Kulturë

“Ekokultura”, një antropologji e kulturës mbi natyrën

Sociologët e sotshëm rrallëherë dalin në terren për ta vrojtuar ngeshëm ritmin e jetës së përditshme dhe për ta dëgjuar pulsin e sjelljes e kulturës në bashkësi.

Ata thurin interpretime kritike sipas mendjes së tyre dhe shabllonit teorik që i nënshtrohen. Në rastet më të mira, disa prej tyre bëjnë anketa dhe ndonjë intervistë për të nxjerrë ndonjë të dhënë të ashtuquajtur kuantitative.

Ky është një trend që e ka përcjellë interpretimin sociologjik bashkëkohor në kohën e ngufatjes së sociologjisë nga marksizmi lindor, neomarksizmi perëndimor dhe filialet e tij teorike, shkruan antropologu Arsim Canolli, në numrin e sotëm të Kohës Ditore.

Pavarësisht pikëpamjeve kritike dhe teorike, kur interpretimi i sjelljes dhe kulturës në kohën e ndryshimeve të shpejta bëhet pa evidencë empirike, proza rrezikon të dalë interpretim konceptologjik: një semiotikë imagjinare për t’ia përkëdhelur sedrën teorisë më shumë se sa realitetit.

Del edhe e thatë sidomos kur kihet parasysh se sociologjia e antropologjia janë dije e shkenca, të cilat e marrin për bazë njohjen e njeriut dhe shtegut të tij kulturor nga evidenca që vjen prej studimit empirik, nga përvoja e studimit të tyre prej së afërmi e jo vetëm përmes teksteve nga distanca.

Përtesa e sotshme e kontaktit me të zakonshmen, me të përditshmen, me tradicionalen e me banalen është e njëjtë me përtesën e takimit, njohjes dhe kontaktit me “të egrin”, “primitivin” apo “të huajin” e shekullit XIX. Tashmë është bërë anekdotik fakti se kur e kanë pyetur James Frazerin, antropologun e autorin e “Degës së Artë”, se a kishte takuar ndonjëherë “njerëz të egër” kishte thënë: “Mos e bo Zot’!”

Vrojtim i ngeshëm i jetës sociale e kulturore

Për shumë sociologë, antropologë e psikologë, terreni apo jeta reale duken banale ashtu sikur që duken shumë prej temave të studimit antropologjik. Pyetja që bëhet është kryesisht për antropologët që studiojnë tema nga vendi i tyre apo shtëpia e tyre: pse duhet shkuar në terren? A nuk jemi në terren çdo ditë? Pse kjo temë për kultin e drurit e jo për kombin? Kështu efemeralizohet dhe leçitet e përditshmja dhe distancohet si më se e njohur dhe po ashtu si banalitet e irritim. Syri mbetet te “teorikja”, “gjithëpërfshirësja”, “-izmat” e “post-tat” e ndryshëm, tema të cilat na japin identitet, e madje edhe pushtet e prestigj akademik nëse i rrokim e i analizojmë si tema. Madje ekziston një lloj përçmimi akademik ndaj temave të vogla, sepse ato nuk i japin status e kredo në teori autorit që i studion. Sepse po s’iu kacavorëm e po s’ua mbajtëm isonë koncepteve e teorive të lidhura me autorë të “famshëm”, rrezikojmë të mbesim pa liberalizim të vizës akademike për të hyrë në bashkimin e akademisë globale, apo asaj pamjes idilike të “sijashtjes” akademike.

Në këtë fruth të mendimit bashkëkohor, edhe antropologjia u përpëlit dhe u sfidua shumë. Asaj iu nxorën dredha në shpinë, duke u kritikuar për reprezentimin, shkrimin, statusin epistemologjik, etj. Megjithatë, antropologjia e ruajti një aspekt unik të saj: vrojtimin e ngeshëm të jetës sociale e kulturore, veçimin dhe njohjen e jetës autentike, ashtu si shpërfaqet, të bashkësisë së caktuar. Sot e kësaj dite, antropologjia është një ftesë për të gjitha shkencat shoqërore e dijet humane për ta marrë parasysh vrojtimin empirik, njohjen e përafërt të aspekteve të ndryshme të jetës, identifikimin e variantit kulturor dhe njohjen e asaj se çfarë e bën njeriun njeri në lokalitetin specifik e autentik të tij, por edhe të ndryshueshëm e joautentik.

Libri i Shemsi Krasniqit, profesor universitar i sociologjisë i trajnuar në sociologji dhe antropologji, “Ekokultura: natyra në kulturën popullore shqiptare” (ASHAK, 2016) është një ftesë e tillë: një grishje e sinqertë për ta njohur variantin lokal, atë long-duree-në e kulturës shpirtërore të jetës blegtorale, bujqësore e malësore, të përthyer në shumësinë e praktikave, të koncepteve e dokësisë kulturore shqiptare mbi natyrën. Një grishje, pra, për ta njohur rendin etik të sjelljes shqiptare me natyrën, dhe objektivizmin e këtij rendi e dokësia në raport me natyrën dhe kulturën shqiptare në përgjithësi, me fokus të veçantë në atë të Kosovës si terren specifik i vrojtimit. (Më gjerësisht lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)