Kulturë

“Vendi im” në harmoninë e jazzit si kujtim për Muharrem Qenën

“O vendi im, të thërras unë me mall. Këtu jetë më jep vetëm kjo kangë”, ia thotë jazz-kitaristi Taulant Mehmeti. Kënga e shkruar nga Rashid Krasniqi në vitin 1960 ngjall goxha nostalgji. Mungesa e shtëpisë vërehet edhe te Mehmeti, që ka lënë Kosovën para tetë vjetësh dhe bën karrierë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Më mungon Kosova, familja dhe miqtë që i kam atje”, ka thënë ai për KOHËN. Por arsyeja e risjelljes së këngës “Mallëngjimi” që njihet edhe si “Vendi im”, siç i është referuar edhe Mehmeti, në një version më në harmoni me tingujt e jazzit, qëndron te një fakt tjetër dhe jo te kjo mungesë. Është shenjë nderimi për Muharrem Qenën, që më 22 të këtij muaji do të festonte ditëlindjen e 90-të. Kantautori, regjisori e aktori i njohur vdiq në moshën 76-vjeçre, më 25 shtator të vitit 2006. “Kaçurrelja”, “Shokut”, “Lamtumirë” janë disa prej këngëve të pavdekshme kënduar prej tij.

E preferuara e Mehmetit është pikërisht “Vendi im”. Për realizimin e saj e ka sfiduar goxha veten. Ia fillon vargut të parë të këngës duke luajtur në kitarë. Pa hyrë te minuta e parë e këngës luan në kontrabas. Një pjesë solo në bass-kitarë është dëshmi e njohurive të tij në disa instrumente. E interpretimi i kësaj kënge nuk përfundon me kaq. Mehmeti për të sjellë një version më të kompletuar të këtij versioni – që zgjat 2 minuta e 56 sekonda – luan edhe në bateri. Loja në katër instrumente, pos vokalit, është diçka që e ka bërë për herë të parë. Por Mehmeti është shprehur i kënaqur me realizimin.

“Ky ishte një proces i mrekullueshëm për të mësuar, pasi që e kam incizuar të gjithë pjesën me instrumente vetë nga shtëpia. Ishte një eksperiencë shumë e mirë si inxhinier zëri. Ka kohë që luaj në instrumente të ndryshme, por nuk isha shumë i dhënë pas incizimit dhe roli si inxhinier zëri ishte diçka e re për mua”, ka thënë ai. Videoja shoqërohet me pamje të tij duke kënduar e luajtur në instrumente në shtëpi, si dhe me pamje nga Kosova dhe nga Dhërmiu i Shqipërisë, një formë për të përcjellë shpirtin e tokave shqiptare edhe përmes pamjeve. Fiton Gjonbalaj është përkujdesur për realizimin e videos e Borin Leka për editimin, ndërsa muzikanti Armend Xhaferi është ai që e ka bërë miksimin e këngës.

Sipas Mehmetit, fakti se i gjithë projekti është i incizuar po i ndihmon që të bëhet më i mirë në këtë aspekt.

“’Vendi im’ është një këngë shumë e thjeshtë dhe e bukur. Versioni im do të thosha që është një miks paksa më i komplikuar në harmoni me jazzin dhe me një metrikë tjetër ritmi. Origjinali është 3/4, dhe unë e kam luajtur këngën në 7/8, që është një ritëm autentik i Ballkanit”, ka thënë ai.

“Mallëngjimi” ka edhe një tjetër version në tis jazzi. Në prill të vitit të kaluar e solli këngëtarja e njohur Rona Nishliu me kuartetin e saj. E këngën “Shokut” të Qenës e përpunuan para dy vjetëve jazz-kitaristi kosovar me nam në ShBA, Faton Macula dhe aktori Kushtrim Hoxha, që po ashtu po bën karrierë në skenën teatrore amerikane.

Rrugëtimi i jazz-kitaristit Taulant Mehmeti, i cili gjeti hapësirë në skenën njujorkeze, është një histori suksesi por dëshira e tij për t’i kontribuar zhvillimit të muzikës jazz në Kosovë nuk është zbehur asnjëherë. Ditët e karantinës në New York, veç sa ia kanë shtuar dëshirën për të qenë më afër audiencës shqiptare dhe për të incizuar. Në fillim të këtij muaji, bashkë me pianistin Ilir Bajri dhe tupanxhiun Enes Bajramliqi publikuan kompozicionin “Zatra Blue”. Pandemia e koronavirusit pashmangshëm ka ndikuar edhe në angazhimin e Mehmetit. Ai për KOHËN ka rrëfyer edhe se si i ka kaluar ditët e izolimit në New York.