Kulturë

Bileta falas për Muzeun e Amfiteatrin e Durrësit në promovim të turizmit kulturor

Në emër të promovimit të turizmit kulturor, Shqipëria ka vendosur që të ofrojë pesë mijë bileta falas për ata që duan të vizitojnë dy prej institucioneve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Durrës. Muzeu Arkeologjik dhe Amfiteatri i qytetit bregdetar do të jenë në dispozicion të pesë mijë personave që duan t’i vizitojnë e nuk kanë nevojë të paguajnë për këtë.

Kjo nismë është zyrtarizuar nga kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, të cilat të mërkurën nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për “Nxitjen dhe promovimin e turizmit kulturor në Muzeun Arkeologjik dhe Amfiteatrin, Durrës, nëpërmjet hyrjes pa pagesë”.

Siç kanë raportuar mediat shqiptare, në bazë të marrëveshjes, biletat falas vlejnë nga periudha prej 23 qershorit deri më 31 gusht. Kjo është periudha vjetore kur qyteti i Durrësit pret valën më të madhe të pushuesve në bregdet.

Krybashkiakja Emiriana Sako ka thënë se Durrësi është një ndër qytetet me trashëgiminë arkeologjike më të pasur në vend dhe në rajon. Pas situatës së tërmetit të vitit të kaluar dhe pandemisë, nxitja e turizmit gjatë këtij sezoni merr një rëndësi të veçantë. Sipas saj, kjo marrëveshje për mbështetjen e bizneseve turistike duke ofruar falas biletat për sitet e trashëgimisë kulturore për sezonin veror shërben për të nxitur turizmin kulturor, si dhe për t’u ardhur në ndihmë operatorëve turistikë, bizneseve, si dhe institucioneve dhe subjekteve private që lidhen në mënyrë direkte apo indirekte me turizmin kulturor.

Paraprakisht, në fillim të këtij muaji ishte paralajmëruar se në nivel simbolik do të paguajnë biletat vizitorët e monumenteve në Shqipëri gjatë sezonit turistik. Ky ishte është një prej hapave të Qeverisë për ta kthyer vëmendjen te trashëgimia kulturore, pas masave kundër pandemisë.