Kulturë

“Filmi UP” në Kohavision

Java e tretë e shfaqjes së filmave studentorë në kuadër të programit “Filmi UP” në Kohavision sjell në ekran dy filma që merren me disa fenomene në familjet shqiptare.

Filmi i regjisorit Berat Safqiu, “Djepi”, trajton fenomenin e diskriminim të gjinisë femërore në familjet kosovare. Protagonisti i filmit Fatoni, pasi i lind djalë, fiksohet pas tij aq shumë, saqë lë anash vajzat e tij.

Një ditë ai vendos ta befasojë gruan e tij për synetinë e djalit dhe në atë moment ndodhet përpara një situate të papritur, të cilën nuk di se si ta menaxhojë. Në film luajnë edhe aktorët e mirënjohur kosovarë Vedat Bajrami, Osman Azemi dhe Mensur Safqiu.

Filmi tjetër i cili vjen këtë të diel mbrëma është “E njelmët” nga Dita Shaqiri, i cili sjell rutinën e një familjeje me dy anëtarë, Violetës (50) dhe Agronit (55). Nëna, portretizuar nga aktorja kosovare Anisa Ismajli, është amvise. Ajo shfaqet duke shikuar vazhdimisht nga dritarja në pritje të dikujt.

Në përditshmërinë e saj kap receptorin e telefonit për të dëgjuar sinjalin, por nuk e thërret askënd dhe njëkohësisht nuk pranon asnjë thirrje. Në çdo vakt, për disa ditë radhazi, ajo shton një lugë dhe një cope bukë për ulësen që ka pranë, por aty nuk ulet askush. Bashkëshorti me qëndrimin e tij, injoron lëvizjet e së shoqes.

“Filmi UP” është program i cili është hartuar nga Drejtimi i Regjisë së Filmit dhe Televizionit i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në bashkëpunim me Kohavisionin dhe vjen në ekran çdo të diel prej orës 20:30 me prezantimin e filmave të filmbërësve të rinj kosovarë.