Kulturë

Bateristi në ritmin e kapërcimit të stileve

Foto: Fikret Ahmeti

Bateristi Granit Havolli si fëmijë nuk ishte fort i dhënë pas sporteve. Por, gjente shokë për lojëra të tjera, si kukafshehthi e kile. Në hyrjen e banesës ku jetonte Havolli kishte edhe diçka interesante, që e tërhiqte.

Si fëmijë, me shpejtësi i kalonte shkallët e ndërtesës dhe hynte në apartamentin e djalit të axhës së tij, Sokol Havollit, i cili tok me shokët e tij e quanin veten “Halucinacioni” dhe bënin rock n’ roll. Këtu nis historia e takimit me muzikën, kur flitet për bateristin Havolli, emri i të cilit figuron në grupe të ndryshme që i shtojnë gjallërinë kryeqytetit, si “Gillespie” e “Sytë”.

“Muzika është një ndër fenomenet me të rëndësishme dhe me ndikimin më të madh në botë. Disa nga ndryshimet me të mëdha sociale kanë ndodhur si shkas i muzikës. Muzika na bashkon, pavarësisht dallimeve tona”, thotë Havolli. Sipas tij, në Kosovë ka mjaft artistë e grupe të mira, por duhet bërë më shumë për promovimin e vlerave të mirëfillta artistike dhe ekspozimin e këtyre grupeve në atë që njihet si pop-kulturë. Për Havollin, bota e muzikës është e pakufishme. Thotë se mjafton që njerëzit të kenë guxim për të eksperimentuar dhe kësisoj ata do të bëjnë ndryshime.

Loja në bateritë e shokut

Kur rikthehet te fëmijëria, tregon se Sokol Havolli ishte basisti dhe solisti i grupit “Halucinacioni”. Thotë se gjersa grupi mbante prova, ai rrinte në një qoshe dhe i shikonte tek performonin. Pikërisht këto prova patën shumë efekt tek ai. Por, tupanxhiut që është lindur në Gjakovë i kishte shërbyer si shkëndijë për të zgjuar brenda tij pasionin për bateritë. Por, frymëzim qe edhe një bend. Behet fjalë për të famshmin “Nirvana”.

Grupi amerikan, aktiv prej 1987 deri më 1994, muzika grunge e të cilit mbetet e njohur dhe vazhdon të ketë ndikim në kulturën moderne të rock and rollit, pati disa tupanxhinj derisa në vitin 1990 atyre iu bashkua bateristi amerikan Dave Grohl. Loja e tij e kishte ngacmuar Havollin.

“Dave Grohl me energjinë e tij eksplozive ka zgjuar diçka brenda meje, diçka që nuk e kisha përjetuar më herët”, thotë ai.

Mirëpo, kontakti i tij i parë me tupanët do vinte më vonë. Fillimisht Havolli do fillonte të luante në kitarë. Në këtë instrument në familjen e tij luante edhe vëllai i madh, Ylli. Shpesh interpretonin bashkë. Një ditë, një shok i tyre, Uran Poreshqi, i kishte lënë bateritë e tij në banesën e tyre.