Kulturë

“Lorik Aveny” me artin që bëhet modë

Për vite arti është perceptuar si diçka elitare, që mund të gjendet vetëm brenda dyerve të institucioneve të artit. Mirëpo një kufizim i tillë thyhet çdo ditë e më shumë nga artistët që tregohen revolucionarë në këtë drejtim. Artin e shfaqin në hapësira jokonvencionale.

Pëlhura e bardhë nuk është më i vetmi material ku mjeshtrit e artit mahnitin botën me kompozicionet e tyre. Revolucionar në këtë drejtim po tregohet edhe artisti Lorik Sylejmani.

Synon të lërë gjurmë në botën e modës pikërisht me artin e tij. “Lorik Aveny” e ka titulluar linjën e re që nis me dizajne për bluza. Sylejmani, i cili ka 26 vjet që me art është treguar goxha eksperimentues, beson se ka edhe një sekret që do t’ia mundësojë një vend në fashion: është fokusuar te ngjyrat e ndezura.

Zanafilla e idesë në New York

Lorik Sylejmani u lind në Prishtinë, në vitin 1972. Diplomoi në Fakultetin e Arteve - Dega e Dizajnit Grafik, në vitin 1995. Studimet pasdiplomike i përfundoi në vitin 1998, me temën ‘’Prezantimi vizual dhe tipografik i dy artistëve nga Nju-Jorku: Laurie Anderson dhe Lou Reed”. Këta të fundit u bënë inspirim për artin e tij gjatë asaj periudhe, por edhe më vonë.

Punimi “Blue light/Red Heat” është një nga ato që erdhi si rezultat i këtij ndikimi. Origjinali i këtij punimi është bërë gjatë viteve 1996-1997, ndërsa vepra është përpunuar gjatë periudhës 2001-2002. Punimi i bazuar në këngën “Dirty Bulevard” të Lou Reed, në viti 2014 ishte përzgjedhur për t’u prezantuar në ekranet e ndërtesës “Eagle Store” në “Times Square” në New York. Si dhuratë, kuratorja e ekspozitës do t’ia dhuronte Sylejmanit tri bluza ku do të printonte veprën e tij.

Kur Sylejmani kishte pranuar dhuratën mendoi vetëm një gjë: “Veprën time kam dëshirë që ta shoh te të tjerët”. Ky mendim kishte mjaftuar që t’ua dhuronte ato tre miqve të tij. Këtu nis shfaqja e artit të Sylejmanit jashtë mureve të Galerisë. Asokohe nuk ishte i vetëdijshëm për lidhjen e situatave që do ta ngjiznin idenë për brendin “Lorik Aveny”.

Pas dhuratës së kuratores, njëri nga shokët e Sylejmanit, një vit më vonë, do të ndiqte një koncert të muzikës tekno në Berlin. Do të shkonte me bluzën që ia kishte dhuruar artisti. Shumë njerëz do të interesoheshin se ku e kishte blerë. “Përse nuk po realizon dizajne të tilla”, do t’i thoshte ai.