Kulturë

Sikur Kurt Cobain të mos vetëvritej

“Shkoni në djall të gjithë: kjo është kënga e fundit e mbrëmjes”, kishte thënë Kurt Cobain para mikrofonit. Ishte 18 nëntori i vitit 1993, kur u incizua koncerti legjendar “unplugged” i bendit “Nirvana” në MTV.

Ai ishte ulur në skenë i veshur me një xhup të trashë dhe me flokët e verdhë me bishta, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Këngëtari dukej i lodhur dhe ishte përballur me dhimbje torturuese stomaku për të cilat nuk i kishin ndihmuar as medikamentet më të forta.

Para koncertit të MTV-së ai kishte kërcënuar se do ta ndërpriste incizimin dhe ishte përleshur me kolegun e tij të bendit, Dave Grohl, duke thënë se interpretimi i bateristit ishte shumë i zëshëm. Shkurt, provat e përgjithshme kishin qenë katastrofë e vërtetë. Pak orë më vonë audienca nuk do të mund të dyshonte në asgjë.

Bendi ishte harmonizuar dhe ishin mashtruar mes vete nëpërmjet këngëve. Cobain ishte ulur mbi stolin e tij lëvizës, duke bërë shaka sarkastike herë pas here. Por kur këndonte, ai thellohej pagabueshëm në muzikë.

Koncerti ishte bërë shumë i rëndësishëm në historinë e muzikës pop. Pesë muaj më vonë Kurt Cobain ishte gjetur i vdekur pasi kishte qëlluar veten me armë. Kur trupi i tij u gjet dy ditë pas vetëvrasjes, mjete të përdorimit të drogës ishin gjetur në afërsi të trupit të tij. Hetuesit kishin ardhur në përfundim se Kurt Cobain kishte marrë dozë të madhe të heroinës para se ta vriste veten.

Një pikë e hidhët ironie për shumicën prej adhuruesve të tij: një prej hiteve më të mëdha të bendit “Nirvana”, “Come As You Are” përfshin vargun e përsëritur: “dhe betohem që nuk kam armë”. Në disa mënyra, vetëvrasja e Kurt Cobain nuk shënoi vetëm fundin e bendit “Nirvana”, por fundin e “grunge” – një zhanër nga Seattle që kishte pushtuar botën e muzikës pop dhe që kishte goditur komercializmin e stërtepruar në vitet ‘90.

Gjenerata “X” kishte gjetur idhullin e vet te Kurt Cobain – një djalosh shumë emocional, i brishtë e i pashpresë. Muzika e “Nirvanas” ishte e fuqishme, e egër dhe digjte – një kolonë perfekte zanore që shkonte me flokët e gjatë, xhinset e shqyera apo këmishët me katrorë... (më gjerësisht lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.