Kulturë

1641 palë këpucë në kujtim të të pagjeturve

Mbi secilën pikëpyetje qëndrojnë një palë këpucë. Janë gjithsej 1641, aq sa është edhe numri i të zhdukurve në luftën e fundit për fatin e të cilëve nuk dihet ende. Vullnetarët e sektorit të të rinjve të Komunës së Ferizajt, të enjten, në formë simbolike kanë ngritur pyetje për të pagjeturit.

Simbolika e këpucëve është shpresa për kthim. E pikëpyetjet tregojnë se informatat për fëmijët, gratë e burrat e zhdukur, mungojnë. Rrëfimi për luftën kompletohet edhe më shumë kur në prapavijë të këpucëve shihet shtatorja e heroit Rexhep Bislimi.

Agon Zhinipotoku, udhëheqës i sektorit të Rinisë, ka thënë se ekspozita ishte ideuar të hapej më 12 qershor, në Ditën e Çlirimit të qytetit. Por, pandemia kishte ndikuar që të shtyhej ekspozita njëditore me moton “Bashkë për zërat e heshtur, të gjithëve na mungojnë”, raporton KOHA.

Xhemile Murati - Shabani, drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport, ka thënë se të rinjtë duhet ta mësojnë historinë. Sipas saj, këto forma, sikurse ekspozita, janë më të qëlluarat që historia të trajtohet si rrëfim e edhe duke ngritur pyetje.

Gjimnazistja Rea Tasholli është e lindur më 2003. Si vullnetare ka ndihmuar në përgatitjen e ekspozitës. Thotë se simbolikat e ekspozitës janë të fuqishme. E për luftën ka mësuar nga familjaret.

Gjatë gjithë ditës së martë, qytetarët e Ferizajt që kanë kaluar para objektit të Komunës kanë pasur rastin që ta shohin ekspozitën e t’u kthehen kujtimeve të luftës. Por, kësaj radhe, me një ekspozite që nëpërmjet artit ngre çështjen e të pagjeturve.