-2007 nën ombrellën e OKB-së dhe rekomandimit të Ahtisaarit se pavarësia e Kosovës ishte zgjidhja e vetme, njohën të drejtën e Kosovës për vetëvendosje, duke përligjur këtë me faktin se rasti i Kosovës përbente një rast të veçantë dhe të paprecedentë. Veç kësaj, me Deklaratën e Pavarësisë, Kosova konfirmoi gatishmërinë e vet për të respektuar plotësisht obligimet për Kosovën, të përfshira në Propozimin Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen e Statusit (Plani Ahtisaarit). Me këtë deklaratë Kosova merrte zotime të qarta për të respektuar sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha grupeve etnike që jetojnë në Kosovë, përfshirë edhe pjesëmarrjen e tyre aktive në procesin politik të vendimmarrjes. Këto obligime të marra përsipër nga Kosova si shtet i ri ishin tregues i rëndësishëm i zhvillimeve demokratike në Republikën e Kosovës dhe garanci për paqen dhe stabilitetin në rajon. Këto detyrime kushtetuese të Kosovës që mbështeteshin në Planin e Ahtisaarit ishin pothuajse identike me parimet që komuniteti evropian i kishte formuluar në procesin e njohjes së shteteve të reja në dhjetor të vitit 1991, ku në mënyrë specifike shtetet e reja duhej të ofronin “garanci për të drejtat e grupeve etnike dhe kombëtare, dhe pakicave”, si dhe moscenimin e “kufijve ekzistues të brendshëm dhe të jashtëm”. Madje në rastin e Kosovës këto të drejta dhe garanci për komunitete joshumicë ishin përtej asaj çfarë u ishin kërkuar shteteve të reja të dala nga shpërbërja e Jugosllavisë.

Që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008, Republika e Kosovës ka pasur dy synime themelore: shtetndërtimin e brendshëm dhe konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Si rrjedhojë e angazhimit vendor dhe ndërkombëtar, deri më sot Republika e Kosovës është njohur formalisht nga 116 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Shtrirja gjeografike e njohjeve ka përfshirë vende nga të gjitha kontinentet. Pjesa dërrmuese e shteteve të BE-së dhe NATO-s, sikurse edhe e vendeve fqinje, kanë njohur Kosovën shtet sovran, duke e bërë ekzistencën e shtetit një realitet të pakthyeshëm gjeopolitik dhe faktor që i kontribuon stabilitetit rajonal.

Beteja juridike

Edhe pse deklarimi i Pavarësisë së Kosovës ndodhi pas një procesi shterues dyvjeçar të negociatave ndërkombëtare, fillimisht nën drejtimin e të dërguarit special të OKB-së, ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari dhe treshes ndërkombëtare (BE, SHBA dhe Rusi), Beogradi pretendoi se pavarësia ka cenuar të drejtën ndërkombëtare, principin e sovranitetit dhe integritetit territorial, si dhe ka shkelur Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 të vitit 1999.

Një element kryesor për ta penguar legjitimimin dhe njohjen ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës ishte dërgimi i çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë për një mendim këshillues mbi ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë.