Kulturë

Vepra shqiptare, pjesë e CD-së me kompozime të nivelit botëror

Pjesëmarrja e korit “Siparantum” në edicionin e 15-të të “International Choir Contest Flanders” në tetor të vitit të kaluar i ka sjellë edhe një sukses formacionit nga Peja. Është përfshirë në CD-në e lansuar nga Festivali bashkë me tetë kore të tjera që njihen për traditë e profesionalizëm

Vepra “Xhike-Loke” e kompozitorit të mirënjohur kosovar Rafet Rudi, e interpretuar nga kori “Siparantum”, tashmë gjendet në një CD me vepra të kompozitorëve të njohur botërorë. Falë Korit nga Peja, kushdo që do ta dëgjojë CD-në e edicionit të 15-të të “International Choir Contest Flanders”, do të marrë edhe një̈ copëz të muzikës shqiptare. Bëhet fjalë për miniaturën korale të kompozuar shumë vjet më parë, më 1982. Për kompozitorin Rafet Rudi, por edhe për themeluesin e dirigjentin e korit “Siparantum”, CD-ja është një sukses tjetër i Korit dhe një promovim i muzikës së vendit. Përveç veprës së Rudit, në CD, Kori paraqitet edhe me veprën tradicionale nga Ekuadori, “Apamuyo Shungo” me përpunim të Gerardo Guevara.

Përfshirja e Korit në këtë CD vjen pas pjesëmarrjes në garën ndërkombëtare të koreve evropiane, në edicionin e 15-të të “International Choir Contest Flanders”, që u mbajt prej 4 deri më 6 tetor 2019 në Genk të Belgjikës. “Siparantum” aty u paraqit për herë të parë dhe mori mirënjohje speciale nga juria e festivalit. Më 5 tetor ishte testuar me veprën “Amor io fallo” të kompozitorit flaman, Jan Van Der Roost dhe më 6 tetor ishte paraqitur me një program të përzgjedhur nga vetë Kori. Ishin përzgjedhur vepra të larmishme të kompozitorëve të njohur botërorë dhe atyre shqiptarë, në mes tyre Rafet Rudit, Mendi Mengjiqit, Kreshnik Aliçkajt, Memli Kelmendit e të tjerë.